Home » Lajme, Rajonale » Veriu s’e pranon marrëveshjen – kërkon referendum

Veriu s’e pranon marrëveshjen – kërkon referendum

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mitrovicë, 19 prill – Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë porositur se nuk do të pranojnë dhe zbatojnë marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në takimin që kanë mbajtur të premten në Zveçan, ata kanë theksuar se “nuk i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe se janë të vendosur të mbeten në përbërjen e Serbisë”.

E ashtuquajtura kryetare e Kuvendit paralel të veriut të Mitrovicës, Ksenija Bozhoviq, ka theksuar se përfaqësuesit serbë të katër komunave në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovica e veriut, kanë sjellë përfundimet se askush nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje që, sipas tyre, e cenojnë territorin e Serbisë, transmeton REL.

“Populli serb dhe qytetarët e Republikës së Serbisë janë bartësit e vetëm të sovranitetit dhe askush nuk ka të drejtë që në kundërshtim me vullnetin e tyre, të nënshkruajë marrëveshje dhe akte të tjera për vendosjen e pushtetin e shtetit të papranuar, Republikës së Kosovës, në një pjesë të territorit të Serbisë”, ka thënë Bozhoviq.

Ajo, gjithashtu, ka theksuar se përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës kanë ardhur në përfundim se duhet të kërkojnë mbajtjen e një referendumi në Serbi për të parë vullnetin e popullit atje nëse duan të heqin dorë nga Kosova.

“Në referendum, njerëzit do të sqarohen se a janë për ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë apo për t’i pranuar kushtet për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për hyrje në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Bozhoviq.

Kërstimir Pantiq, zëvendës i shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka theksuar se serbët e veriut nuk do të lejojnë që, qoftë nga Qeveria e Beogradit, qoftë nga ajo e Kosovës ose edhe nga bashkësia ndërkombëtare, t’ju imponohet çfarëdo qoftë që nuk është në përputhje me vullnetin e tyre.

Ai e ka porositur me tone kërcënuese kryeministrin serb, Ivica Daçiq, se serbët e veriut nuk do të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjeve të Beogradit me Prishtinën.

“Le ta marrë Daçiqi këtë marrëveshje nga Brukseli dhe le të vjen këtu që ta zbatojë së bashku me Hashim Thaçin”, ka thënë Pantiq.

Ndryshe, marrëveshja mbi të cilën kanë vënë të premten inicialet e tyre të dy kryeministrat, i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, ka shkaktuar reagimin e sërishëm të liderëve serbë në veri.

Millan Ivanoviq nga Këshilli Nacional Serb në veri të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i mbështet vendimet e takimit të 19 prillit të përfaqësuesve të serbëve në Zveçan, të cilët, siç ka thënë ai, kanë treguar orientimin e serbëve të veriut se nuk do të pranojmë zbatimin, siç e ka quajtur ai, të shtetit shqiptar dhe institucioneve të Kosovës veri të vendit, si dhe heqjen e institucioneve të Serbisë.

“Ne nuk kemi marrë pjesë në kurrë farë bisedimesh. Përfaqësuesit tanë nuk kanë qenë atje. Kështu që, shpejt do të mbajmë takimet dhe do të merremi vesh se çfarë do të bëjmë më tutje. Unë pres që me të gjitha mjetet legjitime do t’i kundërvihemi çfarëdo imponimi të institucioneve të Kosovës, të cilat e rrezikojnë mbijetesën tonë këtu. Zbatimi i tyre do të nënkuptonte eksodin tonë, gjegjësisht spastrimin etnik të serbëve nga këto hapësira”, ka thënë Ivanoviq.

Moszbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka paralajmëruar të premten edhe lideri tjetër i serbëve të veriut të Mitrovicës, Radenko Nedeljkoviq:

“Pavarësisht se çfarë do të bëni, ky popull nuk do ta pranojë. Ne nuk i duam institucionet e Kosovës dhe nuk e duam shtetin e Kosovës”.

(KOHA)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch