Home » Lajme, Opinione » Zhgënjimi i preshevarëve nga një mashtrim “epokal”!

Zhgënjimi i preshevarëve nga një mashtrim “epokal”!

Shkruan: Nehat Hyseni

Pritjet e qytetarëve të komunës së Preshevës nga zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016, ishin të mëdha.

Këto pritje dhe shpresa për ndryshimin e gjendjes së mjerë dhe të pashpresë të krijuar nga trysnia armiqësore e Serbisë, e cila nuk ka ndryshuar fare kursin e regjimit fashist të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe mdaj shqiptarve, kudo që janë.

Mjerimin dhe situatën e pashpresë të shqiptarve në komunën e Preshevës dhe Bujanocit e kishte shtuar e madje edhe shumëfishuar kolaboracionizmi dhe servilizmi ekstrem i pushtetit lokal në këto dy komuna në Serbi, të banuara me shumicë shqiptare, të kryesuara nga Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi.

Këta e kishin shndërruar politikën lokale në biznes të pastër, duke shitur patriotizëm verbal, ditën dhe duke bashkëpunuar me qarqet më antishqiptare dhe ekstremiste serbe, në dëm të Pavarësisë Sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe në denigrimin e statusit politik, juridik, ekonomik e kulturor të shqiptarve në Serbi.

Politika “radikale” e Ragmi Mustafës, i cili për 12 vjet keqqeverisjeje banditeske të komunës së Preshevës e shkatërroi gjyqësinë komunale edhe ashtu të brishtë, sistemin bankar, etj., duke e devastuar e katandisur dhe duke e shndërruar Preshevën në një fshat provincial, nga një qendër politike e kulturore me mam, në rajon dhe në mbarë shqiptarinë.

Duke u bërë argat të turpshëm të kauzës serbe të ishkryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiqit për ” shkëmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës, Ragmi Mustafa “helmoi” trurin e votuesve shqiptarë të komunës së Preshevës, duke i mashtruar dhe duke ua shitur tradhëtinë ordinere antishqiptare, si “patriotizëm” dhe “radikalizëm shqiptarë.

Bizneset e shqiptarve u masakruan, kurse vetëm ato të familjes Mustafa me bashkëpunëtorët e tij lulëzuan, si kundërshpërblim nga Serbia për argatllëkun e tyre me dreqin e mallkuar.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin zhytur në mjerim të thellë, meqë u ishte vrarë shpresa se do të ndryshoj kjo gjendje e tmerrëshme dhe ia mësyen masovikisht ikjes në gurbet, duke i lënë shkret pasurinë, shtëpitë e varret e të parëve.

Në këtë gjendje skajshmërisht të pashpresë e të mjerueshme, u mbajtën zgjedhjet lokale të vitit 2016.

Rezultati nga ato zgjedhje ishte befasues!

Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit, bir i një “gastarbajteri” shqiptar nga një fshat i Preshevës, akoma pa e mbushur një vit nga themelimi, fitoi 11 mandate dhe u radhitë si parti e dytë.

Meqë programi dhe fushata parazgjedhore e tyre ishte identike me PVD-në, dmth “anti-mafi” të Ragmi Mustafës, këto dy parti bënë shumë shpejt marrëveshjen për koalicion të bashkëqeverisjes, duke zgjedhur Shqiprim Arifin kryetar komune.

Preshevarët, sidomos të rinjtë e mirëpritën me entuziazëm dhe me shpresa të mëdha këtë ndryshim, duke komentuar kudo nëpër ndeja, lokale e nëpër rrugë në stilin: “eureka! e gjetëm Shpëtimtarin!”

Bindjet e tyre ishin se ja, “ky po na vjen nga Gjermania dhe ka me e ndryshue Preshevën”, sepse edhe motoja e tyre ishte “Ne jemi Ndryshimi!”, “Presheva ka me lulëzu”, e komentime të ngjajëshme.

Pra, në një gjendje të trishtuar nga mjerimi dhe keqqeverisja, korrupsioni e abuzimi me paratë  dhe pronën e pasurinë publike, ishte e natyrëshme që t’i jepej votëbesimi një risie, qoftë edhe të panjohur e të pasprovuar politike.

Preshevarët thonë:

“Si maca në thes”!

Paraqitja publike e kryetarit të ri, sikur filloi t’i luhasë bindjet e parakrijuara dhe pritjet.

Fjalorin e tij arkaik dhe analfabetizmin ia falnin, duke e arsyetuar se “ka lind jashtë” dhe s’ka mund ta mësoj gjuhën shqipe.

Por, në konferencën për shtyp me rastin e 100 ditëshit të pushtetit lokal, ai e ngriti gishtin lartë kundër mediave, duke i përjashtuar nga konferenca, madje edhe duke iu kërcënuar rreptë!

Pra, na u paraqit një kryetar ashtu si nuk e kishte pritur e nuk e kishte votëbesuar populli.

Si një autokrat e diktator lokal!

Por, sa duket edhe në kryesi të APN-së shpeshëherë i mëshonte tavolinës, duke bërtitur:

“A jom une baba këtu?!”

Dhe propozimet e tij miratoheshin, apo më saktë, “aminoheshin”!

Njësoj veproi edhe me partnerin e koalicionit, nga i cili kishte vetëm një asambleist (këshilltar) më tepër (11-APN, kurse 10-PVD).

“Baba” Shqiprim merrte vendime si “sulltan”, madje edhe buxhetin e ri e imponoi si deshti vet dhe nuk e respektoi partnerin e koalicionit qysh në hapin e parë, meqë për një rrugë (Karposh) ishin paraparë 60 milion, kurse ai në mënyrë abuzive dhe të paligjshme ua pamundësoi pjesarrjen ofertuesve tjerë, dhe ia dha të vetmit ofertues me 86 milion, dmth për 26 milion dinarë apo 210.000 euro më tepër!

Pra, nuk kishte asnjë dilemë se ky ishte korrupsion i pastër në vepër, apo si i thonë fjalës, Shqiprimi “u zu me presh në dorë!”

Abuzimet për qëllime korruptive  u shpeshtuan shumë.

Bindja ishte se ai po e bënte nga mosdija.

Por, u mor vesh se ai këtë “marifet” e kishte mësuar nga aktiviteti i tij me organizatat “humanitare”.

Gjithashtu mësuam se aktiviteti prej “biznesmeni nga Gjermania” kishte të bënte me ate se Shqiprimi kishte pasur një biznes apo “firmë” me një ortak serb në Gjermani, që i kishte siguruar lidhje të mira ne përfaqësitë qeveritare të Serbisë atje.

Zhgënjimi ynë ishte se pritnim që Shqiptimi nga Gjermania të na sillte praktikat më të mira dhe përvojat demokratike europiane të qeverisjes.

Mirëpo, sa duket, ai na solli të kundërtën e vlerave të mirëfillta europiane: autoritarizmin, abuzimin me ligjin dhe korrupsionin e nepotizmin.

Kjo u pa edhe me aferën e krijuar nga një dentist i APN-së, që u imponua të emërohet zëvendës i u.d.drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit, i cili madje tentoi në mënyrë klandestine ta ndërtoj një zyre midis korridorit, duke ua bllokuar hyrjen pacientëve.

Kjo çmendi e caktimit zëvendësit të u.d. drejtorit i cili gjysmën e orarit e kalon me pacientë, kurse funksionin e u.d. drejtorit e kryen në gjysmën tjetër të orarit të punës.

E tani Shqiprimi, “baba” i APN-së kërcnohej që të caktonte edhe një zëvendës, që të merrej me politikë nga portali i paguar dhe madje të bëjnë edhe një “zyre”?!

Ky gjest e hutoi fare opinionin preshevarë dhe atë kosovar, duke u tallur me te e duke sajuar barcoleta e anegdota të ndryshme lidhur me këtë veprim primitiv, qesharak e abuziv.

Me këtë u pa puna se çka na solli Shqiprimi nga Gjermania dhe hoqi çdo dilemë se ai ishte, mjerisht, një matrapaz dhe mashtrues i madh, madje epokal, por dhe zhgënjim e dëshprim i madh për të rinjtë dhe për qytetarët e Preshevës.

Përveç rrëmujës në politikë, në vend të demokracisë së shpresuar e të shumëpritur, Shqiprimi nga Gjermania na solli edhe rrëmujën nëpër xhamia.

Madje, shumë imamë filluan ligjërimin  huttbes me rastin e faljes së namazit të xhumasë ia kushtuan “mbrojtjes së Shqiprimit” dhe sharjes së të tjerëve me fjalor primitiv e banal?!

Pra, Shqiprimi na e futi politikën në xhamia, së bashku me “islamin politik” të vendeve arabe, për të cilët kishte zhvilluar aktivitet të dendur e intensiv në Gjermani.

Pra, për herë të parë në historinë pesëqindvjeçare të islamit në këto troje na u fut këmbëkryq politika në xhamia dhe imamët, ngjajshëm si në Afganistan, Iran, Siri e në shtetet tjera islame, arabe, i drejtuan “gishtat” kundër politikbërjes në Luginë të Preshevës!

Rrëmujë nëpër xhamia, e rrëmujë në politikë!

Rrëmuja e përzierjes së imamëve në mbështetje të Shqiprimit në politike ka krijuar rrëmujë dhe probleme edhe mbrenda xhamiave tona, e veçanërisht tek shumica prej tyre, ku imamët me devotshmëri e përkushtim ruajnë praktikimin e islamit tradicional dhe i rrezistojnë instalimit të radikalizmit dhe ekstremizmit islam, si dhe imponimit të praktikave të sekteve të ndryshme arabe të islamit, si psh. vehabizmit, selefizmit, etj.

Problem irritues paraqet arroganca e këtyre radikalistëve, të cilët nuk i falin synetët e namazit, e as “son synetët” dhe në vend që të hyjnë me kohë në xhami, ata presin para xhamisë apo pijnë kafe apo makiato në kafene dhe futen në xhami vetëm për faljen e “farzëve”.

Por, e keqja më e madhe është se të këtillët, sidomos “ata të politikës”, në krye me Shqiprimin, me rastin e hyrjes me vonesë në xhami krijojnë rrëmujë e shqetësim, por dhe mllefosje, duke u kaluar mbi kokë e duke i shtypir e shtyer xhematlinjtë, për të dalur në sajfet e para, qoftë edhe duke ua prishur mamazin e faljes së “synetëve”.

Veçanërisht gjatë namazit të xhumasë, të premteve, kjo sjellje arrogante e agresive e tyre shkakton rrëmujë më të madhe dhe i nevrikosë me të drejtë myslimanët e devotshëm që ndjekin islamin tradicional (suni-hanefi) në trojet shqiptare në Ballkan.

Pra, pakë a shumë kjo është gjendja aktuale politike dhe klima shoqërore, kulturore e fetare në komunën e Preshevës dhe në Luginë.

Urojmë që ndryshimet e fundit në qeveria qeverisjen komunale të sjellin edhe ndryshime të tjera shoqërore, duke e mbsjtur larg politikbërjen nga feja, por dhe politikën të mos e lëjnë të depërtoj nëpër xhamia.

Sepse, ashtu si përzierja e fesë që e dëmton, rrezikon dhe e prishë politikën, ashtu edhe përzierja e politikës në punët e fesë, si dhe futja e politikës në xhamia e dëmton dhe rrezikon fenë!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch