Home » Intervistë » VERA ISTREFAJ: UROJ E SHPRESOJ QË TË KETË MË TEPËR VËMENDJE PËR LETËRSINË, ARTIN E KULTURËN!

VERA ISTREFAJ: UROJ E SHPRESOJ QË TË KETË MË TEPËR VËMENDJE PËR LETËRSINË, ARTIN E KULTURËN!

VERA ISTREFAJNga: Prof. Murat Gecaj

 

publicist e studiues-Tiranë

 

1.Nga leximi i një jetëshkrimi për ty, jam njohur me disa fakte…A mund t’i informojmë edhe lexuesit, shkurtimisht?

 

-Po, patjeter… Kam lindur në Kukës dhe këtu kam mbaruar gjimnazin, nė vitin 1994. Jam diplomuar në shkencat humane dhe studimet master i kam kryer në fushën e drejtësisë. Jam e martuar,  nënë e dy djemve, Veronikut 18-vjeçar

dhe Klevisit  14-vjeçar. Jam juriste në profesion dhe punoj në administratën publike, këtu në qytetin e lindjes.

 

2.Krahas punës së përditëshme, je dhe mjaft aktive në veprimtari të ndyshme shoqërore…Cilat janë ato, më kryesoret?

 

-Kam marrë përsipër që të jem avokate, në mbrojtje të të drejtave të

njeriut, kryesisht të grave dhe vajzave, gjë që më sjell mjaft kënaqësi, pa

prjashtuar shqetësimet e njohura. Në këtë kuadër, jam drejtore Ekzekutive e

Qendrës së Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale,  si dhe koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarrje”, për qarkun e Kukëst. Si veprimtare e shoqërisë civile, kam një përvojë 20–vjeçare.

 

Kënaqësi e veçantë për mua ishte ceremonia e vitit 2009, në Tiranë. Aty

u përzgjodha një nga 10 njerëzit më me ndikim në bashkësi, në shkallë kombëtare.

 

3.Qyteti i Kukësit është afër Prizrenit e Gjakovës dhe tërë Kosovës…Çfarë lidhjesh ke me bashkatdhetarët tanë atje, si në fushën e krijimtarisë dhe të veprimtarive shoqërore?

 

-Përherë jam në bashkëpunim me ta, për çeshtje të letërsisë, artit, kulturës e më gjerë. Pika doganore e Morinës nuk na pengon aspak, që të ecim në të njëjtat rrjedha.  Kur më nderuan e më dhanë çmimin e parë, në Akademinë Letrare “Esat Mekuli”, përfundimisht m’u rrënjos mendimi, se jemi “një”.

 

4.I kaluam, si pa dashje, tri pyetje dhe dikush mund të mendojë se e “harruam” krijimtarinë tënde…Por, jo! Pra, kam dijeni se, deri tani, ke

publikuar katër libra me poezi. Cilët janë ata dhe tematika e tyre, sigurisht shkurt?

 

-Që në vegjëli kam botuar vjersha e skica, në revistat dhe gazetat e kohës. Ndërsa në vitet e fundit i kam mbledhur poezitë e mia në 4 libra, përveç një almanaku të botuar më 1991,  ku jam perfaqësuar me 76 poezi dhe një ese.

 

Titujt e vëllimeve poetike janë: “Shiu i fundit”(Prizren 1999), “Nënqeshja e ëmbël” (Prizren, 2001 ), “Në akuj digjem”(Prishtine 2003) dhe “U jepem udhëve”(Prishtine 2005). Tematika kryesore e tyre është “gjerdani” i

problematikave të ditëve të sotme, si dhe ndjesive, mendimeve dhe  emocioneve

femërore.

 

5.Po, libra të tjerë në “sirtar” ose dorëshkrim a ke, cila është përmbajtja kryesore e tyre dhe kur mendon që t’i publikosh?

 

-Se shpejti do të dalë në qarkullim një vëllim lirikash dhe më pas, në

vjeshtë, një tjetër vëllim poetik. Pavarëisht të gjithave, (ndoshta, po e them pa modesti), para lexuesve do të jetë sërish: Vera, e thjeshtë, delikate në dukje, nën peshën e mendimeve dhe emocioneve të forta, nën mantelin e jetës si femër, grua, nënë e veprimtare shoqërore, përballë sfidave të kohës.

 

6.Jemi nga një qark, pra unë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ti nga Kukësi…Çfarë mund të tregosh për krijuesit e kësaj treve, sidomos për koleget e miket shkrimtare, poete e artiste?

 

-Me kënaqësi mund të them se, tashmë, ka çfarë flitet për letërsi e

>arte edhe në  Qarkun tonë, Kukës. E kam fjalën për dukuri të reja stilistike dhe për më tepër mund të flitet për një Letersi edhe me mjaft autore femra, si në poezi e prozë. Duke kërkuar ndjesë, që nuk mund t’i përmendi të gjitha këtu, psh, në rrethin e Tropojës janë të njohura krijueset: Brunilda Zllami, Nafije Salihaj, Enkelejda Tahiri, Pranvera Gjoni, Migena Ramaj, Elona Zhana, Valbona Hykaj, Fatjona Geci, Zyra Ahmetaj etj.; ndërsa në Kukës e Has: Nermin Spahiu, Zaide Noka, Haxhire Haxhiu, Majlinda Palushi,  Sabajeta Peposhi, GanimeteThaçi  etj.

 

7.Besoj, erdhëm në fund të bisedës sonë dhe të falënderoj për përgjigjet tua, të shkurtëra, por domethënëse! Po, a  ke merak të shtosh ndonjë gjë tjetër?

 

-Gjithmonë dua ta nënvizoj, pra dhe me këtë rast, në mbyllje të bisedës

sonë: Uroj e shpresoj që të ketë më tepër vëmendje për letërsinë, artin e

kulturën nga ata, që i paguajmë me taksat tona, edhe në tërë qarkun e Kukësit!

 

Tiranë, 16 qershor 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch