Home » Lajme, Vendore » ,,Vatra’’e përkrahur nga ish luftëtarët e komandantët e UÇPMB-së, bisedimet në mes përfaqësueseve të shqiptarëve të Luginës dhe Serbisë i konsideron farsë

,,Vatra’’e përkrahur nga ish luftëtarët e komandantët e UÇPMB-së, bisedimet në mes përfaqësueseve të shqiptarëve të Luginës dhe Serbisë i konsideron farsë

Mediat elektronike  dhe të shkruara, këto ditë kanë lajmëruar se me ndërmjetësimin e OSBE-së, kanë filluar bisedimet në mes Serbisë, përkatësisht në mes një doktori, Zoran Stankoviq si përfaqësues i qeverisë serbe dhe përfaqësueseve politikë shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit “për të zgjidhur problemet e shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët që jetojnë në Serbi”!

Këto bisedime të papritura  dhe të shpejta, janë iniciativë e pushtetit serb në momentin kur, si duket asaj (Serbisë) po i ngutet dhe po i kushtëzohet, se para se të hyjë në BE duhet të zhvillojë dialog me pakicat kombëtare. Dhe për të realizuar këtë kusht ka iniciuar bisedime  të tilla që për ne janë farsë  dhe të ngutshme  si dhe të parapërgatitura që më parë se çka të bisedojë, me kë të bisedojë, çka të qesë në tavolinë për bisedë pa i pyetur shqiptarët për vullnetin e tyre, për të drejtat e tyre legjitime, politike, kombëtare, sociale, lëvizje të lirë etj.

Se është farsë shihet qartë, sepse më pak se dy muaj pushteti serb rrëzoi lapidarin e dëshmorëve të lirisë  të UÇPMB-së, e sot kërkon dialog. Po ashtu  sipas njoftimeve të medieve, nuk është përmendur Referendumi i 1 e 2 Marsit të viti 1992, lufta për liri dhe e drejta për bashkëngjitje me Kosovën, e drejtë legjitime e shqiptarëve të Kosovës Lindore, lufta e fundit çlirimtare në mes UÇPMB-së dhe forcave ushtarake policore serbe etj. etj.

Në këto bisedime të ngutshme  dhe me prapavijë qëllimkëqija për shqiptarët e Kosovës Lindore nuk duhet të bien në grackë liderët  politikë të shqiptarëve të Kosovës Lindore, e të bien vendime e marrëveshje që i bëjnë mirë vetëm Serbisë në këtë moment të vështirë për të.

Nuk duhet të harrojmë se të gjithë pushtetet serbe që i kanë mbajtur të pushtuara këto territore shqiptare deri më tash, në kohë paqeje dhe në kohë lufte, mbi shqiptarët kanë ushtruar dhunë terror gjenocid, vrasje, maltretime, fizike e psikike, i kanë varfëruar, i kanë lënë të papunë, pa shkollim, i kanë dëbuar me forcë e forma tjera nga vatrat e veta, ua kanë grabitur pasuritë nëntokësore e mbitokësore, pasuritë individuale, ua kanë mohuar simbolet kombëtare e të drejtat e lëvizjes së lirë etj. etj. Të gjitha këto i kanë ushtruar duke përdorur ligjet diskriminuese e forcën e ushtrisë, policisë e xhandarmërisë, qe edhe sot, më shumë se asnjëherë janë përqendruar në këtë territor, pra në tokat që janë të banuara me shqiptarë autokton.

Dhe si mundet, pas gjithë kësaj golgote, të bëhet Serbia përnjëherë e mirë e të mos e përdorë edhe kësaj radhe mashtrimin e gënjeshtrën? Të kujtojmë thënien e Dobrica Qosiqit kur ishin në pyetje shqiptarët apo edhe kroatët:  “ serbët duhet të gënjejnë edhe 100 here nëse është nevoja, ngase pas herës së njëqindtë rrena shndërrohet në të vërtet…”.  Këtë maksimë pushtetet serbe do të mundohen ta përdorin edhe sot.

Gjithashtu partneri me të cilin kanë filluar bisedimet, (Zoran Stankoviqi)   dhe ndërmjetësuesi, (OSBE) të qojnë drejtë konkludimit se Serbia këto bisedime i bën sa për  sy e faqe, dhe t’i  mashtrojë edhe njëherë liderët shqiptarë që të nënshkruajnë për ato gjëra që janë të lejuara me kushtetutën serbe dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare si: përdorimi i simboleve kombëtare, liria e shprehjes, qarkullimi i lirë, zhvillimi ekonomik, shkollimi në gjuhën amtare etj. të gjitha këto janë të drejta universale, por aty këtu Serbia i  ka ndaluar këto për t’u paraqitur sot kinse po bisedojë për të zgjidhur probleme të shumta të shqiptarëve. Sot flamuri është duke valuar, p.sh. në Dobrosin, Konçul, Tërnoc , në KNSH etj, fakulteti ekonomik është duke funksionuar në Bujanoc,  një spital mund ta ndërtojë kushdo edhe një biznesmen shqiptar etj.

 

“Vatra’’dhe OVL e UÇPMB-së  nuk u besojmë këtyre bisedimeve, sepse kanë kaluar 14 vite, përkundër bisedimeve e marrëveshjeve që janë bërë me pushtetin serb, asnjëherë ky pushtues nuk i ka zbatuar marrëveshjet, por ato kanë qenë vetëm mashtrime dhe përfitime të kohës e të zgjatjes së pushtetit të tyre mbi këto territore shqiptare.

Prandaj për ne,  këto bisedime të filluara në këtë formë janë të papranueshme, por nëse detyrimisht kërkohet që të bisedohet për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të monitorohen dhe garantues të implementimit të marveshjes të jenë SHBA-të dhe BE.

Prandaj liderët shqiptarë duhet t’i kenë parasysh këto dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të bien pre e shantazheve serbe, e ambicieve kolltukofage e të nënshkruajnë diçka që dëmton popullin shqiptar, sepse përgjegjësia  do të bie mbi ta.

Ne jemi Komb dhe na takon e drejta e kombeve për vetëvendosje. (Akti final i Helsinkit, është instrumenti themelor në Kuadrin e Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE). Parimi VIII i këtij akti thotë: “të gjithë popujt, gjithmonë kanë të drejtën që në liri të plotë dhe në kohën e në mënyrën që ata dëshirojnë, të përcaktojnë statusin e tyre politik të brendshëm dhe të jashtëm”. )

 

Nëse Serbia fiton një bashkësi të  komunave serbe  në Kosovë dhe një lidhje speciale me Serbinë atëherë duhet të lejojë edhe për komunat: Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që të kenë bashkësi të komunave shqiptare dhe lidhje speciale me Kosovën, e  liderët tanë që do të marrin pjesë në këto bisedime duhen ta kërkojnë domosdoshmërisht:

 

–         Largimi i forcave të xhandarmërisë e ushtrisë serbe nga viset e banuara me shqiptarë.

–         Ndalimin e diskriminimit të shqiptarëve në të  gjitha fushat e jetës.

–         Hapja e Universitetit në Bujanoc apo Preshevë në gjuhën shqipe.

–         Lejimi i përdorimit të abetares unike mbarëshqiptare.

–         Mbikëqyrja dhe menaxhimin e financave të tri komunave të banuara me shqiptarë.

–         Udhëheqja e  policisë lokale nga shqiptarët.

–         Udhëheqja e gjyqësorit nga shqiptarët.

–         Zbatimi i konventave ndërkombëtare për shprehje të lirë.

–         Zbatimi i referendumit të shqiptarëve të 1 e 2 Marsit të vitit 1992

–         Njohjen e luftës së UÇPMB-së  dhe dhënien e statusit veteranë të gjithë luftëtarëve që kanë rënë në këtë luftë.

–         Njohjen e statusit dëshmorë të të rënëve në luftën UÇPMB-së.

–         Krijimin e kushteve për kthimin e të gjithë të zhvendosurve në vatrat e tyre.

–         Monitorimin e përkohshëm të tri komunave nga një forcë ndërkombëtare.

 

 

 

 

 

Gjilan, më 27.02.2013                                                   Shoqata ,,Vatra’’

Kryetar Sejdulla Kadriu

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch