Home » Kulturë » “YLLI I DITURISË” TË POPULLSISË ÇAME…

“YLLI I DITURISË” TË POPULLSISË ÇAME…

(Botimi trevëllimësh, i veprave të përkthyera të Hoxhë Hasan Tahsinit, në duar të lexuesve tanë)

 

Nga: Prof. Dr. Hektor Veshi

shkrimtar e studiues-Tiranë

Hektor Veshi

 

H.Veshi

 

1.

Për shumë shqiptarë emri i dijetarit tonë, Hoxha Hasan Tahsini (1811-1881)  vetëm është dëgjuar. Shumëkush  di edhe se ai ka qënë prorektori i parë i Universitetit të Stambollit, kryeqytet i ish-perandorisë turke, në messhekullin e 19-të. Natyrisht, është ndjerë krenar. Por në sistemet shoqërore, që u këmbyen në Shqipëri pas shpalljes së saj shtet i pavarur (1912), njohja e vlerave të trashëguara kombëtare ose ishte e mangët  (deri  më 1939) ose edhe u krijuan rreth tyre mendime negative: fetë – terrene obskurantiste dhe personat fetarë në krye të tyre, kundërshtarë të regjimit komunist etj etj.

Por nga të gjithë ata personalitete, emri i Hoxha Tahsinit nuk u përlye dot. Mund të mos dihej sa duhej për të, por emri i tij mbeti në kujtesën e brezave i pastër, si bora e majëmaleve të larta, ku edhe alpinistët nuk shkelin. Kurse në  rrethin e njerëzve të gjakut të tij , edhe mbi një shekull pas vdekjes (1881), në fshatin Ninat, në veri të Çamërisë shqiptare, në jug të Shqipërisë shtetërore,  mbetej gjithnjë i gjallë, siç e kishin njohur bashkëkohësit: i urtë, i ditur, rrezëllitës në çdo pikëpamje. Kur zihej në gojë ai, te fëmijët ndizej një dritë adhurimi, sa ëndrra e tyre më e madhe ishte, si e si të rriteshin sa më shpejt dhe ta ndiqnin rrugën e tij, mundësisht të shkelnin gurët, ku kishte ecur këmba e tij.

Njëri prej fëmijëve të tillë, tani grua e pjekur, që çau shumë pengesa për ta “takuar” të adhuruarin e madh të fisit, yllin e diturisë së popullatës çame, Hoxha Tahsinin, është zonja Manushaqe Halili. Përbëjnë rrëfenja të gjata ndodhitë e jetës së saj, gjatë udhëtimeve vetjake për në Stamboll, në kërkim të varrit, shtëpisë ku jetoi dhe të veprave që shkroi e botoi, shqiptari i adhuruar Hoxha Tahsini. Kurse vlerësimin e gjithëçkaje, që ka të bëjë me të e vërteton edhe fakti se, siç thotë e shkruan vetë diku në librat e botuara, një cope letër e grisur  nga origjinali i njerës prej veprave të Tahsinit gjatë fotokopjimit, diku në bibliotekat e Stambollit, ajo e mori, e mbështolli dhe e ruan si gjë të shtrënjtë në çantën e vet. Është copëz letre, besnike e diturisë së Hoxha Tahsinit, që e ruajti sa i takon mënçurinë e tij, për mbi një shekull… Me këtë përkushtim, pa kursyer asgjë nga vetja, lodhje, shpenzime, takime e njohje me specialistë e gjuhëtarë të fushave të ndryshme, si dhe zgjedhjen e botuesit (SHB “Onufri”), ajo ka arritur t’ua paraqesë lexuesve veprën (vandak) trivëllimëshe, një thesar diturie dhe model realizimi teknik tipografik  e libërlidhjeje, që nderon çdo lexues, kur e merr në dorë dhe, më tej, e lumturon, kur i lexon.

Hoxha Hasan Tahsini

 

Hoxha Hasan Tahsini (1811-1881)

 

2.

Po cila është përmbajtja e tre librave- vepra e botuar?

Libri i parë, pas vlerësimeve për shkencëtarin Hoxha Tahsin nga autorë bashkëkohorë, si Sami Frashëri ose botues të tij, parathënies  së thekshme të studjuesit Moikom Zeqo dhe   mendimeve hyrëse të zonjës Manushaqe Halili, me titullin “Hoxha Tahsini: Frymëzimi, krenaria dhe përkushtimi im”, vijon me veprat: “Historia e qënies ose e krijimit”;  “Sekretet e ujit dhe ajrit” dhe mbyllet me “Psikologjia”, gjithësej 212 faqe.

Libri i dytë, me 349 faqe, plotësohet me lëndë të përkthyera nga dy numra të revistës “Mexhmua-I Ulum” (Revista shkencore), ku paraqet interes “Rregullorja për botimet e zakonshme” dhe, sidomos, afër 22 bisedat për probleme me shumë interes për kohën e tij, por edhe për ne sot, jo vetëm thjesht për njohje.

Gjithashtu, me interes është edhe tema “Përparimi i arsimit, historia, klasifikimi dhe frytet e shkencave”.

Edhe në librin e tretë, me 275 faqqe, vazhdon lënda e revistës shkencore, deri te nr.7 i saj dhe vijon me “Historia e shkurtër e astronomis”.Aty i lihet vend më vete metodologjisë së Keplerit dhe temës “Gravitacioni dhe pesha e përgjithshme”.

Me aq sa kemi mundur të kuptojmë, nga leximi i këtyre veprave, mendojmë se karakterizohen nga saktësia shkencore, gjuha e qartë ose lakonike. Kur autorit i duhet të paraqesë teori të vështira ose kundërvenie te argumentuara, u lë  vend mendimeve përparimtare, nga shkencëtarë dhe zyrtarë të vendeve të përparuara, por edhe  konservatorëve.

Për vlerat e padiskutueshme intelektuale dhe shkencore të Hoxha Tahsinit kanë shkruar mjaft personalitete të kohës, bashkatdhetarë ose me origjinë nga Shqipëria, si dhe të tjerë, jashtë Turqisë. Kështu, Sami Frashëri (i dituri-“ Shemshedin Samiu”!) ka shkruar:”Hoxha Tahsini ishte nga ata njerëz të mëdhenj, që rrallë nxjerrin shekujt dhe epokat”. Poeti  i shquar turk, Abdul Hak Hamidi, ish-nxënës i tij, ka shkruar për Hoxha Tahsinin: “Ishte vëzhgues dhe shkencëtar shumë i ditur, ishte thesar i njohurive shkencore, ndoshta, një botë e tërë dijesh; ishte filozof, letrar,  vjershëtar, i zoti  t’i përgjigjej çdo pyetjeje…”.  Kurse Riza Teufiku, filozof turk me origjinë shqiptare, ka thënë se “I ndjeri ishte mësuesi i shumë njerëzve të mëdhenj”. Për këto arsye “Emri dhe fama e njeriut të madh e të virtytshëm,- shkruan, ndër të tjera, ish-nxënësi dhe botuesi i veprave të tij, Nadiri Fevzi-nuk u përhap vetëm në Stambollin romantik, por edhe në Europë”.

Pasi  është njohur më në thellësi me veprat teorike të shkencëtarit emërmadh, studjuesii dhe enciklopediku i sotëm shqiptar, Moikom Zeqo, e ka titulluar parathënien e krejt botimit, ”Hoxha Tahsini, profili shqiptar i ndritur i shekujve”.  Tani, kur mund ta marrë vetë në dorë çdo lexues  këtë thesar të dijes, le ta gjykojë vetë sa të drejtë kanë pasur ata burra bashkëkohës  të korifeut me mantel fetari dhe, sidomos, sa i shërbejnë edhe sot vendlindjes dijet e tij të thella, të gjera, nga shumë fusha, përfshirë edhe letërsinë. Jam i isigurtë se lexuesit e sotëm do t’iu mbeten mirënjohës një numri të madh ndihmetarësh, në  të gjithë proceset e përpunimit të lëndës, nga përkthimet e deri në botim. Pra, meritojnë falënderime të gjithë. Personalisht, jam enthusiast për këtë botim, pasi plotësohet një boshllëk i madh në “panteonin” e njerëzve tanë të dijes,  rragullohet një padrejtësi e zgjatur në kohë, ndaj atij personaliteti. Por është edhe një model  i shfaqjes së atdhetarisë nga një zonjë, i denjë për t’u ndjekur për shërimin e mjaft plagëve të sotme ose të bartura nga e kaluara. Unë, do ta shprehja entusiazmin qytetar: Mirëse erdhe në gjirin tonë,  Hoxha Hasan Tahsini i pavdekshëm, përmes dritës së diturisë së madhe, që nuk shvleftësohet dot nga koha, në rrjedhën e saj të pafundme!

Tiranë, mars  2014 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch