Home » Lajme, Vendore » Viti i ri shkollor në Kosovën Lindore: ABETARJA PROBLEMATIKE

Viti i ri shkollor në Kosovën Lindore: ABETARJA PROBLEMATIKE

Nga Tërnoci PRESS

Viti i ri shkollor, në rajonin e Kosovës Lindore, po fillon me probleme të vjetra.

Përvec mungesës së teksteve, zvogëlimit të numrit të nxënësve, kushteve kabinetike nëpër shkolla etj, këtë vit, është paraqitur edhe një problem më shumë rreth përdorimit të Abetares, për filloristët e vatrave të arsimit shqip në Kosovën Lindore.

Në komunat: Preshevë dhe Bujanoci, para disa ditësh, në mënyrë publike, janë shpërndarë Abetaret e reja të aprovuar nga dy Qeveritë e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, ndërsa në anën tjetër Këshilli “Nacional” Shqiptar, i cili i referehet Beogradit, insiston në përdorimin e Abetares, që është e ligjshme në shtetin e Serbisë.

Disa nga drejtorët e shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Bujanoc dhe Preshevë, i ka kapur paniku. Ata kanë presione dirkte nga Këshilli “Nacional” Shqiptar, i cili i kërcvnon me largim nga puna, po e pranuan abetaren gjithkombëtare, e cila nuk e ka liçencën nga Ministria e Arsimit të Serbisë

Në hall kanë rënë edhe drejtuesit e pushteteve lokale në Preshevë dhe Bujanoc, të cilët publikisht janë deklaruar se nuk i binden vendimeve të një Këshilli “Nacional” Shqiptar, që për ta është jolegjitim, i njëanshëm dhe jogjithpërfshirës.Poashtu në siklet janë edhe inspektorët arsimorë komunal, të cilët janë mes dy zjarresh, të vendosin sipas urdhërit të pushtetit lokal, apo të Ministrisë së Arsimit.

Nëse ky Këshilli “Nacional” Shqiptar, me ndihmën e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, ndalon Abetaren mbarëkombëtare, në favor të një Abetareje, pa flamur dhe identitet kombëtar, atëherë fillimi i vitit të ri shkollor, do të jetë i nxehtë dhe me ngjyrime politike.

Një provokim të tillë, zor se do ta gëlltisin pushtetet lokale, të cilat po nuk i dolën zot Abetares gjithkombëtare, të cilën vet e shpërndanë nëpër shkolla, do të vijë në shprehje aftësia e tyre pushtetare, kompetencat dhe autoriteti.

Një provokim të tillë, nuk mund ta përballojnë as arsimtarët, nxënësit dhe prindërit e tyre, të cilët e preferojnë Abetaren mbarëkombëtare, e cila do të mësohet nga të gjithë nxënësit shqiptarë, kudo qofshin ata, që nga Preveza e deri në Konispol.

Turpi do të jetë edhe më i madh sikur shkollat shqipe në Kosovën Lindore, të fillojnë me Abetaren mbarëkombëtare, e pas intervenimit të Ministrisë së Arsimit të Serbisë, të tërhiqet ajo, për tu përdorur ajo e vitit të kaluar e predikuar nga Këshilli “Nacional” Shqiptar.

Opinioni është i informuar se Qeveria e Shqipërisë, vitin e kaluar, i ka dërguar si “dhuratë”, Kosovës Lindore, një mijë copë Abetare, të punuara me “standardet” e kërkuara nga qeveria e Serbisë, pra duke hequr flamurin dhe simbolet tjera kombëtare nga brendia e saj.

Këtij projekti i ka prirë një mbështetje nga vetë Ambasada e Shqipërisë nëBeograd. Ambasadori, Shpëtim Çaushi, me një letër drejtuar Ministrisë së Arsimit të Serbisë, kishte përcjellë pëlqimin për ta ndërruar, respektivisht për ta shkombëtarizuar Abetaren, për nxënësit shqiptarë të këtij rajoni.

Spektri politik shqiptar i Kosovës Lindore, me hidhërim e reagime të ashpra e kanë pritur hartimin e një Abetareje të tillë pa Flamur Kombëtar, në të cilën edhe Shkodra është zëvendësuar me Nishin dhe mangësi e deformime të tjera profesionale.

(Nëpër rrugët e Preshevës, janë vendosur posterë me fotografinë e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë të akredituar në Beograd Shpëtim Çaushi, me shkrimin “Shpëtim – Mos ma prek Abetaren”. Posterë janë vendosur tri ditë pasi që ambasadori i Shqipërisë ka dhënë pëlqimin që Abetarja për nxënësit e Luginës së Preshevës të reduktohet, duke larguar simbolet nacionale dhe shtetërore)

Jo më larg se një vit, dy ministritë shqiptare për arsim në Tiranë dhe Prishtinë, u dakorduan ta nxjerrin një Abetare të njësuar mbarëkombëtare për të gjithë nxënësit e viseve etnike shqiptare.

Një Abetare e tillë mbarëkombëtare, këtyre ditëve, është shpërndarë nëpër shkolla nga pushteti lokal në Preshevë dhe Bujanoc.

Në vijim, mbetet të shihet se cila Abetare, do ta ketë privilegjin për tu futur në çantat e nxënësve të shkollave me mësim në gjuhën shqipe, në rjonit e Kosovës Lindore.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch