Home » Lajme » VV: Qeveria duhet të japë dorëheqje

VV: Qeveria duhet të japë dorëheqje

Prishtinë, 26 shkurt – Të premten me 24 shkurt, Kosova ka shënuar kthimin më të madh prapa politik me dekada. Kosova ka pranuar që të tjerët kanë të drejtë të na e mohojnë shtetësinë, thanë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një konference për shtyp.

“Qeveria e Kosovës me këtë nënshkrim e ka betonuar edhe më tutje besimin e atyre shteteve që nuk na kanë njohur e që mund të vazhdojnë të mos na njohin, sepse tanimë edhe qeveria e Kosovës e ka pranuar se shtetësia jonë është e diskutueshme në tavolinë, se mund të ndërrojmë qëllimet dhe parimet dhe mund të heqim dorë e besa nesër mund të ndërrojmë edhe territorin”, ka thënë Shpend Ahmeti, raporton Zëri.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jap dorëheqje, sepse “asnjë qeveri e kuvend nuk e ka të drejtën për zhbërjen e shtetit”.

“Në një shtet demokratik me vullnet të fortë, e me popull demokratik, këto procese mund të ndalen. Në qoftë se qeveria ka pranuar të heqë dorë nga shteti, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duhet ta pranojnë këtë”, shtoi Ahmeti.

Në anën tjetër, sekretari organizativ i kësaj lëvizjeje, Dardan Molliqaj, tha se kanë përfunduar të gjitha punët organizative për demonstratën e nesërme.

“Në këto momente që po flasim, janë mbledhur mbi 10.000 nënshkrime për seancë të posaçme të Kuvendit të Kosovës kundër heqjes së Republikës dhe shtimit të fusnotës. Mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe sot”, tha Mooliqaj.

Ndërkaq, sa i përket demonstratës së nesërme, Molliqaj tha se kjo demonstratë do të fillojë në orën 12:00, në sheshin “Nëna Terezë” para Qeverise së Kosovës dhe do të zgjas 4 orë.

“Për katër orë rresht ne do ta pezullojmë plotësisht punën e kësaj Qeverie që po e pezullon shtetin e Kosovës”, theksoi Molliqaj, i cili kërkoi nga policia që të mos i “bllokojë rrugët dhe trotuaret dhe të mos i provokojë demonstruesit”.

Ai në fund theksoi se demonstrata do të jetë paqësore dhe e organizuar mirë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch