Home » Lajme, Vendore » VATRA: Nëse problem janë serbët e Veriut të Kosovës, problem janë edhe shqiptarët e Kosovës Lindore

VATRA: Nëse problem janë serbët e Veriut të Kosovës, problem janë edhe shqiptarët e Kosovës Lindore

KOMUNIKATË E SHSHKL “VATRA”-GJILAN

 

Nëse problem janë serbët e Veriut të Kosovë, problem janë edhe shqiptarët e Kosovës Lindore

 

Shpresa e madhe, e shqiptarëve të Kosoveës Lindore për një zgjidhje të drejtë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sikur është zbehur, pasi një pjesë e territorit të saj (Veriu i Kosovës) ende nuk ka sovranitet të plotë dhe kjo ka mbetur që të zgjidhet me  dialog dhe kështu është duke u vepruar. Kjo ka bërë që edhe çështja e pazgjidhur e Kosovës Lindore të mbetet anash e shpesh të harrohet fare nga faktori i Kosovës, Shqipërisë e Ndërkombëtar.

Këto  ditë të nxehta vere si duket do të zgjasin me politikë të nxehtë deri në shtator, tetor apo më vonë, atëherë kur edhe është paralajmëruar   fillimi i dialogut politik në mes Kosovës e Serbisë me mesazhet e dërguara nga  faktori ndërkombëtar, si dhe deklaratat e ndryshme të institucioneve dhe partive të Kosovës.

Nga ajo çka po shkruajnë mediat  dhe deklarimet e ndryshme të faktorit ushtarak të NATO-së në Kosovë dhe qendrave politike ndërkombëtare, vërehet së Veriu i Kosovës është bërë problem. Nëse është kështu, atëherë edhe Kosova Lindore të cilësohet si i tillë nga të gjithë, sepse i tillë është.

Populli shqiptar i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës,  nga bisedimet e deritashme në mes Kosovës e Serbisë ka  përvoja të hidhura, sepse çështja e pazgjidhur e tyre ka mbetur prapa dyerve të Rambujesë, Vjenës e takimeve tjera duke e lënë që ajo popullatë të diskriminohet e nëpërkëmbet nga pushteti serb duke i shkelur kështu të gjitha konventat ndërkombëtare të popujve për të jetuar të lirë.

“Vatra” duke pasur parasysh këto  dhe frikën së përsëri Kosova Lindore do të mbetet jashtë agjendës, kërkon nga Institucionet e Kosovës dhe nga faktori Ndërkombëtar që në bisedimet eventuale  Kosovë-Serbi, çështja e pazgjidhur e Kosovës Lindore të jetë domosdoshmërisht pjesë e ktyre bisedimeve, duke marrë pjesë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Çdo alternativë tjetër, stimulon fillim të problemeve të rajonit, sepse, në një anë duke i favorizuar serbët e Kosovës  e në anën tjetër duke mbajtur të pushtuar dhe duke i diskriminuar shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës i ofendon e frustron, prandaj ai (populli shqiptar) edhe në të ardhmen, si gjithë herë do të kërkojë më ngulm, që  e drejta  e popujve për vetëvendosje të realizohet edhe te populli shqiptar i këtij rajoni. Moszgjidhja e të drejtave të popujve në këto hapësira në mënyrë të njëjtë, e në këtë rast e shqiptarëve të Kosovës Lindore pëgjegjës do të jenë ata që vendosin në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar.

Edhe ashtu populli shqiptar i Kosovës Lindore është përcaktuar për bashkangjitje me trungun e vet- Kosovën në Referendumin e 1 e 2 Marsit 1992, Luftën e UÇPMB-së dhe Deklaratën Politike të Këshilltarëve të tri komunave.

Në kuadër të kësaj edhe liderët e Kosovës Lindore, jo vetëm që duhet të jenë të bashkuar rreth kësaj çështje, por duhet të jenë tepër këmbëngulës edhe me sakrificë të çfarëdollojshme që të ngrisin zërin  e të kërkojnë në vazhdimësi që Kosova Lindore të jetë pjesë e bisedimeve dhe e zgjidhjes së çështjes së pazgjidhur të popullit shqiptar të këtij rajoni. Ata, jo vetëm që i kanë marrë votat, nga më të shumtat deri më tani, por e kanë edhe obligim atdhetar (ashtu siç po deklarohen për çdo ditë) që të jenë në vendin e duhur në këto momente historike, përndryshe nesër do të jetë vonë, e do të jenë edhe përgjegjës kur zgjidhja shqiptare në përgjithësi do të marrë fund.

GJILAN, 6. 8. 2012

Sejdulla Kadriu, kryetar

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch