Home » Lajme, Rajonale » Veriu shpall “Kuvendin Krahinor Autonom Serb”

Veriu shpall “Kuvendin Krahinor Autonom Serb”

Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës kanë shpallur themelimin e “Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”.

Për shkak të rrethanave në të cilat po themelohet, ky “kuvend” do ta ketë karakterin e përkohshëm, është thënë në tubimin e sotëm të mbajtur në Mitrovicë, në shenjë kundërshtimi me marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 19 prill, transmeton rel.

“Kuvendi do t’i ketë aktet e përkohshme dhe do të vlejë deri në nxjerrjen e ligjit të posaçëm për autonominë esenciale të”, siç thuhet, “Krahinës autonome të Kosovës dhe Metohisë”.

Po ashtu, ky “kuvend” do të ketë për detyrë që të mos lejojë zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën e kanë quajtur të turpshme.

—————————–

Në protesta proklamohej krijimi i “Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës”

Mijëra serbë të veriut protestuan rreth 2 orë kundër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në kohën kur po zhvillohej kjo protestë, të gjitha institucionet që veprojnë në këtë pjesë nuk kanë punuar.

Disa nga ta, në kushte anonimiteti thonë se kanë qenë të kërcënuar që të marrin pjesë në protestë, e ndërkaq e ashtuquajtura mbrojtje civile vëzhgonte situatën në të gjitha rrugët e veriut. Në tubim është proklamuar edhe krijimi i një tjetër institucioni paralel, i ashtuquajtur “Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës”.

Megjithatë, liderët politikë në veri kanë qëndrime të ndryshme. Ish-sekretari shtetëror në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, në një intervistë për RTK-në, u deklarua në favor të marrëveshjes, duke thënë se serbët e veriut janë të painformuar për këtë marrëveshje andaj po e kundërshtojnë atë:

“Të gjitha vendimet që merren nga ana e Qeverisë së Serbisë, unë personalisht i përkrah. Andaj nuk është e mirë të polemizojmë me Serbinë për vendime që merr ajo. Serbët këtu janë të painformuar se për çka janë marrë vesh në Bruksel Thaçi e Daçiq. Po ashtu, nuk është e mirë që kjo marrëveshje të interpretohet mbi baza partiake apo interesa politike kjo nuk i konvenon askujt”, theksoi Oliver Ivanoviq, ish-sekretar shtetëror në Qeverinë e Serbisë.

Qëndrim të kundërt sa i përket marrëveshjes së arritur në Bruksel ka zëvendësdrejtori në Qeverinë e Serbisë për Kosovën, Kërstimir Pantiq. Ai thotë se asnjë marrëveshje dhe as kjo e fundit nuk do të lejohet nga serbët që të zbatohet në veri.

“Serbët që jetojnë në katër komunat veriore të Mitrovicës, marrëveshjen e fundit por edhe marrëveshjet e tjera që janë arritur në Bruksel nuk do t`i pranojnë, këtë e dinë institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet legjitime dhe demokratike si dhe bllokimin e rrugëve në veri për të kundërshtuar këtë marrëveshje. Ajo çka janë marrë vesh Kosova dhe Serbia në Bruksel, po na i humb ato çka i kemi arritur për 14 vjet këtu në veriun e Kosovës”, thekson Pantiq.

E ndërkohë, burimet e RTK-së thonë se Policia e Kosovës është kërcënuar nga mbrojtja civile në veri nëse del për t’u kujdesur për protestën. Por, zyrtarisht, në Policinë e Kosovës vetëm konfirmohet mbajtja e protestës.

Që nga arritja e marrëveshjes serbët në veri të shtyrë nga strukturat aktuale paralele të sigurisë kanë shtuar numrin e barrikadave ne rrugët magjistrale. Ndërkaq, tash pritet publikimi i planit për zbatimin e marrëveshjes, që do të siguronte ndër të tjera edhe lirinë e lëvizjes.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch