Home » Lajme, Rajonale » VMRO kërkon zgjedhje të reja, BE kundër

VMRO kërkon zgjedhje të reja, BE kundër

Eurodeputetët Ivo Vajgëll  dhe Knut Flekenshetjen porositën se zgjedhjet e reja nuk do të jenë të dobishme për Maqedoninë. Ata kërkojnë që mandati t’i jepet opozitarit Zoran Zaev.

Zgjedhjet ne MaqedoniDerisa VMRO DPMNE pas dështimit për të formuar qeverinë e re maqedonase, po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian deklarohen kundër zgjedhjeve të reja. Eurodeputetët Ivo Vajgëll  dhe Knut Flekenshetjen porositën se zgjedhjet e reja nuk do të jenë të dobishme për Maqedoninë.

Pas dështimit të Gruevskit, përfaqësuesit evropianë vlerësojnë se shansi për formimin e qeverisë duhet ti jepet partisë së dytë për nga numri i mandatave, ashtu siç është praktikë në të gjitha vendet demokratike. E në anën tjetër Zaev po kërkon me ngulm mandatin nga presidenti Gjorgje Ivanov.

“Për Maqedoninë në këtë moment opsioni më kundër produktiv do të ishte të shkojë në zgjedhje të reja. Zgjedhjet sjellin paqartësi, humbje forcash, humbje kohe. Unë mendoj se duhet të shfrytëzohen mundësitë normale që një shoqëri dhe shtet demokratik i ka. Nëse nuk ka pasur suksese njëri mandatar, shansi duhet ti jepet mandatarit tjetër”, tha Vajgëll, eurodeputet.

Në vijë të njëjtë edhe eurodeputeti gjerman Knut Flekenshetjen, citon INA. Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje të reja do të humb shumë kohë për zbatimin e reformave urgjente dhe krijimin e një qeverie stabile.

Kundër zgjedhjeve të reja është deklaruar edhe Aleanca për Shqiptarët që është kryesuar nga Ziadin Sela, derisa Lëvizja BESA nuk i trembet zgjedhjeve të parakohshme.

“Në qoftë se dikush dëshiron ta qoj vendin në zgjedhje të parakohshme në mënyrë që përsëri temat që i tangojnë shqiptarët të ngelin në plan të dytë dhe mos të realizohen.  Ne do të duhet të dalim qartë në opinion dhe të ju themi se ne do ti bojkotojmë ato zgjedhje, dhe se ne do të kemi kapacitetet tona për të ndërtuar institucionet tona këtu. Dhe kuptohet, kjo do të thoshte, kur ke parlamentin tënd, ke filluar të ndërtosh njësinë federative tënde”, tha Ziadin Sela, Kryetar i LR-PDSH-së.

Në Lëvizjen BESA thonë se zgjedhje më e mirë do të ishte formimi i një qeverie stabile politike, ndonëse interesi i Lëvizjes Besa, siç thuhet, është që të ketë zgjedhje sa më parë, për arsye se “elektorati, apo atmosfera aktuale politike tregon se Besa do të ishte fituese e sigurt e atyre zgjedhjeve”.

Ndërkaq një nga pesë opsionet e Bashkimit Demokratik për Integrim, është edhe opsioni i zgjedhjeve të parakohshme. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, paralajmëroi qysh në fillim të janarit, se mospranimi i platformës të përbashkët të partive shqiptare, do ta qonte vendin sërish në zgjedhje.

Kurse, VMRO DPMNE kërkon llogari nga ndërkombëtarët të cilët u prononcuan për vazhdim të bisedimeve dhe formimin e Qeverisë së re. Me ton të ashpër, partia e Gruevskit kërkon që ambasada e SHBA-ve të sqarojë qëndrimin e djeshëm dhe të saktësojë nëse kjo nënkupton se ambasada amerikane përkrah idenë që mandati duhet t’i kalohet partisë së dytë.

VMRO-DPMNE kërkon sqarim nëse SHBA sugjeron dhe kërkon nga Maqedonia dhe partitë në parlament që të mos ketë zgjedhje të reja parlamentare dhe a mundet që kjo ftesë të interpretohet si qëndrim zyrtar i administratës së SHBA-së, që partitë sipas radhës aktuale me fuqinë që doli nga zgjedhjet e fundit, të formojnë Qeveri të re? – thanë nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se mbeten në qëndrimin e të dielës ku kërkonin zgjedhje të reja si mundësi e vetme e daljes nga kriza dhe evitimit të konflikteve.

Ndërkaq, pas kërkimit të mandatit për të formuar Qeveri, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev ka takuar ambasadoren e Gjermanisë Kristina Althauzer, të Suedisë Mars Stefanson dhe atë të Polonisë Jaxhek Multanovski, ku ka theksuar nevojën që vendi të ecë përpara.

“Është e qartë se në zgjedhje, vullneti i shumicës së qytetarëve është për ndryshime. Për këtë kërkojmë nga Gjorge Ivanov të mos humbë më shumë kohë, të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe të japë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Ne presim që ta formojmë shumicën e re parlamentare”, deklaruan përfaqësuesit e LSDM-së.

/Albinfo.ch/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch