Home » Kulturë » “VASHA E VALËVE” TË RRËMBYERA, QË DOLI ME GUXIM NË BREG…

“VASHA E VALËVE” TË RRËMBYERA, QË DOLI ME GUXIM NË BREG…

( Për një botim të poetes Zyrafete Kryeziu-Manaj)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

M.Gecaj

1.

Tani, kur po nisi t’i shkruaj këto pak radhë për krijimtarinë e poetes Zyrafate Kryeziu-Manaj, po përpiqem të sjell në kujtesë takimin me të, gjatë vizitës së një grupi nga Tirana, në Boras të Suedisë, në muajin prill të këtij viti. Bashkë me kolegët krijues, Viron Kona, Kozeta Hoxha e Kadrije Gurmani, ishim ftuar atje në festimet e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore “Migjeni” e revistës “Duturia” dhe 4-vjetorit të radios, po me të njëjtin emër. Kishin ardhur edhe  mjaft të ftuar tjerë, shqiptarë e suedezë, nga qytete të ndryshme të atij vendi skandinav. Kërshëria jonë ishte e madhe, për të parë e takuar sa më shumë miq, që i kishim takuar më parë ose me të cilët kishim kontaktuar përmes Internetit.

E kam shkruar edhe në një rast tjetër, se të gjithë e prisnin me interes mbërritjen në sallën e bibliotekës së Borasit, ku do të bëhej tubimi festiv, të albanologut e mik të shqiptarëve, Ulmar Kvik. Sigurisht, secili nga ne dëshironte ta takonte ate dhe të kishte një fotografi, bashkë me të. Në këtë rast, unë kisha një shqetësim të dyfishtë: vetë doja të bëja fotografi me Prof. Kvik, por dhe synoja të kisha poza të tij, bashkë me pjesëmarrësit aty.

Pra, pas disa kohësh, tani më vijnë në ndihmë pikërisht ato fotografi. Ja, përveç të tjerave, në njërën prej tyre, bashkë me këtë albanolog, është edhe poetja e veprimtarja e palodhur, arsimtarja  Zyrafete Kryeziu-Manaj, me banim në Vetlandë të Suedisë. Ndërsa më tej, e kam të fiksuar atë edhe në foto tjera të përbashkëta, ku janë: Sadulla Zendeli-Daja, shkrimtari Viron Kona, botuesi Rizah Sheqiri, gazetarja e Radio-Tiranës Kozeta Hoxha e Kadrije Gurmani, Sanije Selmani, Bahtir Latifi  dhe të tjerë.

Një ndër kënaqësitë e asaj dite të paharruar, ishte se u përuruan disa libra, pra fare mirë ajo veprimtari kulturore mund të quhej edhe “festa e librit”. Ndër librat e përuruar aty, ishte edhe ai me poezi, “Vasha e valëve”, me autore pikërisht Zyrafeten. Para se të ndalem pak në poezitë e këtij vëllimi, dëshiroj të tregoj shkurt për jetën e autores së tij.

2.

Ka lindur në vitin 1958, në Therandë (Suharekë) të Kosovës. Aty i kreu me nota të mira, shkollën fllore e të mesme. Më tej, i ndoqi studimet e larta, në Prishtinë. Shërbeu me përkushtim në shkollën e vendlindjes dhe në ato të Gllarevës (Klinë) e Gadimes (Lipjan). Por ishte periudha e pushtimit të egër serb dhe vëzhgohej me kujdes çdo ndjenjë atdhetare e rinisë shqiptare,  për liri e pavarës. Njëra nga vajzat trime, ishte edhe Zyrafetja dhe prandaj regjimi i huaj e ndoqi hap pas hapi, deri sa, më 1982, e arrestoi, kur ishte në orën e mësimit me nxënësit dhe e burgosi këtë përhapëse sypatrembur të fjalës shqipe.

Përveç qendrimit trimëror pas hekurave, atje vazhdoi ta shprehte dufin e urrejtjes kundër regjimit serb, në poezitë që shkroi. Sigurisht, ato arriti t’i botojë ato vetëm më pas, në revistën “Kosovarja”.  Ndërsa përmbledhja e parë e saj me poezi ishte, me titullin kuptimplotë, “Loti i tronditur”(Tiranë, 2001). Është e kuptueshme se përmbajtja kryesore e poezive  të saj ishte atdhedashuria, trishtimi për vuajtjet e popullit kosovar nën regjimin serb, por edhe qendresa e vendosur ndaj tij.

3.

Duke  i shfletuar afër 80 poezitë e vëllimit të ri, “ Vasha e valëve”(Prizren, 2010), me autore Zyrafeten dhe me hyrjen nga prof.  Hidajete O.Bytyçin, vërejmë se,  tanimë, kur Kosova e ka fituar lirinë e pavarësinë, malli larg saj është shumë i madh. Por janë të pranishme edhe brengat, të cilat e shqetësojnë dhe ia brejnë shpirtin. Kryesorja për poeten është varfëria e tejskajshme e njerëzve, gjë që e shprehë me revoltë, që në poezinë e parë, “Apoteoza e misrit, në shekullin XXI”: “Sërish duar të shtrira/ në kohë Interneti!” Revoltën e heshtur, por dëshpëruese, ndaj të vërtetës së hidhur, e shprehë edhe te poezia “Po të jemi ndryshe”: “Ec e lëkundi rrënjët botës,/ pa një grusht të fuqishëm!” (Kujtojmë këtu vargjet e Migjenit). Ja, çfarë shkruan në një poezi tjetër: “Njëmijë copë loti m’u thye,/ m’u shpërnda në shumë anë/ dhe çdo grimë e pjesëve të tij,/ në një dhimbje, përfundon”.

Nga poezitë e fryëzuara të këtij vëllimi, mbushur me dhimbje e krenari atdhetare, po përmendi edhe “Lisit shekullor”, që simbolizon  Kosovën: “Ti shtërngatë/ përcolle në kohëra,/ fortunë/ nëpër histori/ rrënjët lëshove,/ kurorëgjërë u bëre ti”. Te poezia kushtuar vendlindjes, “Therandë”, shkruan dhe e ngre zërin deri në kupë të qiellit, për të shkuarën e hidhur, por dhe krenare: “Katrahurat e kohës/ në palcë të goditën,/ por ngjyrën e jetës/ s’ta mundën dot,/ qyteti im!”

Kujtimet e mallin për tokën amtare, poetja i ka përherë në mendje e në zëmër: “Për malin,/ për erën,/ për rrugët,/ për lojën e pulëbardhave” (“Shpalosje”). Duke kërkuar shtigjet për një jetë më të mirë, mërgimtari(-ja): “Urinë e mundi,/ me mallin zjarr,/ sakrificë e jetë,/ të dyja bashkë!” Megjithatë, përbetohet se kurrë nuk do ta harrojë vendin e origjinës, sepese vetëm aty e gjen qetësinë shpirtërore: “Atje pranë teje/ dua të kthehem/ shpirtit prehje t’i gjej”. Ndërsa në një poezi tjetër shpërthen: “Pritnani,/ s’ jemi harrimtarë!”(Poezia “Në prag të nisjes për në Kosovë”).

Zyrafetja dëshiron dhe synon që të ketë të pranishme çdo gjë të bukur e jetësore: “Detit i vodha valët…/ Fushës i grabita puhizën…/ Cucën e luta/ t’ma falë harkun vetullhollë…”. Po çfarë i kujtojnë asaj sytë: “Ata më kujtojnë/ lazdrimin e erës/ dhe lojën e yjeve/ nëpër net”(Poezia “Ndjenja për Atdheun”). Po përsëri, në kujtesë i ka mbetur edhe e shkuara, mbushur plot brenga e lotë: “Atëherë,/ kur ëndrrat/ gatuanim,/ dita ishte/ plot mundime” (Poezia”Ëndrra e fluturimit të lirë”).

Poetja e këtij vëllimi shkruan me dhimbje e krenari edhe për të njohur të saj ose për luftëtarë e heronj, si për Adem Jasharin, për poetin  Besim Zymberi, për dëshmorët R.Mala e N.Berisha, për B.Ndrecën… Një nderim të merituar ka shprehur për albanologun  suedez, Ulmar Kvik: “Me të mirën,/ me njerëzoren tok u rrite,/ prandaj mendja/ zemra jote/ sheh veç dritën”. Por nuk harron të kujtojë me nderim e respekt ata, që e sollën në jetë:”Do ta fal dhe frymën time,/erës së malit shoqe t’i bëhesh…”(Poezia “Për nënën”) dhe “Ti ma fale mundin e jetës,/ dua prapë të të shoh!”(Poezia “Atit tim”). Me ndjenja dashurie e malli shkruan për kujtimin e motrës, që u nda nga jeta aq e re: “Por Ti sot nuk je,/ më le pa ty, më le!” Në linjën e njerëzve të afërm të saj, janë edhe poezitë kushtuar: “Dajës tim”, “Bashkëshortit tim-Xh” e “Lindja e nipit-Florit”. Ndërsa për shoqen e ngushtë të fëmijërisë shprehet: “U ktheva prapë në rrugën plot gurë,/ atë botë, kah ne të dyja kalonim”. Po me këtë tematikë është edhe poezia “Me shoqet, në Atdhe”.

4.

Ashtu siç e mbyll librin e saj Zyrafete Kryeziu-Manaj, me poezinë “Takim mes vitesh”, edhe unë dëshiroj të shprehem këtu, se ishte kënaqësi që shkrova këto pak radhë për jetën e veprimtarinë dhe krijimet e saj të frymëzuara. Janë mbresa të natyrshme, që përjetoi dje në Kosovën e robëruar dhe sot të lirë, e cila synon të renditet përkrah Europës demokratike. Prandaj, e ngazëllyer, ajo shkruan nga një rikthim i përkohshëm atje: “Ekstazë e shpirtit m’u zgjua/ në atë ditë;/ shtërngim duarsh, / emocione për kohën e shkuar;/ tregim në vete, ditë lirie”.

Uroj e besoj që, kjo krijuese e talentuar, do ta paraqesë së shpejti para lexuesve edhe romanin-dorëshkrim, kushtuar figurës së nënave e motrave të saj, që sakrifikuan aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj i shkon aq bukur përshtat shprehja për të: “Gruaja kosovare, ikonë e pathyeshme”.

Tiranë, 17 qershor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch