Home » Sport » Xhaka ikën nga Baseli

Xhaka ikën nga Baseli

Mesfushori i talentuar kosovar i Baselit, Granit Xhaka, do të largohet nga kjo skuadër në afatin kalimtar të verës. Lajmi konfirmohet për “Sport”, nga vet lojtari, i cili shprehet i zhgënjyer me drejtuesit e Baselit. Ky futbollist ka kontratë me kampionët zviceran deri në verën e vitit 2015. “Drejtuesit e Baselit kanë kërkuar nga unë që ta vazhdojë kontratën me ta edhe për një vit, mirëpo unë kam vendosur së bashku me familjen time dhe menaxherin tim, ta ndërkrejmë bashkëpunimin me këtë klub. Jam i zhgënjyer me drejtuesit e kësaj skuadre për disa arsyeje, të cilat nuk dua t’i bëjë publike. Rëndësi ka fakti që do të largohem nga Baseli, në verën e këtij viti”, ka deklaruar Xhaka të mërkurën. 19-vjeçari konsiderohet ndër mesfushorët më të talentuar në Zvicër.

 

Xhaka konfirmon se ofertat në adresë të tij tash e një kohë nuk janë duke munguar. Interesim për shërbimet e tij së fundmi ka shfaqur edhe gjiganti bavarez Bayern Munich. Madje, babai i tij, Ragipi ditë më parë në një konferencë për shtyp në Prishtinë kishte thënë se Bayerni është shumë afër për ta transferuar Granitin. Mirëpo, ky i fundit thotë se nuk do të kalojë te bavarezët. “Është e vërtet se Bayerni ka treguar shumë interesim për mua. Megjithatë, ndoshta nuk është mirë që aktualisht të kaloj te Bayerni. Në këtë skuadër konkurrenca për një vend në 11-shen e parë është shumë e madhe. Unë nuk jam i interesuar që të luaj si rezervist nga 10 minuta. Më mirë të shkoj në ndonjë klub më të vogël e të luaj si titullar. Jam duke u menduar. Kam edhe oferta tjera, por mos më pyesni nga cilat klube”, tha Granit Xhaka. Javë më parë në Bayern u transferua mesfushori tjetër kosovar i Baselit, Xherdan Shaqiri që do t’i bashkohet këtij klubi gjatë verës.Baseli i Xhakës dhe Shaqirit, të martën e ardhshme do ta luaj ndeshjen e dytë në kuadër të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve ndaj Bayernit të Munichut në “Alianz Arena”. Ndeshja e parë e zhvilluar në Zvicër përfundoi me fitoren e zviceranëve me shifrat 1:0. Xhaka vlerëson se Baseli do të kualifikohet për në fazën çerekfinale. “Me një këmbë jemi në çerekfinale. Takimin e parë e kemi fituar, andaj jemi në përparësi. Në ndeshjen e dytë duhet të luajmë lojë të kujdesshme. Nuk jemi duke u frikuar. Kur e kemi eliminuar një skuadër si Manchester United, pse mos ta mposhtim edhe Bayernin”, ka potencuar Granit Xhaka.

 

Graniti është pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses helvetike. Ditë më parë në ndeshjen miqësore Zvicër – Argjentinë (1:3), Xhaka barti fanellën me numër 10. “Jam i nderuar që më është besuar ky numër. Në ndeshjen e fundit mendoj se jam paraqitur shumë mirë”, pohoi Xhaka, i cili karrierën si futbollist e ka nisur së bashku me vëllain e tij, Taulantin që tashmë luan në Grasshoppers. Ditë më parë vëllezërit Xhaka e ndihmuan klubin e Prishtinës me topa dhe fanella. “Në Kosovë e dimë se kushtet janë shumë të vështira andaj vendosëm së bashku me babain (Ragipin) që sado pak ta ndihmojmë klubin e Prishtinës”, përfundoi Granit Xhaka.Xhaka ndër të tjera tha se e ka shumë të vështirë të ndahet nga familja. “Nuk di se si do ta përballoj jetën larg familjes sime, kur do të largohem nga Baseli. Këtu e kam edhe shoqërinë e ngushtë. Që kur e kam marrë vendimin për tu larguar kam filluar të mërzitem”, theksoi Granit Xhaka.Granit Xhaka kërkon edhe një titull të kampionit me Baselin, para se të largohet nga ky klub. “Jemi në vend të parë dhe jam shumë i sigurt se do ta fitojmë titullin edhe sivjet”, deklaroi ai. Baseli pas javës së 22 në Superligën e Zvicrës, prinë në renditje me 43 pikë të mbledhura, kurse në pozitën e dytë ndodhet Luzerni me nëntë pikë më pak.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch