Home » Lajme, Vendore » “Vatra” Takohet me Lëvizjen për Bashkim

“Vatra” Takohet me Lëvizjen për Bashkim

Nga lëvizja Bashkim ishin Avni Klinaku, kryetar, Raif Qela, nënkryetar, Agim Kuleta, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe Dren Shahini, anëtar i kryesisë. Ndërsa delegacioni i Shoqatës “Vatra” përbëhej nga Sejdulla Kadriu, kryetar, Gani Shaqiri, anëtar i kryesisë, Ismet Tafili, anëtar i kryesisë dhe Pajtim Saiti, anëtar i kryesisë së rinisë i Shoqatës “Vatra”.
Tema të këtij takimi ishin bisedimet politike Kosovë-Serbi dhe çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore në këtë kuadër. Gjithashtu u diskutua edhe çështja e trajtimit jokorrekt nga ana e institucioneve të Kosovës të statusit të të zhvendosurve nga Kosova Lindore brenda kufijve të Republikës së Kosovës.
    Kërkesat e përfaqësuesve të Shoqatës “Vatra” konsistuan në angazhimin e kapaciteteve të Lëvizjes për Bashkim për të ushtruar ndikimin e saj në përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Kosovës Lindore në bisedimet eventuale midis Kosovës dhe Serbisë, në krijimin e një zyre pranë kryeministrit për çështjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe ndryshimin e qasjes së institucioneve të Kosovës ndaj statusit të të zhvendosurve nga kjo pjesë në Kosovë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes për Bashkim, kërkesat e Shoqatës “Vatra” i konsideruan plotësisht të drejta dhe të ligjshme dhe i siguruan ata për mbështetjen e pakursyer në këto çështje.
Në fund të takimit, duke konstatuar se situata është shumë e ndjeshme dhe kërkon veprime urgjente e të fuqishme, palët u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit në drejtim të ushtrimit të presionit në institucionet e vendit që në agjendën e bisedimeve të përfshihet edhe çështja e Kosovës Lindore. Në funksion të kësaj, do të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat legalë, duke përfshirë edhe protestat.

Shoqata”Vatra”   Gjilan 25.9.2012-Zyra për Informim

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch