Home » Lajme, Ndërkombëtare » Vuçiq: Prishtina dhe Beogradi janë shumë larg arritjes së çfarëdo marrëveshjeje përfundimtare në dialogun në Bruksel

Vuçiq: Prishtina dhe Beogradi janë shumë larg arritjes së çfarëdo marrëveshjeje përfundimtare në dialogun në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi janë shumë larg arritjes së çfarëdo marrëveshjeje përfundimtare në dialogun në Bruksel, pasi sipas tij pala serbe duhet të di fillimisht se çfarë do të fitojë në këto bisedime dhe atëherë, sipas tij do të flitet për të gjitha të tjerat.

Në adresimin e tij para mediave shqiptare, kreu i shtetit serb pas raundit më të ri të dialogut me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel, u shpreh me tone kritike ndaj Prishtinës zyrtare për shkak të vendimit për vendosjen e taksës prej dhjetë për qind ndaj produkteve serbe, duke thënë se shqiptarët me këtë dëshmojnë se nuk i përmbahen kurrfarë marrëveshje të arritur, përfshirë edhe atë të CEFTA-s.

Ai ka mohuar se pala serbe nuk do të paraqitej në raundin më të ri të dialogun në Bruksel, për shkak të këtij vendimi të palës kosovare, duke thënë se Prishtina zyrtare duhet t’i kryejë obligimet e saja.

“S’kam thënë ashtu. Kam thënë Serbia gjithmonë është për dialog, por para kësaj  dikush duhet të sillet seriozisht dhe të kryejë obligimet e veta, dhe të mos kërcënojë serbët me dërgim të ushtrisë, dhe të mos vendosë tarifa të reja në kundërshtim me CEFTA-n dhe jeni në gjendje të shkelni marrëveshjet jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj Bosnjës, që keni nënshkruar para dhjetë vjetësh. Atëherë çfarë janë shqiptarët në gjendje të respektojnë. Të ma thotë dikush. Nuk janë në gjendje të respektojnë marrëveshjet e Brukselit dhe të formojnë asociacionin serb, nuk janë në gjendje të respektojnë marrëveshjen e CEFTA-s për doganat. Për çfarë jeni në gjendje të respektoni…”, ka thënë Vuçiq.

Ndërkohë që Serbia vazhdon lobon kundër njohjes së Kosovës dhe mos lejimit të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare siç është Interpol, presidenti Vuçiq u shpreh se Serbia është krenare për punën që ajo bën në këtë drejtim.

“Serbia respekton të gjitha…Ku shkruan se Serbia të mos e bëjë këtë? Kjo është puna jonë dhe jemi krenar për këtë. Kjo është në frymën e normalizimit, sepse ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës. Ku kemi nënshkruar se nuk do ta bëjmë këtë. Leni këtë se ku çon dialogu! Ku ka nënshkruar Serbia se do të luftojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të mos luftojë kundër saj, ku shkruan, në cilin dokument? Pritni pak. Unë bëj pyetje, pasi po më bëni edhe ju pyetje… T’ju them diçka. Unë i dua shumë shqiptarët dhe më jepni shumë energjie dhe fuqi… Në cilën marrëveshje shkruan kështu? Nuk shkruhet një asnjë. Në marrëveshjen e CEFTA-s jemi pajtuar që kjo të mos shkruhet askund. Unë kam të drejtë. Nën dy. Jemi pajtuar që në marrëveshjen e CEFTA-s të shkruhet se si të silleni, por ju nuk silleni në pajtim me këtë. Jemi pajtuar po ashtu në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, Beogradi ka përmbushu r të gjitha dhe Prishtina obligimin e vetëm, e ky është formimi i asociacionit të komunave serbe nuk e ka përmbushur. A është kjo e saktë, e saktë është! Të shohim se çfarë do të më pyetni  ende dhe do t’ju përgjigjem”, ka thënë Vuçiq.

I pyetur nëse në marrëveshjen përfundimtare do të përfshihet edhe njohja reciproke dhe hapjes së dyerve për anëtarësim në strukturat euroatlantike, Vuçiq serish u shpreh me ironi, duke thënë se Serbia duhet ta di fillimisht se çfarë do të fitojë dhe më pas do të bisedojnë për të gjitha të tjerat.

“Dhe çfarë tjetër t’ju sigurojmë dhe ne të mos fitojmë asgjë… A ka dëshira tjera? Thaçi e ka thënë? Nëse këtë e ka thënë zoti Thaçi, atëherë ky është njeriu që ka folur këtu dhe do të shohim se në cilën do të kthehet të flasë, kur obligimet ndërkohë të përmbushen. Ne jemi të përgatitur të bisedojmë për shumë gjëra, por e para duhet shikuar se çfarë do të fitojnë serbët, çfarë do të fitojë Serbia dhe pasi të shohim këtë, atëherë do të bisedojmë për të gjitha të tjera”, u shpreh ai.

Ajo të cilën Serbia e kërkon në dialogun me Kosovën, kreu i shtetit serb tha se e dinë të gjithë, përfshirë edhe pala kosovare, por shtoi se janë shumë larg arritjes së një marrëveshje finale.

“E dinë ata të gjithë që bisedojnë këtu, BE-ja dhe negociatorët nga Prishtina…. Nuk kam folur unë për shkëmbim territoresh…S’kam folur kurrë për këtë. Nënkupton të gjithë të respektojnë marrëveshjet që nënshkruajnë dhe t’iu përmbahen atyre që duhet nënshkruar. Ky është rend elementar dhe kur nënshkruani diçka, duhet përmbajtur asaj që kemi nënshkruar… Ne iu përmbahemi atyre që kemi nënshkruar dhe mediat shqiptare nuk mund të gjeni një dokument të cilin Serbia nuk i përmbahet kurse unë menjëherë gjej dy ndaj të cilave shqiptarët nuk iu përmbahen. Ky është dallimi dhe ajo që duhet ndryshuar për të mundur të vazhdojmë dialogun.  Sa i përket çfarëdo marrëveshje, ne jemi me mile-mile larg”, tha Vuçiq.

Vuçiq ndërkaq nuk ka dashur të komentojë qëndrimin e Kishës Ortodokse Serbe ndaj Kosovës, duke thënë se për këtë do të flasë para mediave serbe dhe jo atyre shqiptare.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch