Home » Lajme » Vetëvendosje: Takim me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës – 10 janar 2012

Vetëvendosje: Takim me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës – 10 janar 2012

Sot, më 10 janar në zyrën e  Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mbajt takimi me përfaqësuesit e subjekteve politike  shqiptare të Luginës së Preshevës.  Të pranishëm në këtë takim ishin: Agim Hasani (PVD), Fatmir Hasani (PVD), Mitat Saqipi (PDSH), Nadër Sadiku (PVD), Plator Rexhepi (PD) dhe Arbër Pajaziti (PD).  Ndërsa nga Lëvizja VETËVENDOSJE! morën pjesë: Albin Kurti, Xhelal Sveçla, Aida Dërguti, Liburn Aliu dhe Nora Fetoshi.

 

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës gjatë këtij takimi ngritën një varg problemesh me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës. Ata treguan se çdo ditë ballafaqohen me forma të ndryshme të presionit, duke filluar nga përndjekjet e burgosjet policore, prania e ushtrisë e deri tek diskriminimi ekonomik e social. Nëse 25% është shkalla e papunësisë në mbarë territorin, në vendet ku jetojnë shqiptarët, kjo shifër arrin mbi 70%.  

 

Problem tjetër me të cilin përballen ata është detyrimi për të paguar 60 euro taksë për të kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë, ndërkaq,  si rezultat i vendimit të Bajram Rexhepit, serbët nga Kosova janë lejuar t’i bartin targat e vjetra të Serbisë, e si rezultat i këtij lejimi ata kalojnë kufirin Kosovë – Serbi pa paguar asnjë detyrim në asnjërën anë të kufirit.

 

Përveç tjerash, u diskutua edhe vendimi i Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë, moszbatimi i këtij vendimi nga ana e Qeverisë së Kosovës që përbën zhbërje të republikës, por edhe mobilizimi qytetar në mbrojtje të vendimit të Kuvendit më 14 janar.

 

Ne i njoftuam përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës, por shfrytëzojmë rastin t’i njoftojmë edhe qytetarët se me datën 14 janar, në pikat kufitare të Merdares dhe Dheu i Bardhë,  ne do ta bllokojmë Serbinë e jo qytetarët shqiptarë që janë të diskriminuar, dhe kundër vullnetit të tyre kanë përfunduar në shtetin e Serbisë. Ne gjithashtu do t’i lejojmë të kalojnë lirshëm edhe prodhuesit shqiptarë që vijnë prej andej.  

 

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch