Home » Opinione » “ZOTI JU NDIHMOFTË”!

“ZOTI JU NDIHMOFTË”!

Shkruan: Nehat Hyseni

Bisedimet e Brukselit midis kryeministrrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton, si përfaqësuese e Këshillit të Bashkësisë Europiane, u zhvilluan disa muaj, në dhjetë raunde dhe përfunduan me dakordimin e palëve negociuese dhe me  “parafimin” e Marrëveshjes, më 19 prill 2013 në Bruksel.

Me këtë akt, opinion dhe politika ndërkombëtare e mirëpriti dhe vlerësoi se përfundoi një etapë e gjatë dhe e vështirë e armiqësisë në Ballkan, midis shqiptarve dhe serbëve. Madje, madje, shumëkushi e quajti këtë marrëveshje si “historike”.

Mirëpo, bisedimet  reth masave të implementimit të kësaj marrëveshje hasën  menjëherë si “sharra  në gozhdë”, meqë ato dështuan gjatë javës së fundit. Dhe natyrisht, si çdo herë deri më tani, pala serbe ishte ajo e cila kishte vendosur kushte shtesë, duke insistuar se duhet zhvilluar bisedime të mëtutjeshme politike për koncesione politike  të reja ndaj saj.

Njohësit e rethanave ky qëndrim serb aspak nuk i befasoi. Përkundrazi, po të ndodhëte e kundërta, pra implementimi i pakusht i Marrëveshjes nga pala serbe, do të na befasonte (për të mirë) të gjithëve me një kthesë aq të madhe dhe me sinqeritetin dhe konsekuencën parimore të asaj politkike. Atëherë do të mendonim dhe do të bindeshim se me të vërtetë ka ndodhur diçka e madhe tek politikanët serb, një kthesë e pabesueshme dhe radikale e tyre.

Por, natyrisht se nuk ndodhi një kthesë  e tillë dhe sipas të gjitha gjasave, thënia se “ujku qimen e ndërron, por hujin s’e harron”, u vërtetua fuqishëm edhe tani. Gjithashtu, edhe pala shqiptare dhe kryeministri Thaçi na befasonte me qëndrimin e tij “parimor” dhe “të vendosur” se “nuk do të ket bisedime të reja” dhe se tani palët negociuese duhet të përkujdesen pë implementimin “pikë për pikë” të Marrëveshjes, duke na “siguruar” se nuk do të ket lëshime dhe koncesione të reja për palën serbe.

Kështu, edhe pala shqiptare, dmth kryeministri Thaçi, nuk kaloi as dy ditë dhe deklaroi se, megjithatë “do të ket bisedime politike”, ashtu si kishte bërë edhe shumë e shumë herë më parë me paraqitjen e tij të vendosur, por edhe me demantimin e mejëhershëm të vetëvetes.

Shyqyr Zotit, tani më jemi mësuar me këto avaze dhe nuk asnjë shansë që të na befasoj ndokush me “premtime” të tilla. Për ne do të ishte befasia më e madhe sikur ato premtime të realizoheshin pa kurrëfarë arsyetimesh dhe kushtesh shtesë, duke sjellur dhe vendosur normalitet në jetën politkike të këtij shteti më të ri në Europë.

Prandaj, mund të konkludojmë se politika ballkanase ashtu e ka: politikën e shikon si veprimtari shoqërore që shërbehet me josinqeritet, moskonsekuencë, korrupsion dhe mashtrime. Sidomos kjo vlen për ekipin negociator të serbëve, të cilët janë duke realizuar shpërnguljen e heshtur të atyre pak shqiptarve fatëkeq që kanë mbetur akoma në Serbi, pa ia trazuar fare “tymin” askush. Ata kështu vepruan në  gjysmën e dytë të shek. XIX, kur gjatë mbajtjes  dhe pas përfundimit të Kongresit të Berlinit për vendosjen e kufijve midis shteteve në Ballkkan, duke i shpërngulur reth 750 fshatra shqiptare nga një sipërfaqe më e madhe se Kosova e sotme si dhe me një numër dyfish më të madh të shqiptarve në krahasim me Kosovën e atëherëshme, duke i mbyllur veshët ndaj reagimeve të diplomacies angleze dhe asaj turke.

Ndërkaq, shqiptarët e Luginës së Preshevës, si “specie” në zhdukje, edhepse tani kemi dy shtete sovrane të shqitarve në Ballkan,  ata i janë lënë vetvetes. Qeveria e Kosovës atyre u “sugjeron” që të angazhohen politikisht dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre kombëtare në bisedime (fantome) me Serbinë. Kurse, në anën tjetër ajo zhvillon bisedime intensive me Qeverinë e Serbisë për serbët e Kosovës. Ky është kulmi i absurdit!! Duket sikur ekziston një marrëveshje e heshtur midis palëve negociuese shqiptaro-serbe që të  sakrifikohen ata pak shqiptarë në Serbi dhe ta lënë politikën dhe qeverinë kosovare, si dhe atë serbe rahat. Por edhe faktorin ndërkombëtarë.

Sepse, siç e dijmë, Medvegja pothuajse e kreu “misionin”, sepse atje 90% e tyre janë shpërngulur, ashtu si edhe Malësia e Bujanocit dhe Preshevës. Numri inxënësve në shkolla është përgjysmuar edhe në rafshin e Bujanocit dhe atë të Preshevës. Pra, bërthama kombëtare e shqiptarve në Luginë është e rrezikuar nga shpërngulja e përmasave biblike, duke i boshtisur dhe duke i lënë shkret këto troje të tyre stërgjyshore.

Por, ajo që i dhemb më së shumti shqiptarve të kësaj pjese të Shqiptarisë është “këshillimi” nga qeveria e Kosovës që t’i drejtohen qeverisë së Serbisë. Ky është absurd i papranueshëm. Pse atëherë nuk u thotë qytetarëve të vet serb që të bisedojnë me Qeverinë e Kosovës, por zhvillon bisedime me Qeverinë e Sewrbisë, bile pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, duke mos këmbënguilur në vendosjen e parimit të reciprocitetit midis shqiptarve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës. Dhe nëse këtë parim nuk e rrespekton Qeveria e Kosovës, nga kush do të presim ne shqiptarët e Luginës së Preshevës që ta realizoj? Ndoshta nga Serbia, apo na vet ta realizojmë në luftë kuyndër makinerisë shtetërore, ushtarake e policore serbe?!

Derisa serbëve të Kosovës askush nuk ia heq barrikadat që i kanë bllokuar rrugët dhe nuk lejojnë funksionimin e shtetit të Republikës së Kosovës, neve shqiptarëve e Luginës nuk na lejohet  as që t’i respektojmë me dinjitet eshtrat e dëshmorëve tanë.

Gjendja e tanishme e mjerueshme e shqiptarve të Luginës dhe mbështetja e tyre nga Shqiptaria, dmth. nga Qeveria e Kosovës dhe ajo me Shqipërisë më tepër i gjason lypsit të lëmoshës në novelat e Migjenit, ku zotërinjtë “koprracë” ia kthejnë me cinizëm e fodullëk: “Zoti ju dhashtë”, duke mos denjuar t’u japin as një “kacidhe” dhe asnjë ndihmë të vetme, përveç ndonjë deklarate “bombastike” kohë pas kohe, sa për të kënaqur opinionin e brendshëm dhe elektoratin e vet.

Kjo ma kujton situatën e viteve të 90-ta, kur sulmohej ashpër nga Serbia kreu politik i Kosovës Fadil Hoxha, një funksionar që ishte kompetent për ta mbrojtur politikisht, kishte pasë deklaruar: “Le të mbrohet vet Fadili”, duke e tradhëtuar dhe duke e lënë atë në (mos)mëshirën e fatit.

Kurse, Qeveria e Serbisë, përveç ndihmës së madhe ekonomike që jep për serbët e Kosovës, që krahasuar me atë sa marrin shqiptarët e Luginës nga Serbia, të cilës i paguajnë tatime dhe taksa, kurse serbët e Kosovës pa i paguar askujt asnjë cent tatim dhe taksa, marrin mbi 13 herë  të ardhura për kokë banori (per capita) në krahasim me shqiptarët e Luginës!

Pastaj, ata marrin edhe nga buxheti i Kosovës!

Shqiptarët e kësaj pjese të Shqiptarisë nuk marrin asnjë cent nga Kosova. E për ndihmë në aspektin e sigurisë, të mos flasim  fare.Vallë, a kështu mendojmë ta mbrojmë, ruajmë dhe kultivojmë shqiptarinë?!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch