Home » Histori » Valter Zhelazni – Jeta dhe vdekja e gjuhëve

Valter Zhelazni – Jeta dhe vdekja e gjuhëve

 6.4 Jeta dhe vdekja e gjuhëve

Jeta dhe vdekja e gjuhëve  është shkruar në fatin e njerëzimit. Në se sidoqoftë do ta hetonim me saktësi situatën e gjuhëve, do dalë që jeta dhe vdekja e tyre është e pakrahasueshme me proceset biologjike, por e krahasueshme me ato politike, sikurse luftërat apo pushtimet. Në disa gjuhë ka vdekur fjalori, por ka mbetur struktura (bullgarishtja), në të tjera ka vdekur struktura por ka mbetur fjalori (italishtja).

Në gjuhët asgjë nuk vdes biologjikisht “gjer në fund”, vetëm po qe se është vrarë krejt bashkësia e folësve të një gjuhe dhe krime të tilla kanë ndodhur në histori. Në këtë mënyrë janë zhdukur shumë gjuhë, para se të përshkruhen.

Disa gjuhë, të quajtura sot klasike, janë bërë të vdekura, si latinishtja, greqishtja, sanskritishtja, sllavonishtja apo koptishtja, por ato nuk janë zhdukur krejt. Disa janë rigjallëruar si psh hebraishtja e re. Para syve tanë kanë lindur dhjetëra gjuhë kreole dhe të tjera po krijohen me gjeninë dhe karizmin e autorëve të tyre, si Esperanto. Që në shekullin 19, dukej që gjuhët jetojnë jetën e vet, pavarëisht nga shoqëritë. Këtë opinion e pranoi linguistika e shekullit 19.

“Karakteri i arsyeshëm” apo “karakteri instrumental” i gjuhës, përsosmëria e saj relative dhe lehtësia e të nxënit dolën kritere të pamjaftueshëm, që pikërisht këto gjuhë të përdoren për funksione konkrete në shoqëri.

Sipas strukturalizmit, çdo gjuhë natyrore apo etnike është e përsosur në vetvete. Të paktën në sferën e langue. Sipas funksionalizmit, ku gjuha trajtohet si parole, gjuhët nuk janë të barabarta ndërmjet tyre, disa kryejnë funksione kombëtare dhe të tjerat- ndërkombëtare. Disa kanë më shumë se një miliard folës, të tjera disa dhjetëra (Liva në Letoni). Disa janë të përhapura në rang kontinenti (rusishtja) dhe të tjera të kufizuara në fshatra. Disa kanë thesare qytetëruese të gjitha shkencave, të tjerat ruajnë një histori të folur dhe mitologji të një kombi të vogël.

gjermanisht është shfaqur pothuaj e tërë filozofia moderne, në komiisht– i tërë arti i mbarështrimit të reniferëve dhe ndërtimi i slitave. Është më lehtë të njohësh filozofinë e braminizmit me anë të sanskritishtes, më me ndikim studiohet historia e shekullit 18 në frëngjisht dhe historia muzikore në italisht. Vetëm në disa dhjetra gjuhë gjendet pothuaj e tërë dija për botën.

Ndonëse mund të dukej që gjuhët i ndryshojnë funksionet, zhvillohen, zhduken dhe rilindin sipas rregullave të njohura nga ne, nuk është për të dyshuar që zhvillimi sasior i disa gjuhëve (për shembull i frëngjishtes) apo zhdukja me vdekje (për shembull i jidishtes apo i bretonishtes) është i lidhur me një politikë gjuhësore të duhur.

 

6.5 Metodat autoritare dhe demokratike në politikën gjuhësore

Kur u shfaqën në Evropë popujt dhe shtetet moderne, menjëherë më pas, autoritetet politike vendosën, që ata duhet të sundojnë mbi gjuhët. Kontrollin e deriatëhershëm për gjuhën dhe shkrimin, që në Mesjetë  e kryenin Urdhërat (dhe në histori priftërinj të ndryshëm nga fetë e ndryshme), e ndërmori shteti dhe ai ngriti institucione që do e ruanin gjuhën, si për shembull Akademia Franceze, e themeluar në vitin 1633. Praktikisht çdo shtet evropian tregoi kujdes për gjuhën e vet dhe në çdo komb nisën diskutimet [Eco:348]. Kombet që qeveriseshin nga perandoritë dhe nuk kishin forcë politike, e mbështesnin gjuhën e vet në autoritetin e njerëzve të vet të arsimuar. Ata përpunonin normat gjuhësore dhe parimet e drejtshkrimit. Në këtë mënyrë u formuan pothuaj të gjitha gjuhët e Evropës Meslindore me disa përjashtime.

Rusishtja e vjetër në Kiev u formua në shekujt 11-12, çekishtja në shekullin 12-14, që të dyja ndikuan në polonishten në shekullin 15.

Në veprën e vet Gramatica de la lengua castellana, kushtuar mbretëreshës Izabela Katolikes, Antonio de Nebrija (1444-1522), humanisti dhe gramatisti i madh spanjoll, ka shkruar më 1492 që gjuha e ka shoqëruar gjithnje qeverisjen. Mundet pra të pranojmë, se ai ka qenë autori i parë, që profetikisht ka parapa këtë problematikë, që në vitet 1960 do njihet nën emrin e politikës gjuhësore apo mbarëmbajtjes të burimeve gjuhësore.

Antonio de Nebrija

Antonio de Nebrija

Në momentin kur gjithnjë e më shpesh politologët dhe sociologët parashikojnë pak e nga pak zhdukjen e shtetit, ndryshon edhe thelbi i politikës gjuhësore, sepse shteti ka gjithnjë e më pak mundësi për ta kontrolluar gjuhën e folur dhe të shkruar. Ndryshimet gjuhësore që po ndodhin i imponon globalizmi. Prapa tij qendron anglishtja mbizotëruese që vetë ndryshon pa aluduar që shumë gjuhë kombëtare nisin të kenë “një gramatikë të re” përshtatur ndaj komunikimit modern përmes internetit, mesazheve sms, kompjuterave dhe “ikonografisë” së shumëllojshme,  që po përdoret gjithnjë e më shpesh, duke bërë të shihen disa fjalë dhe pjesë sintaksore në ekranet e televizorëve, kompjuterave, telefonave të xhepit. Si shembull le të shërbejë mesazhi sms i mëposhtëm, përmbajtjen e të cilit ta deshifrojë lexuesi:

Im No.1. No pix, plz, Uz my name nicely, Day7holy, Take care of mum’m’dad. Don’t kill, serU round, steal or lie. Keep yr hands (&cyz) off ëot isn’t yrs!

Njëkohësisht të paktën më tepër se gjysma e kombeve në botë nuk i ka përpunuar gjet tani mjetet e komunikimit të veta amtare, shtetërore apo letrare, që mund t’u shërbenin atyre, sikurse çekishtja kombit çek gjatë rilindjes në shekullin 18. Mos vallë procese të tilla janë të domosdoshme sot për krijimin e shumë kombeve jashtëvropianë?

Edhe sikur t’i marrim parasysh të gjitha aspektet politike dhe linguistike, planifikimi gjuhësor duhet të hyjë në etapën e zbatimit, dhe kjo do të thotë më shpesh të kërkojë ndihmën e institucioneve të shtetit për të ardhur te qëllimi i dëshiruar, duke i thjeshtuar normat e gjuhës apo gjuhët. Pra, në ç’mënyrë proceset normuese të gjuhës janë kontrolluar nga Populli Sovran sipas konceptit të tashëm për shtetin liberal, demokratik? Ja disa përgjigje që tregojnë që “populli” nuk ka asgjë për të thënë në politikën gjuhësore.

 

6.6 Politika gjuhësore në Bashkimin Sovjetik

Puna për t’u dhënë rreth 100 popujve sovjetikë gjuhën me alfabetin, fjalorin, normat e veta vazhdoi  nga Revolucioni Bolshevik më 1917 gjer në vitin 1930 dhe ka qenë një sukses i madh i linguistikës sovjetike. Gjatë kësaj kohe, ende nuk flitej për regjimin stalinian, që i përndoqi linguistët, gjë që nisi në vitet 1930.

Jazikovanie stroitelstvo (krijimi i gjuhës)  bazohej mbi trashëgiminë e shkencëtarëve rusë me famë botërore, veprat e të cilëve dhanë ndihmesë të rëndësishme në linguistikën e përgjithshme: shkolla e Kazanit e Jan Baudouin de Courtenay dhe Mikolaj Kruszewski, apo korifejt me prejardhje ruse të rrethit të Pragës- Roman Jakobson dhe Nikolaj S. Trubetzkoy. Linguistët sovjetikë vepronin me një liri të mjaftueshme intelektuale, për të cilën dëshmon fakti që i shquari NikolajTeofanoviç Jakovlev (1892-1974), shumë herë kërkoi në faqet e revistave të tilla serioze si Kultura i pismenost Vostoka (Kultura dhe letërsia e Lindjes) apo Revoljucija i pismenost (Revolucioni dhe letërsia) për të ndryshuar alfabetin nga ciril në latin.

Kjo ndodhte në kohën, kur ende lejohej të shkruhej, që alfabeti latin- sipas Jakovlevit-  e përshpejton leximin dhe shkrimin, sepse forma e tij grafikisht është më e përshtatshme për lëvizjet e syve dhe të dorës për njeriun modern. Veç kësaj ay mundëson kursimin e letrës etj. Dhe nuk ka rëndësi, në se Jakovlevi ka shkruar të vërtetën, por që ai mundëte të shkruante këtë gjë, për të cilën në vitet 40 kishin për të shpënë në gulage. Sepse nga viti 1936- gjer më 1940. “ [….] shumica absolute e kombeve në Bashkimin Sovjetik pranoi me nismën e vet alfabetin cirilik” [Isajev 1971].

Pra rusifikimi ishte gjithëpërshirës dhe intensiv, se nën trysninë e Moskës, jo vetëm kombet sovjetike, por edhe shteti mongol, formalisht i pavarur dhe i lirë, e ndryshoi në vitin 1939 shkrimin e vet të vjetër ujgur, kombëtar, që u formua në shekullin 13 dhe në vitin 1941 Mongolia ndaloi me dekret special, që ai të përdoret.

 

6.6 Novoje Uçenie Ob Jazike (Shkenca e re e gjuhës)

Nga viti 1925 gjer 1950, në Bashkimin Sovjetik mbizotëronin teoritë linguistike të kartvelianit Nikolaj Jakovleviç Marr (1864-1934), sipas të cilit gjuha është kategori e superstrukturës (nadstrojki) si element i infrastrukurës në zhvillimin shoqëror.

Nikolaj Jakovleviç Marr

Nikolaj Jakovleviç Marr

Në vitet 1950 teoritë e Marr-it nuk përputheshin me tërë doktrinën për jazikovoje stroitelstvo  në Bashkimin Sovjetik dhe u kritikuan ashpër nga Stalini. “Ai (Stalini) vërtetoi në veprat e veta se ndodh ndryshe: pranimi i karakterit klasor të gjuhës nuk është jo vetëm i domosdoshëm sipas marksizmit, por madje nuk len vend për t’u ujdisur me të. Marksizmi krejtësisht nuk i pranon opinionet e Marr-it, dmth kuptimin e hulumtimeve gjuhësore sipas qendrimit klasor” [Czikobawa: 48].

Josif Visarionoviç Stalin

Josif Visarionoviç Stalin

Konfliktet e teorisë së Marr-it me opinionet linguistike të Stalinit u përkasin konflikteve intelektuale më të çuditshme në Bashkimin Sovjetik, sepse janë plot paradokse sovjetike, ato e angazhuan tërë “humanistikën” sovjetike, që të shprehet gjatë debatit, që u krye pa pastrim ideologjik dhe njëkohësisht i eliminoi teoritë klasore nga linguistika sovjetike.

Marr-i i kishte ndërtuar teorinë e vet, të quajtur novoje uçenie ob jazike  ndërmjet viteve 1923 dhe 1926. Kjo ka qenë një diçka e bujshme, sepse ia paraqiti atë Stalinit dhe, gjatë kongresit të 16-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, shokët e shoqet diskutuan për teoritë e Marr-it. [L’Hermitte 1978:27].

Nga pikëpamja e linguistikës dhe sociolinguistikës, ajo nuk ka asgjë (si gjer tani) që do mund të hynte qendrueshëm në linguistikë, ndryshe nga studimet pionjere të Marr-it për gjuhët kaukaziane. Stalini mbrojti shkencën gjuhësore “borgjeze” dhe në kuptimin e rolit social të gjuhës ai shtoi shumë vërejtje, të denja për sociolinguistët e shquar.

Dy probleme (dhe pikërisht enigma të pazgjidhura gjer sot) ishin të lidhur me thelbin e konfliktit ndërmjet teorisë së Marr-it dhe sulmit të mëpastajmë të Stalinit. Katja Velmezova [2003] nga Universiteti i Lauzanës paraqiti dy pyetje, që njëkohësisht tregojnë udhën për sqarimin e dy enigmave:

  • Përse marrizmi u bë një doktrinë mbizotëruese, e pranuar nga regjimi ndërmjet viteve 1920- 1950?
  • Cilat ishin shkaqet kryesore për ndërhyrjen e Stalinit?

Pas Perejstrojkës, linguistët modernë rusë nuk janë marrë me këtë problem, që më së shpeshti shfrenon diskutimet në Perëndim, sepse në Rusi opinionet linguistike të Marr-it dhe Stalinit trajtohen barabar.

Në Bashkimin Sovjetik Marr-i zhvilloi hulumtimet e veta pa pengesa dhe nuk duket që teoria e tij u formua sipas diktatit ideologjik. Ai qe besnik ndaj sundimtarëve sovjetikë, por qendronte larg tyre. Teoritë e tij të mbushura me bollëk me citate nga klasikët e markizëm-leninizmit, të përpunuara  në qetësinë e kabineteve, kishin një stil kaq të fortë “fjale të re” sa ato nuk ishin të kritikueshme në fillim në kushtet sovjetike. Për shembull:

Krahasimi ka një origjinë sociale. Shkallët janë supërstrukturë e sistemit klasor, dhe fjala, që shërben tani për të formuar shkallët më të larta- krahasimin relativ dhe absolut- në fillim shprehnin jo këtë apo atë shkallë të nocionit në cilësor, por përkatësinë në grupin shoqëror të epërm- shtresë apo klasë- që sundonte pa ndonjë tregues, prapashtesë apo parashtesë më shumë; emri i tij, totema qenë konsideruar në mënyrë sociale si një shkallë më e lartë, dhe prapashtesa, fjala me të njëjtin funksion për të krijuar shkallët, do të thoshte përkatësinë në shtresën sunduese konforme” [cituar sipas Czikobawa 1954: 39]

Marr-i nuk qe ndonjë supermashtrues sikurse Trofim Denisoviç Lisenko (1898- 1976), por në kohën parasovjetike ai u bë një arkeolog, etnograf dhe ekspert i respektuar për gjuhët kaukaziane, atë e zgjodhën anëtar të Akademisë së Shkencave në Petersburg në vitin 1912. Gjatë kohës sovjetike, ai u ngjit në shkallët e karierës shkencore, me parapëlqim falë aftësisë së tij për punë, se sa ndihmës së Partisë Komuniste. Pra, në këto kushte “paradigma” klasore e gjuhës nuk ishte për t’u hedhur poshtë, sepse i tërë realiteti sovjetik ishte klasor.

Kështu do ta sqaroja, përse linguistët e tjerë nuk mund ta rëzonin teorinë e Marr-it, ndonëse ata qenë edhe shkencëtarë të shquar, që sikurse Georgi Danilov (1896-1937) dhe shkolla e tij moskovite, e sulmuan hapur  gjatë viteve marrizmin. Danilovi e mbaroi veprimtarinë e vet, pasi u arrestua në vitin 1937. Nuk dyshohej që te teoritë e Marr-it ai dallonte një farë konformizmi.

Ama është e vështirë të themi kush dhe qysh…- 15 vjet pas vdekjes së Marr-it- i sqaroi Stalinit që novoje uçenie ob jazike e tij është e gabuar. Më 9 maj 1950, në gazetën e ditës Pravda nisën të dalin një varg artikujsh për linguistikën sovjetike, dhe lexuesit habiteshin, sepse ishte sulmuar teoria e Marr-it. Më pas ata u shokuan, sepse me 20 qershor Stalini vetë iu bashkua debatit.

Padyshim, ai duhej të ballafaqohej me dy probleme të rëndësishme të jashtëzakonshme, të cilat nuk mund t’i sqaronte karakteri klasor i rusishtes, sepse  asnjë karakter klasor nuk gjetën aty. Dhe, nga ana tjetër, ishte e domosdoshme të tregohej që rusishtja do behet jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare, përkundër linguistikës, që ka qenë shkencë në diskutim dhe që kërkonte një gjuhë ndihmëse universale dhe u zhvillua në shumë universitete të Bashkimit Sovjetik.

Pra, Stalini u kthye te tezat e Leninit, që në vitin 1914 ai i bëri të njohura në artikullin e vet, që është e nevojshme një gjuhë shtetërore e detyrueshme dhe ai shkruante që:

[…] “gjuha e Turgenievit, Tolstojit, Dobroljubovit, Ҫernishevskit është e fuqishme dhe e madhe. Ne dëshirojmë më shumë se ju, që klasat e shtypura të të gjithë- pa përjashtim- kombeve, që jetojnë në Rusi, të vendosin- në se është e mundur- lidhje më të afërta ndër vete dhe qëtë sundojë uniteti ndërvëllazëror. Kuptohet, ne jemi gjithashtu për faktin që çdo  banor i Rusisë të ketë mundësinë ta mësojë gjuhën ruse. Ne nuk dëshirojmë vetëm atë- që kjo të jetë të detyrueshme. Ne nuk duam që me shkop t’i dëbojmë njerëzit në parajsë. Ndonëse ju do thonit shumë fraza të bukura për “kulturën”, gjuha shtetërore zyrtare është e lidhur me detyrimin dhe me ngulitjen në mëndje me dhunë” [Lenin 1951:122].

Lavdërimi i gjuhës ruse, që nisi në vitet 1930, pati mbështetjen e vet në vitin 1940.  Mbrojtja e rusishtes ishte në kundërshtim me teorinë e Marr-it, sipas të cilës çdo gjuhë e krijon një klasë sociale dhe jo kombi. Marr-i nuk pranonte t’i trajtonte gjuhët si trashëgimi kombëtare. Gjuhët kombëtare ai ishte i mendimit se ishin një kombinim i gjuhëve klasore të ndryshme apo të elementëve që mbeteshin pas tyre. Bashkë me përparimin ekonomik dhe politik, me zhdukjen e dallimeve klasore, të gjitha gjuhët do të përzihen bashkë dhe në shoqërinë botërore, pa klasa, ato do ja lenë vendin një gjuhe të re universale. Mund të ndodhë, që të fitojë ndonjëra nga gjuhët kombëtare, por Marr-i nuk thosh se do të jetë rusishtja. Mbase kjo ka qenë shkak për ta sulmuar teorinë e tij?

Sikurse shkruan në vitet e pasluftës, të gjitha kombet e Bashkimit Sovjetik kanë- falë autoriteteve sovjetike- gjuhët e veta të normuara, në të cilat shkruhen veprat letrare- socialiste sipas përmbajtjes dhe kombëtare sipas formës, dhe për komunikimin e ndërsjellë ata “mësojnë me dashuri gjuhën e madhe, vëllazërore të kombit rus, ndonëse ajo s’është gjuhë shtetërore, zyrtare për tërë Bashkimin Sovjetik” [cituar sipas: Czikobawa 1954: 102].

Pas sqarimit të Stalinit, përse rusishtja të jetë “më e barabartë” ndër të gjitha gjuhët e barabarta të kombëve të Bashkimit Sovjetik, mbeti një problem më i rëndësishëm. Sepse nuk mund të mirrej parasysh politika gjuhësore dhe fitorja e proletariatit botëror, pa kërkuar një gjuhë të përbashkët për njerëzimin.  Aq më tepër  që duke bërë ekzegezën e çdo mendimi të Marksit, Engelsit dhe Leninit për gjuhën, u gjenden edhe disa opinione, si ay që jo spontaneisht, por me anë të ndërhyrjes  se personave të shquar do qeveriset kaosi gjuhësor në botë, “që në kohën e duhur individët do ta kontrollojnë plotësisht edhe këtë krijesë të fisit njerëzor,  gjë që është në të vërtetë e vetëkuptueshme” [Marks, Engels 1987:13].

Një grup linguistësh nga më të shquarit rusë dhe sovjetikë, ndër ta vlen të përmënden më të rëndësishmit si Jan Baudouin de Courtenay, Ernest Drezen (1892-1937), Aleksej N. Leontiev (1903-1979), Ljev P. Jakubinski (1892-1945), Piotr S.Kuznecowy (1899-1968), Adam R. Iodko (1892- 1037), Roman Jakobson (1896-1982), Nikolaj F.Jakovlev (1892-1968), Jan V. Loja (1896-1969) dhe Eugeno D. Polivanov (1891-1938), i paraqitën opinionet e veta për gjuhën e ardhëshme. Nuk ka rëndësi se në çfarë përfundimi ata erdhën, por ka rëndësi që ata “u helmuan” me bacilin e interlinguistikës dhe në thelb ajo nuk mund të përdallonte rusishten si gjuhë ndërkombëtare.

Përse gjuhë ndërkombëtare mund të jetë frëngjishtja apo anglishtja, por jo rusishtja, aq më tepër që kombi rus ishte avangard në revolucionin rus? Me 2 maj 1950, në gazetën Pravda, Stalini e sqaroi ndryshimin e opinioneve për gjuhën, për një kohë të re, “tjetër”. Gjuha ruse- sipas Stalinit- ia doli në shumë beteja, duke shërbyer në të kaluarën për kombet e Bashkimit Sovjetik si një mjet lidhës, dhe ajo do zhvillohet më tej së jashtëmi në një marshim triumfal. Si një gjuhë e fuqishme në këtë pjesë të botës ajo do ndikojë në parim mbi gjuhën e ardhëshme në vendet e demokracive popullore. Rusishtja ka qenë quajtur “gjuhë ndërkombëtare e paqes dhe e socializmit” dhe linguistët sovjetikë me favor të madh dhe të përndezur polemizonin kundër gjuhës së imperialistëve amerikanë dhe anglezë. Linguisti kartvelian, Arnold  Ҫikobava,duke mbështetur Stalinin në faqet e Pravdës, i kritikoi teoritë interlinguistike.

Lëvizja esperantiste në Bashkimin Sovjetik u përndoq, ndonëse në vitin 1938 i vranë ata esperantistë dhe linguistë (ndër të tjerët Iodkon, Danilovin dhe Drezenin) që hapur luftonin për Esperanton si gjuhë ndërkombëtare.

Verdikti stalinian i hoqi mbeturinat e entuziazmit revolucionar të kohës pionjere të jazikovie stroitelstvo  nga veprimtaria gjer sot e pakrahasueshme në shkallë botërore me një ndërmarrje tjetër të planifikimit dhe politikës gjuhësore në betejën kundër analfabetizmit. Linguistika u bë dega e vetme e jetës shkencore në Bashkimin Sovjetik, që pas ndërhyrjes së Stalinit në veprën Marksizmi dhe problemet e linguistikës  (1950), mundi sërish të ndjekë udhët e linguistikës së përgjithshme sipas mënyrës evropiane-perëndimore. Ama ajo verbërisht i thurri lavde gjuhës ruse dhe e përshpejtoi rusifikimin e tërë Bashkimit Sovjetik.

 

6.7 Gjuha kombëtare për turqit si rezultat i politikës së skajshme autoritare: Dil Devrimi

Perandoria otomane, që po binte, nuk i imponoi asnjë kombi gjuhën e vet. Është e vërtetë që ajo s’kishte ambicie të tilla, që ishte rrjedhojë e sistemit të Kalifatit. Feja e turqëve ishte Islami, që i dha arabishtes rolin kryesor në Perandorinë Otomane, dhe alfabetin arab (më saktë arabo-persian) turqit e pranuan që në shekullin 10.

Në fillim të shekullit 20, perandoria ra si një shtëpi prej letre dhe në Turqi ndodhën ndryshime revolucionare, ajo e braktisi botën arabe dhe persiane dhe si model për shtetin kombëtar që po ndërtohej mori mori kryesisht nga Franca (sistemin politik dhe politikën gjuhësore), nga Gjermania (mësimin profesional, teknikën) dhe nga Zvicra (ligjet civile).

Rënia e Perandorisë Otomane dhe ndryshimet e mëpastajme në Turqi kishin një domethënie të rëndësishme edhe për kombet, që më parë qenë nën sundimin turk.. Për shkak të vështirësive për t’i bashkuar turqit si komb, u gjet një dhi fajtore- armenët. Në vitet 1915-1916 u masakruan rreth 1.5 milionë burra, gra dhë fëmijë armenë. Kështu u zgjidh problemi armen në Turqi. Nga ana tjetër, fiksimi për një komb të pastër në Turqi vijoi më tej madje gjer sot.. Pas armenëve viktima të pastrimit etnik u bënë kurdët, por për ta nuk mund të themi se u krye genocid, sepse turqve u dukej se mund t’i turqizonin me sukses dhe si mjet bashkimi do shërbente baza e tyre qytetëruese myslimane.

Gjatë disa dhjetë e më shumë viteve Turqit e Rinj dhe pasuesit e tyre e okcidentalizuan në mënyrë revolucionare Turqinë, i sekularizuan shkollat, futën ligjet sipas traditës romake, i emancipuan gratë. Nuk mbeti asgjë si dikur. Ishte i detyrueshëm ndryshimi i veshjes dhe i mbajtjes së flokëve. Neni 2 i Kushtetutës, të shpallur më 1924 e përcaktonte Turqinë shtet “republikan, kombëtar, popullor, direktiv, jofetar dhe revolucionar”. Qyterari turk ishte banor i Turqisë, pavarësisht nga prejardhja shoqërore dhe etnike dhe nga feja, gjë që shpërtheu kryengritjet e kurdëve në vitet 1925, 1928, 1930, 1936, çdo herë të thyera egërsisht.

Një nga ndryshimet themelore të sistemit për të cilin ngulmoi Partia Popullore e prijsit Mustafa Qemal (1881-1938) ka qenë Dil Devrimi – revolucioni gjuhësor. Për këtë qëllim u formua në vitin 1932 Shoqata e Studimeve për Gjuhën Turke (Türk Dili Tetlik Comiyeti),  që vërtetoi që turqishtja ishte më e vjetra në botë dhe kishte nxjerrë të gjitha gjuhët e tjera. Përveç hulumtimeve teorike, Shoqata e ndryshoi alfabetin nga arabo-pers – në latin dhe bëri rishikimin e fjalorit- ŏz  türkçe– e përpunoi gjuhën e pastër turke (të panjollë).

Brezi i ri i turqëve, që u rrit para Luftës së Dytë Botërore, nuk mund ta lexonte më gjuhën e gjyshërve të vet, as të lexonte veprat e letërsisë turke, të botuara para vitit 1930.

Revolucioni gjuhësor në Turqi ka ndodhur me ndihmën e metodave të skajshme autoritare dhe me miratimin e heshtur të shoqërisë. Këto ngjarje i favorizoi situata politike (domosdoshmëria për krijimin e  vetvetes kombëtare turke, përkundër një uniteti “asgjë” (otoman) dhe relativ dialektal të gjuhës turke.  Reformat u kundërshtuan nga integralistët myslimanë, që nuk gjetën mbështetje  në popullin e thjeshtë dhe  disa rrethe intelektualësh me të cilat populli nuk kishte lidhje. Revolucioni i prishi të gjitha lidhjet me bazën otomane dhe islamike dhe kënaqi nevojën për laicitet, duke e ndarë shtetin nga “barijtë” myslimanë. Në kuptimin kombëtar ay hoqi nga turqishtja të gjitha fjalët arabe dhe perse, edhe alfabetin arabo-persian, të huaj për fonetikën turke. Në mënyrë kunderfetare ay e ndau gjuhën ” e shenjtë” nga ajo e “përgjithshme” dhe përshtati në mënyrë bashkëkohore shkrimin ndaj fonetikës. Politikisht ay e afroi Turqinë me Perëndimin dhe nga pikamja arsimore lejoi alfabetizimin e shpejtë të shoqërisë. Në kuptimin popullor kombëtar ay e bashkoi Turqinë kombëtarisht, politikisht dhe kulturalisht.

Kemal Ataturk

Kemal Ataturk

Deri para pak kohësh, politika gjuhësore ligjvënëse e Turqisë ka qenë më e rrepta në botë. Për shembull Ligji 29-23 i 19 tetorit 1983: “Ndalohet të përdoren si gjuhë amtare gjuhët e tjera përveç turqishtes dhe të ndërmerret ndonjë veprimtari për  t’i zhvilluar këto gjuhë” [Berton 1995: 52].

Ndryshime të ngadalta në këtë politikë ligjvënëse kanë ndodhur lidhur me shpresën e Turqisë për t’u anëtarësuar në BE. Në nenin  10 *1 të Kushtetutës  të rishikuar në vitin 2001, lexojmë: “Të gjithë janë të barabartaë para ligjit, pavarësisht gjuhës, racës, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, opinioneve të shprehura politike apo filozofike, fesë së praktikuar apo dallimeve të tjera të kategorisë së ngjashme”.

Në fakt, asnjëra nga gjuhët minoritare nuk ka mundur dhe nuk mundet të trajtohet me të drejta të barabarta në Turqi. Deri para pak kohësh, kur persona nga një minoritet çfarëdo etnik (të cilët përkundër fakteve, Turqia nuk i njeh) ka folur në një vend publik një gjuhë tjetër nga turqishtja, ata mund të arrestoheshin dhe të burgoseshin, edhe pse zyrtarisht qeveria turke nuk i ka konfirmuar këto praktika.

Dil Devrimi “[….] ka karakterizuar tërë regjimin politik turk, të krahasueshëm vetëm me një ndërmarrje të madhe për të pastruar gjithçka që nga fillimi, në kuptimin për të cilin sot thonë pastrim etnik” [Bazin 1983: 177].

 

6.8 Dy gjuhë kombëtare norvegjeze: bokmål dhe nynorsk–  si rrjedhojë e zgjidhjes gjuhësore demokratike

Në fillim të shekullit 19 norvegjezët u pavarësuan pas sundimit danez (1523- 1814) dhe bënë një bashkim me Suedinë gjer më 1905, kur me referendum vendosën për mëvetësi.  Që nga mesi i shekullit 18 gjer në pavarësim, vijoi zgjimi kombëtar dhe norvegjezët konstatuan që shpesh ata nuk mund të merren vesh ndër vedi. Banorët e qytetit përdornin në jetën kulturore (teatër, letërsi, gazetari) danishten, në shkolla dhe kisha ata flisnin danisht me theksim të fortë norvegjez. Në shtëpitë borgjeze danishtja me theksim të fortë norvegjez përzihej me dialektët e norvegjishtes. Fshatarët flisnin vetëm dialektet norvegjeze.

Në një situatë të tillë jo shteti, por dy intelektualë- Ivar Aassen (1813-1896) dhe Knud Knusen (1812- 1895)- u propozuan norvegjezëve gjuhën kombëtare, vetëm që veçmas ata zgjodhën një bazë ideore tjetër. Dhe për rreth tyre u formuan dy shkolla patriotike, shpesh me një kontekst të qëndrueshëm politiko-ideologjik në sfond. Knudsen ishte për një gjuhë “qytetëse” të reformuar (byfolkets talesprog), që bazohet në leksikun danez, me theksim norvegjez, dhe Aassen ishte për gjuhën e popullit norvegjez apo “fshatarake” (landsmål). Më pas emrat e gjuhëve do të ndryshojnë shumë herë.

Ivar Aassen

Ivar Aassen

Në vitin 1885 Norvegjia i zyrtarizoi të dyja gjuhët- landsmål-in e shkollës së Aassen-it (gjuha e kombit) dhe riksmål-in e shkollës së Knudsen-t (gjuha e mbretërisë). Në se në fillim të shekullit 20 norvegjezët ende shpresonin që këto dy gjuhë do shkriheshin, gjuhëtarët, të pyetur nga qeveria, qenë skeptikë për këtë mundësi.

Në vitin 1907, qeveria mori nismën për një strategji të veten, për të përpunuar një gjuhë kombëtare. U themeluan komisione parlamentare, institute, qendra hulumtimi dhe parlamenti norvegjez votoi për zgjidhjet e problemit gjuhësoe në vitet 1907, 1913, 1916, 1923, 1934, 1936, 1938, 1941, 1945, 1959, 1981 [Calvet 1996: 85] dhe çdo herë rezultati nuk varej nga propozimet thelbësore gjuhësore, por nga partitë, që kishin shumicën në parlament. Në vitin 1929 i ndryshuan emrat e gjuhëve dhe landsmål u bë nynorsk (norvegjishtja e re) dhe riksmål- bokmål (gjuha e librave).

Reforma e drejtshkrimit u bë në vitin 1938 sipas nismës se partisë së fortë komuniste. Por tre vite më pas, të djathtët (që sunduan gjatë pushtimit gjerman) propozuan një drejtshkrim tjetër, duke i kallëzuar komunistët, se donin të vendosnin diktaturën proletare në fushën e gjuhës. Menjëherë pas lufte, në vitin 1945 nuk u pranuan të gjitha ndryshimet me ligj që nga viti 1941.

Mund të thuhet që pasuesit e bokmål-it tradicionalisht mbështesnin që në fillim opinionet politike të të djathtëve dhe pasuesit e nynorsk-ut ishte majtistë.

Pas luftës situata gjuhësore e Norvegjisë nuk ndryshoi dhe qeveria nisi një politikë tjetër, për t’i shkrirë të dy gjuhët. Në vitin 1946, 80 % e norvegjezëve ishin për “bashkimin” e të dyja gjuhëve dhe 75 % kishin mendimin, që kjo duhet të bëhet mbi bazën e bokmål-it. Por në vitin 1959 parlamentarët nuk mundën të bien në ujdi, sepse kundër reformës ishin pasuesit e nynorsk-ut dhe bokmål-it. Kështu doli kompromisi i mëtutjeshëm i qeverisë, i konfirmuar me ligj, që konsiston në atë që gjuha norvegjeze në pjesën më të madhe do ketë një korpus të detyrueshëm, por gjithashtu një alternativ, që qytetari ka zgjedhje gjuhësore të lirë dhe optimale (për fëmijët e vet në shkolla), por kjo e drejtë ishte e vdekur.

Komiteti Gjuhësor i themeluar rishtazi paraqiti në vitin 1966 raportin e vet, ku konstatonte që kërkimi i gjuhës së përbashkët norvegjeze është ndërprerë, ishte e mendimit që Mbretëria duhet të njohë trashëgiminë kulturore historike të të dyja gjuhëve kombëtare. Që nga ky vit, qeveria hoqi dorë nga çdo politikë gjuhësore. Numri i folësve të nynorsk-ut, ra nga 32 % menjëherë pas lufte në 17% sot, u ngrit rangu i bokmål-it, që lidhet me industrializimin e vendit dhe emigrimin e fshatarëve në qytete.

Vlerësohet që bokmål-i është gjuha amtare për 81 % të popullsisë dhe nynorsk-u për 18 %. Kjo nuk do të thotë që nynorsk-u do ta humbë pozitën e vet minoritare. Por gjatë njëzetë viteve nuk ka ndryshuar shumë gjë. Dhe pothuaj të njëjtat përpjestime kanë mbetur në mjetet masive të komunikimit. Eshtë për t’u vënë re që gjeografikisht nynorsk-u zë një pjesë më të madhe të mbretërisë se sa bokmål-i. Norvegjezët (sikurse edhe finlandezët) kanë të drejtë të shpallin një gjuhë zyrtare vendase. Në 162 “rrethe” ata kanë zyrtarizuar bokmål-in, në 116 – nynorsk-un, dhe në 156- ata nuk kanë zgjedhur asnjërën.

Norvegjezët asnjëherë nuk i kanë përdorur njëkohësisht të dyja gjuhët (njësoj sikurse kanadezët- anglishten dhe frëngjishten), shpesh ata flasin vetëm njërin nga dialektet. Ndërkuptimësia midis nynorsk-t dhe bokmaål-t është pothuaj absolute, dhe për situatën gjuhësore në Norvegji, ku Mbretëria ka shpallur dy gjuhë zyrtare dhe kombëtare, ka vendosur tradita politike e shtetit me zakonet afatgjatë parlamentare dhe demokratike.

***

Si përfundim mund të themi që gjuha vetë nuk ka asnjë ndikim me popullaritetin e saj, funksionin, përdorshmërinë apo përhapjen.. Pas çdo gjuhe duhet të qendrojnë folësit e saj dhe pas këtyre- organizimi i shoqërisë së tyre dhe -e thënë më thjesht sipas përkufizimeve të sotëm- shteti dhe politika e tij, gjithashtu kulturore dhe gjuhësore.

I shkruaj këto fjalë, për të vënë në dukje absurditetin e përsëritur madje nga shumë intelektualë, që pse Esperanto nuk u përhap si gjuhë ndërkombëtare. Që të ndodhë kjo ajo duhet të përdorë vetëdijen e shoqërive, por lidhjet gjuhësore ndërkombëtare janë të padrejta, dhe është e domosdoshme ta kundërshtojmë këtë padrejtësi.

Me keqardhje, shoqëritë ende nuk kanë arritur këtë shkallë të zhvillimit të vet dhe me parapëlqim sikurse të shumë kombe, të cilët asnjëherë nuk kanë qenë fuqi koloniale, në vend që të hulumtojnë këtë problem, janë bashkuar në një masë të madhe shoqërish plot komplekse, që e shohin përparimin qytetërues në lëshimin pakritika të anglishtes, duke e ndihmuar dhe mbështetur atë me mjetet financiare të veta, që duhej të ishin të destinuara për kulturën e vet kombëtare.

Do ta trajtoj këtë problematikë në një kapitull tjetër.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress