Home » Histori » Zenun Rexhepi – Kabashi i Moravës së Epërme

Zenun Rexhepi – Kabashi i Moravës së Epërme

Monografi Prishtinë 2003 Kabashi-libri f.11 Kabashi hyn në radhën e fshatrave më të mëdha të Komunës së Vitisë. Në mileniumin e tretë hyri me 350 shtëpi dhe me rreth 3000 banorë. f.20 Monumenti i zbuluar “Dea Dardanica” (Perëndesha dardane) dhe gjetjet e tjera në fshatin Smirë, që i takojnë shek. II të erës sonë, dy tre kilometra në veriperëndi9m të Kabashit, dëshmojnë se në Moravën e Epërme banonin qysh në lashtësi.   f.28 Në kohërat e sulmeve barbare (romake, sllave, turke), shqiptarët, pra edhe kabashasit, nga zhdukja i shpëtonte mali, bjeshka. Prandaj, ato për ta janë dhe mbesin simbol i jetës dhe i shpëtimit, ashtu si thotë Miftar Spahija me rastin e vdekjes se Ernest Koliqit: “Veç ju o male e bjeshkë të dashtuna ju qofsha tru, qi na e pshtut nji rryp të hollë toke në rranxë t’Adfriatikut”.   f.29 (Kur kabashasit u vendosën në fillim në Viti vendasit nuk u jepnin çika për nuse). Mulla Ibrahimi i xhamisë në Gërmovë ia jep një vajzë familjes Jashari. Kur kthehet bija s’pari, hoxha e pyet vajzën: “Çfarë ishin gjinsh ishin- bijo?” Ajo i përgjigjet: “Nuk ishin gjin t’kqi, po ren nuk kishin. Nuk kishin as fun’ buke, as tërvesë, as saxh.as çerep, as t’pi…!   f.38 Fisi është burimi i nji gjaku. Vllaznia asht të damit njij fisi. Vllaznia mund të ndahet (shumohet). Fiset kryesore, tuj fillue nga Shqipnia e Veriut, janë: Kelmend, Kastrat, Hot, Grudë, Shkrel, Gash, Krasniqe, Bytyq, Berishë, Thaq, Kabash, Morinë… Përsa i përket Shoshëve, Shalës e Mirditës…janë Morinas. Bajraqet janë 24. Pesë (5) të Mirditës, shtatë (7) të Pukës, pesë (5) të Malsis së Madhe, shtatë (7) të Malsis së Gjakovës…Nderim të posaçëm në vendet e Kosovës ka fisi i Thaqit. Ky fis ka pasë kurdoherë “Pleqni”, a si i thomi tash gjyqin.”   f.47 Në këto anë ndodhën ngjarje të rëndësishme të karakterit kombëtar, si tubimi i mijëra shqiptarëve në Kuvendin e Ferizajt më 1908, Beteja e Kaçanikut e vitit 1910, luftimet në Moravën e Epërme, në Karadak e në Grykë të Konçulit gjatë vitit 1910 dhe, së fundi, vendkoncentrimi i mijëra kryengritësve para kryengritjes në vitin 1910 dhe para hyrjes në Shkup, më 1912.   f.70 Hil Mosi Ah, Shqipni, mos thuj “mbarova!’ Se djemt’ tu edhe janë gjallë! N’kam asht çue e rrebt’ Kosova E ban luftën ballë për ballë. Po, Kosova! Atje pikspari! Krisi topi me duhi Atje gjaku i shqiptarit Ra në tokë me mbi përsri!   f. 102 “..Fshati ende nuk i kishte shëruar plagët që ia kishte shkaktuar Shefqet Turgut Pasha (më 1910)…Ishte thyer një okupator, por erdhi tjetri edhe më i egër e më mizor..Fshati u dogj e u plackit. Të gjitha gjërat e vlefshme u grabitën. Arin e grave, pajën e nuseve dhe të vajzave, bylmetin, fasulen, dimërishtet e rezervuara, i morën. Dyert e oborreve, hambarët, qerret..janë vërejtur deri vonë në shtëpitë e plaçkitësve…Plaçkitësit i morën me vete të gjitha, duke lënë pas vetëm vajin e nënave për fëmijët, vajin e nuseve për burrat, vajin e fëmijëve për prindërit dhe mallkimin e plakave, drejtuar vrasësve..Fshati mbet në duart e grave dhe të fëmijëve. Shumica e nënave fëmijët i rritën duke qendruar në gjini, për t’u kthyer pas disa vjetësh, ku rifilluan jetën aty ku dikur ishte fshati…Me mund të madh arritën t’i shërojnë plagët dhe t’u dalin zot trojeve të shkretetuara..Ata (që shpëtuan gjallë në rrethana të ndryshme të rastit) nuk i kishin harruar porositë e Bajram Currit, Isa Boletinit, Idriz Seferit…të cilët në vitin 1910..qendruan dy net në Kabash, për të mobilizuar popullin për luftë kundër turqve..Me atë rast, në oborrin e xhamisë së fshatit banorëve të tubuar iu kishin thënë: :Këto troje janë tonat. T’i ruajmë e t’i mbrojmë si sytë e ballit.”   f.114 Për t’i “disiplinuar” shqiptarët e Kosovës pushteti okupues serb konsideronte se “…për një kohë të gjatë duhet të vazhdojë sundimi me ligje të jashtëzakonshme…”Me pushkë e me top” duhet të mësohet ky popull “i egër” për të jetuar në një shtet modern…” “Në se aprovohen masat e propozuara, jemi të mendimit se do të mund të spastrojmë çështjen shqiptare duke mënjanuar kështu, njiherë e përgjithmonë, mundësinë e krijimit të Shqipnisë etnike, në viset që ne i kemi shënuar si sferë të interesit për t’iu afruar detit. Në të kundërtën, nuk do të mundemi të shuajmë çfarëdo kryengritje shqiptare dhe idenë e përmëndur të Shqipnisë etnike…sepse një ditë kjo do të bëhet e rrezikshme për neve dhe për idenë tonë…”   Vallja e kaçakëve Në një mjedis të gjetur në pikën e natës, ku çdo gjë rrethohet nga heshtja, vjen çeta e kaçakëve..Gjithësecili është në përgjim. Diçka presin…Surla dhe tupani, me goditje ritmike (herë me thupër, herë me maçungë), e nxjerrin në pah edhe më qartë atmosferën dramatike të këtij çasti. Fillimisht, duket prijsi, me pushkë në dorë dhe syrin pishë, të ngulitur diku andej nga pritet armiku. Kalon në qendrim vëzhgimi duke vënë dorën mbi sytë. Ndërkaq, dy burra ulen me njërin gju në tokë, prijsi hypën sipër tyre dhe, duke i mbështetur fort të dyja këmbët, hedh shikimin diku. Rreth tij bashkëluftëtarët formojnë një rreth…dhe ata lëvizin një copë herë, sa djathtas, majtas në përgjim. Heshtje…Duket se rreziku kalon. Pastaj kaçakët na japin imazhin e një skene tjetër romantike nga jeta e tyre, “ndejën rreth zjarrit”. Duket se bën ftohtë nga që i fusin gishtat nëpër flokë; edhe pse të uritur, të lodhur, nuk flenë. Veshi dhe syri kap çdo zhurmë, çdo lëvizje. Dora u rri gati te pushka, edhe pse dy-tre kaçakë bëjnë roje…”   f.120 Leo Frojndlih “Kushdo që kalon pa vënë re një holokaust (gjenocid), nuk duhet të çuditet aspak, në qoftë se dikush, mbase edhe ai vetë, do të bjerë viktimë e një holokausti tjetër…Egërsisht dhe në mënyrën më antihumane që ka shfaqur ndonjëherë çizmja e pushtuesit, (serbët) bënë barbarizma që nuk kanë të përshkruar, me dhjeta-mijëra burra të paarmatosur të therrur, gra të përdhunuara, pleq e fëmijë të mbytur, me qindra fshatra të djegur e të rrafshuar me tokë. Megjithatë Evropa edhe sot vazhdon të heshtë…Mosdenoncimi energjik i holokaustit kundër cilitdo popull, do të thotë vetëm bashkëfajësi me krimin dhe asgjë më shumë…Heshtja e Evropës për holokaustin shqiptar, në fakt përbënte një shtytje (nxitje) për masakra të reja, tani me përmasa dhe më të frikshme.” Isa Boletini me amb Leo Freundlich f.129 Kapela e xhandarit në shkop Për qëllime provokimi, xhandarët serbë e venin një kapelë (kasketë) të tyre në një shkop që e ngulnin pranë rrugës. Vetë skajoheshin në ndonjë hije dhe përcillnin reagimin e kalimtarëve shqiptare. Ata që kalonin pa e përshëndetur kapelën, i ndalnin dhe i rrahnin pse nuk e kishin nderuar “pushtetin serb”, kurse ata që e bënin këtë, i rrahnin pse kishin përshëndetur kapelën pa njeri etj.   f.148 Depërtimi i njësive partizane në Anamoravë kishte këtë rrjedhë: Së pari në Kosovë erdhi brigada çetniko-komuniste nga Maqedonia, pjesë e Armatës II bullgare, brigada nga Serbia dhe Mali i Zi. Atyre u vijnë në ndihmë dy brigada partizane të Enver Hoxhës..Nga drejtimi i Gjilanit dhe Vitisë vjen brigada II e Kosmetit e UNÇ (me komandant Jovica Papadiqin, ferizajas).   f.152 Sipas një statistike të organeve të pushtetit, gjatë vitit 1945 u eliminuan 1416 të arratisur, prej të cilëve 292 u vranë, 148 u zunë, ndërsa 195 u dorëzuan. Njësitet e UNÇ vranë 9 dezertorë, 57 i zunë, kurse 847 u dorëzuan. Në Greqi ikën 196, kurse në Shqipëri 25 veta.. Organizata ilegale e NDSH ishte masive pas vitit 1945 në trojet shqiptare jashtë shtetit amë. Ajo gjatë viteve 1945- 1947 në radhët e veta kishte më tepër se 30 mijë anëtarë, atëhere kur PKJ në Kosovë kishte rreth 8800 vetë, prej të cilëve rreth 6000 shqiptarë..   f. 155 Vetëm në Ferizaj kishte katër burgje…..Ata që thirreshin natën gjoja për t’u marrë në pyetje, nuk ktheheshin ma. Klithmat, bërtimat, gjëmët e të munduarve, të të therrurve, jehonin gjatë në veshët dhe zemrat e atyre që pritnin, shpresonin. Po të pakët, shumë të pakët ishin ata që shpëtonin..   f.157 Në bazë të të dhënave arkivore dhe të shënimeve nga terreni, gjatë muajve nëntor- dhjetor 1944 dhe në muajt e parë të vitit 1945, në territorin e gjerë të Gjilanit janë vrarë e masakruar afër 8000 shqiptarë.   f.164 Ishte koha kur Partia (Komuniste) dhe pushteti kontrollonte çdo gjë. Si thuhet në një vend: “Duhet të dihej se kush çka mendon, madje edhe kur flen. Janë përcjellë fshatra, fjalët, mendimet, madje edhe gjestet; mandej a zverdhej apo skuqej njeriu kur fliste, apo sa ishte duke dëgjuar bashkëbiseduesin, etj.”   f.165 Barkm’dhajt e Kabashit Mbasi pushtetin e morën partizanët, katundarve që kishin ca hektarë tokë, iu thojshin: kullakë, barkmëdhenj e ua merrnin edhe tokën, në rast se i kishin më shumë së dhjetë hektarë. Në kohën e tepricave, një ditë në oborrin tonë erdhën disa aktivistë të fshatit. Me ta ishte edhe kushëriri ynë- Qerim Berat Qerimi, aktivist i Rinisë. Kur nisën ta marrin misrin e pashkokluar prej koshit, mixha Ahmet foli dishka. Qerimi si në hajgare i tha: -Baci Met, mos u sekëlldis shum’! Boll keni hangër ju barkm’dhajt. Edhe fukaraja duhet me jetue!.. Axha Ahmet e shikoi mrrolshëm, po nuk i tha gja, sepse ishte kushëri yni. Pas 15 vjetësh, në vitet e gjashtëdhjeta, Qerimi e Murati i Hashimit, u bënë funksionarë komunalë në Viti. Me që kishin rroga të mira, pra edhe standard të mirë jete, u ishte rritur barku (kishin lëshuar bark si thuhet në fshat). Ishin duke ndejtur në oborrin e xhamisë, ku shpesh rrinin burrat e katundit gjatë verës, kur një pasdite erdh aty edhe baci Qerim. Gjatë bisedës së asaj dite, axha Ahmet i tha: –          Lum Qerimi, at’kujtohet qysh m’pate thanë n’vakt t’otkupit (të tepricave), kur erdht me ma marrë kallamoqin n’oborr: “Boll keni hangër ju barkm’dhajt!” –          Kam harrue..! Po, ndoshta t’kam thanë. Jam kam i ri- u përgjigj ai. –          E ta dish! Bash barkm’dhaj- ishit kanë ju. Ti, Murati, Isaki, keni l’shue bark, si me kanë far’ beglerësh t’vaktit t’Turkisë. –          Ha, ha, ha!- qeshi baca Qerim me zë.- Paj, me folë kah del shpirti, mirë e ki baci Met- tha baca Qerim.   f.169 Prej fillimit të vitit 1951 gjer në fund të vitit 1952..në Shqipëri ishin dërguar ilegalisht 233 grupe të armatosura spiunazhi (diversantë) me 892 veta, bile pa llogaritur këtu disa grupe ishin futur disa herë.   f.184 Aksionii armëve Disa burra si Hasani i Hetemit, etj e kishin dorëzuar ndonjë pushkë apo allti të vjetër, kurse shumica ishin detyruar të blenin pushkë në Karadak të Shkupit Më së shumti i kishin rrahur Ramën e Januzit, Fetahin e Halitit dhe Nazminë e Delisë. Bile, dy të parët, thoshin në fshat, nga pasojat e rrahjes, kanë vdekur pas disa mujave.   f.186 Demonstratat e 28 nëntorit 1968 në Prishtinë Pas këtyre demonstratave, që u kualifikuan si reaksionare dhe kundërshtetërore, u zhvilluan procese të rëndësishme politike, që rezultuan me legalizimin e flamurit kombëtar, hapjen e Universitetit (1970) dhe me aprovimin e amendamenteve kushtetuese, me të cilat Kosovës iu dhanë shumë kompetenca. Ky proces u rrumbullakua me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, ku KSA e Kosovës u bë njëi konstutuive e RSFJ.   f.189 Në pranverë të vitit 1990 në Kosovë filloi procesi i largimit të punëtorëve shqiptarë nga vendet e punës. Pas grevës së 3 shtatorit, u larguan nga puna rreth 150 mijë punëtorë.   f.192 Sulmet e NATO-s Serbët në Viti e Prishtinë thonin: Nëse na sulmon NATO nga ajri- mjerë shqiptarët. Nëse na sulmon për tokë- mjerë serbët!   f.193 Me Dautin, vëllanë tim në Viti, bisedova dy tri ditë para se të nisnin bombardimet e NATO-s. Pasi e njoftuam njëri tjetrin për shëndetin tonë e të familjeve, më tha: “Mirë po shkojnë punët. Do të bëhet më mirë për ne”. Fatkeqësisht, ndodhi që ato të jenë fjalët lamtumirëse prej tij, sepse pas dy javësh forcat serbe e kishin vrarë në një pritë, pak mbi Kabash.   Reforma agrare e Mbretërisë Jugosllave f. 230 Më se 62.6 % e familjeve bujqësore të Kosovës jetonin në prona më të vogla se 5 ha dhe kanë qenë të ngarkuara me një numër të madh anëtarësh…toka që iu mor fshatarëve shqiptarë edhe ashtu të varfër, u ndahej pjesëtarëve të pushtetit ushtarak, vullnetarëve dhe çetnikëve, të cilëve, vetëm deri në vitin 1928 iu dhanë më se 45 000 ha tokë në Kosovë e Maqedoni- shkruan Gj. Kërstiq.   f. 277 Oda Në odë kurdoherë flitej me maturi e thellësi, për të gjallët e për të vdekurit, për dhimbje e dinjitet, aty dëgjoheshin pleqtë e kombit e të fisit. Flitej për lidnje e vdekje, lufta e dasma, për fëmijërinë, rininë, për pjekurinë shoqërore. Por jo për atë që s’bëhet.   f. 288-289 Urime dhe sharje T’pastë nana! U rritsh i madh! Lumja nana! M’u bafsh plak i katunit! U rritsh me babë e me nanë! Bafsh hajr! T’u baftë xhenet! T’u baft shnet! Mirë se erdhe! T’priftë e mbara! Udha e m’arë! T’baft mirë! E marsh nji nuse t’mirë! Puna e m’arë!   T’vraft Zoti! T’ardht prej Zotit! T’ardht prej qillës! T’vraft reja! T’i’shoft toka! T’marrtë pusi! T’marrtë murtaja! T’marrtë mordja! T’marrtë dreqi! T’hangërt dreqi! T’hangshin shtatëqind dreqën! T’shitoftë zana! T’dalshin sytë! T’plaçin sytë! T’u qorrofshin të dy sytë! I zaftë gjarpëri! T’preftë shkavi! T’preft uki! T’u thaftë goja! T’u shurdhofshin vesht! E thefsh qafën! U çofsh lugat! Mos ja pafsh hajrin! Qyqe t’pasha! Mbetsh si qyqja n’rrem! Plassh si kokrra e krypës! T’marrtë pushka bri e m’bri! T’shkoft ashti, ku bren miza hekër!   f. 298 Përralla “Zogjt e hutit” Kryepersonazhi (vëllau i vogël) për t’u kthyer nga bota tjetër, ku ka rënë (diku në nëntokë) duhet t’i japë shpendit (hutit, shqiponjës) mish dashi që e kishte përgatitur e, në fund, kur ai harxhohet, edhe nga pulpat e këmbëve të veta.   f.300- 301-302 Anekdota Një ditë, tue nejt në oborr të xhamisë nji shoq e veti Zeqë Kabashin: –          Alla hile baci Zeqë, pse të kan ra floktë aq shumë? –          A shumë t’u ka ba marak me dit-a? A je kan naj her kah Novobërda? –          Po jam kanë –          A kish mal n’at anë? –          Paj, ish njifarë mali i liksht. –          E a je kan’ Kopilaçë? –          Po jam kan. –          Po çfarë mali ka? –          Ah e bung, se mos me jau pa lisave majën. –          Ku ka mal, n’tok nuk ka alltan, plum, bakër. E ku nuk ka alltan, ka mal. –          E mora vesh, bac. Pra edhe men edhe flokë nuk po shkojnë bashkë.     Ti nuk ke Kosovë Njani i Kabashit ish kan tu maru duvar (mur). Shkon me e kqyrë Ilazi i Hazirit. Tue punue zihet llafi i mallit. Ilazi thotë: –          Unë i kam kaq hektarë tokë, kaq bullica, kaq dhen.. Nebi Trakalaçiu i thotë: –          Unë jam ma malltar se ti Ilaz! –          Po qysh po thue ashtu, o Nebi, kur i ki dy –tre hektarë tokë n’kodra t’Allahit, e nja dy lopë për bishti?! –          Po, Ilazo, po ti nuk ke Kosovë! –          Qysh nuk kam. Si ti, si un e kemi Kosovën! Nebia kur e pa qi Ilazi s’po e merr vesh se ku po e qet, i tha: –          Ilazo, grue, grue- nuk ki! E, mos me pasë gru’, a si mos me pas Kosovë!   Llokumet Zenun Smira me shokë ja ka pasë zanat me çelë bunarë. Ni dit, tue kapërcye nëpër Binçë, kthejnë n’dyqan t’Ramiz Imerit prej Kabashi. Zenuni ja lyp Ramizit nji kuti llokum. Ramizi ja jep llokumin. Zenuni do llokuma ja u jep shokve e ma shumë i hangër vetë. Kur dalin smirakët prej dyqani, Imeri, baba i Ramizit, po e vetë: –          A e paguejti Zenuni qat llokum? –          Jo, nuk e pagujti, po e pagun masanej. –          At llokum nuk ka me ta pague kurrë! –          Pse, babë?- i thotë Ramizi. –          Biro, me e pasë menen me e pagu’, e kish hangër kapak –kapak, se tu e hanger, ish kujtue qysh do ta paguajë. A e pave qi e shtike ni llokum me ni gojë. Aj pare nuk jep, pasha besën.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress