Home » Opinione » (VETË) DISKREDITIMI I KUSHTETUESES

(VETË) DISKREDITIMI I KUSHTETUESES

Nehat Hyseni-2Shkruan: Nehat Hyseni

Vendimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i datës 23 korrik 2014, ka të bëj me vendosjen e masave të përkohëshme në Kuvendin e Kosovës, lidhur me Mbledhjen konstituive të mbajtur më 17 korrik 2014, me të cilën situata kthehet në gjendjen “zero”.
Me këtë veprim, zgjedhja e Isa Mustafës anulohet. Por, për çudi, jo edhe ajo e nënkryetarëve.
Pastaj, nuk përmendet fare shkelja e Regullores së punës dhe normave të Kushtetutës së Kosovës nga zonja Brovina, e cila nuk e përfilli fare rendin e ditës të përcaktuar nga Kryesia e Kuvendit, por procedii me mbledhjen ashtu si ia mori mendja, duke i dëgjuar “dirigjentët” nga bankat e PDK-së, ku printe shefi i grupit parlamentar Shaip Grabovci, Enver Hoxhaj, i cili ishte ngritur në këmbë dhe me gjestikulacione ia bënte me dije z. Brovina që ta mbyllte seancën e Kuvendit.
Qëllimi ishte që të mos procedohet me pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit, Isa Mustafës, që ishte propozuar nga Koalicioni LDK-AAK-Nisma.
Me këtë rast, zonja Brovina ra aq ulët me arrogancën e saj, duke injoruar deputetët e LDK-së dhe tē AAK-së, Lëvizjes VV dhe Nismës, që e kërkonin fjalën, duke dërdëllitur si e hutuar dhe e humbur fare në lojrat dhe skenaret e prapaskenave politike të PDK-së dhe në obstruksionet e saja të pafund, meqë nuk i kishin numrat në Kuvend për të bërë diçka, sepse kishin vetëm 37 deputetë të fituar në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.
Prandaj, dukej ashiqare se z.Brovina ishte e porositur nga partia e saj PDK që ta bllokoj seancën mbi dy orë e gjysmë, duke u pështjelluar e katandisur kështu në një gjendje të mjerueshme morale, herë e mbullte seancën e herë jipte pauzë, por pa e miratuar askush propozimin e saj.

Ndërkaq, duket e pabesueshme se si ka mundur Gjykata Kushtetuese të mos e përmend fare sjelljen e këtillë të patolerueshme të z. Brovina dhe shkeljen e Kushtetutës, Regullores së punës të Kuvendit të Kosovës, Ligjit dhe etikës e moralit elementar njerëzor e kombëtar të saj, duke e zhagitur në mënyrë të pakuptimtë dhe të pafund mbledhjen Konstituive të Kuvendit të Kosovës?
Vallë, a thua Gjykatës Kushtetuese iu dukën këto veprime të zonjës Brovina si joshkelje e dispozitave kushtetuese, Regullores së punës të Kuvendit të Kosovës,etj.?

Si ka mundur të ndodhë ky gaf i madh i tempullit më të lartë të drejtësisë të këtij vendi të bekuar?

Pastaj, pjesëmarrja e një gjyqtari, z. Kryeziu në aktivitetet elektorale të PDK-së, gjithashtu nuk u shqyrtua kurrë!
Ky gjyqëtar, duhej shkarkuar urgjentisht nga detyra e gjyqtarit dhe duhej vënë para drejtësisë.

Kurse, kjo çështje u heshtë fare nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duke u kompromituar skajshmërisht ky institucion më i lartë i drejtësisë në vend, para qytetarëve të vet.
Si mund të nxjerrë vendime të paanëshme Gjykata Kushtetuese e Kosovës me gjyqëtarët militantë të PDK-së?

A është e mundur të ndaj drejtësi dhe të jetë e paanëshme kjo Gjykatë?
Pra, kredibiliteti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka rënë në pikën më të ulët  të mundëshme dhe vendimet e saja, si dhe performansa e saj e tërësishme e kanë diskredituar atë fare para popullit dhe opinionit ndërkombëtar, meqë dëshmoi se është në shërbim të haptë të politikës ditore, në rastin tonë nën PDK, meqë përbëhet nga gjyqtarë militant të kësaj partie.
E vetmja gjë shpëtuese dhe racionale në këtë moment që do duhej bërë, është shkarkimi i gjyqtarëve të tillë dhe spastrimi i kësaj gjykate nga elementë të tillë, për t’ia kthyer besimin e popullit tek ajo si palë e paanëshme dhe e drejtë.
Përndryshe, druaj se Kosova do të zhytet edhe më thellë në amulli dhe kaos politik, duke rrezikuar kështu rezultatet e arritura deri më tani në ndërtimin e vlerave të mirëfillta dhe demokracisë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress