Home » Kulturë, Lajme » ZGJIMI I TOKËS – romani i shkrimtarit norvegjez Knut Hamsun – Fitues i Çmimit Nobel 1920

ZGJIMI I TOKËS – romani i shkrimtarit norvegjez Knut Hamsun – Fitues i Çmimit Nobel 1920

Të nderuar Miq të Librit dhe të Botimeve Toena.

Me kënaqësi ju njoftojmë se sapo hodhëm në qarkullim një nga kryeveprat e letërsisë botërore të shekullit të 20-të:

ZGJIMI I TOKËS – romani i shkrimtarit norvegjez Knut Hamsun – Fitues i Çmimit Nobel 1920.

ZGJIMI I TOKËS konsiderohet ndryshe si romani epik i njeriut dhe i natyrës.

Një burrë dhe një grua, Isaku dhe Ingeri, takohen në shkorretet e shkreta të Norvegjisë. Burri punon pa u lodhur. Vrasja e fëmijëve, mashtrimi, xhelozia, lakmia, progresi janë tundime ku bien me radhë gruaja dhe fëmijët, të afërmit dhe armiqtë e tij. Ndërsa Isaku, i lidhur me tokën e tij, ka vetëm një qëllim: të hapë toka të reja. Është pikërisht përmes kësaj metafore që Knut Hamsun ka ndërtuar një roman shëlbimi, të përshkuar nga një frymë e vërtetë biblike.

ZGJIMI I TOKËS është gjithashtu një portret i mrekullueshëm i gruas: Ingeri është arsyeja e jetës së Isakut, por, njëkohësisht, edhe ajo çka e kërcënon më shumë. Ingeri është parimi i sfidës: asaj i duhet t’i jetojë të gjitha jetët e mundshme para se të rikthehet sërish tek ai, Isaku, që nuk ndryshon kurrë. Ingeri ka udhëtuar në det, ka jetuar në qytet: por rikthehet përsëri në shtëpinë e saj. Bota është e madhe, gumëzhin prej qenieve. Ingeri në këtë gumëzhimë, nuk është veçse një qenie njerëzore mes shumë të tjerave, të panumërta.
Romani tregon prirjen e Hamsun drejt primitivizmit dhe shmangien nga modernizmi. Ai e kundërshtoi realizmin dhe dëshiroi që “letërsia moderne të përfaqësonte ndërlikimet komplekse të mendjes njerëzore”.

Rreth autorit

Knut Hamsun, pseudonim i Knut Pedersen (1859-1952) ishte një romancier, dramaturg, poet norvegjez dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 1920. Si lider i rrymës neo-romantike në fund të shekullit të shkuar ai e shpëtoi romanin nga tendenca e një naturalizmi të ekzagjeruar.
Ashtu si heronjtë josocialë të veprave të tij të para, Hamsun mbajti një qëndrim indiferent kundrejt progresit, që dallohet edhe në veprën e tij ZGJIMI I TOKËS, (një vepër e përkthyer në shumë gjuhë të botës, tashmë, për herë të parë edhe në shqip) ku ai shpalos filozofinë e tij të “kthimit drejt natyrës”.
Hamsun ishte një mbështetës i Gjermanisë gjatë pushtimit nazist të Norvegjisë në Luftën e Dytë botërore. Me përfundimin e luftës ai u burgos si tradhtar, por akuzat ndaj tij u rrëzuan si rrjedhojë e moshës së tij të vjetër. Megjithatë u dënua si bashkëpunëtor dhe për këtë iu desh të paguante një gjobë, e cila e shkatërroi financiarisht.
Bashkëpunimi me nazizmin ia dëmtoi seriozisht reputacionin, por me vdekjen e tij interesi për veprën u shtua ashtu si edhe përkthimet në disa gjuhë të huaja duke e shtrirë edhe më gjerë numrin e lexuesve. Joracionalizmi i tij i qartë dhe stili impresionues, spontan dhe i çlirët patën një ndikim të gjerë në Europë për shkrimtarë si Maksim Gorki, Tomas Man, dhe Isaac Bashevis Singer.

Autori: Knut Hamsun
Titulli: Zgjimi i tokës
Lloji: Roman
Formati: 14 x 20 cm
Numri i faqeve: 384 faqe
Përktheu: Amantia Kapo
ISBN:  978-9928-277-98-5
Çmimi: 1000 lekë

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch