Home » Lajme » Zvicra e shqiptarëve sonte kërkon titullin Evropian

Zvicra e shqiptarëve sonte kërkon titullin Evropian

Sulmuesi shqiptar Admir Mehmedi vlerëson se Zvicra ka gjasa të mira për të fituar kampionatin evropian të shpresave (U-21) që po mbahet në Danimarkë.

Mehmedi është sulmuesi i parë i Zvicrës që të shtunën (sonte) nga ora 20:45 do të takohet në finale me përfaqësuesen e Spanjës. Finalja e evropianit U-21 do të zhvillohet në Aarhaus.

Sulmuesi i Zürichut, Mehmedi është njëri prej pesë futbollistëve shqiptarë që po përfaqësojnë Zvicrën në Kampionatin evropian të shpresave. Mehmedi dhe dy mesfushorët nga Kosova, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë shkëlqyer në ndeshjet e deritashme. Pjesë e Zvicrës janë edhe mesfushorët Amir Abrashi e Pajtim Kasami.

Zvicra në finale ka kaluar pa pësuar asnjë humbje, madje edhe pa pësuar gol. Në ndeshjen e parë e mposhti Danimarkën me rezultatin 1:0. Golin e vetëm në atë takim e realizoi Shaqiri. Më pas fitoi 2:0 kundër Islandës. Në këtë ndeshje, Shaqiri asistoi në golin e parë. Në ndeshjen e tretë, të fundit në fazën grupore, Zvicra mposhti Bjellorusinë me shifrat 3:0. Dy gola në atë takim i shënoi Mehmedi, ndërsa një herë asistoi Abrashi. Në gjysmëfinale “helvetikët” mposhtën Çekinë me rezultatin minimal 1:0, pas kohës shtesë. Golin e fitores e shënoi Mehmedi në minutën e 114-të.

“Gjasat për të fituar titullin janë 50 me 50. Jemi dy skuadra shumë të mira që luajmë futboll të bukur dhe ofensiv. Megjithatë, unë besoj se ne do të fitojmë titullin”, ka thënë Admir Mehmedi të premten për gazetën.

Spanja deri në finale ka ardhur pas barazimit me Anglinë (1:1) dhe fitoreve kundër Çekisë (2:0) e Ukrainës (3:0). Në gjysmëfinale spanjollët eliminuan Bjellorusinë.

“Spanja ka ekip shumë të mirë. Për këtë përfaqësuese paraqiten shumë yje, të cilët besoj se do t’i ndalim me sukses”, ka shtuar Mehmedi, që ka lindur në Gostivar. Bojan Kërkiq, Thiago Alcantara, Juan Mata, Diego Capel e David de Gea janë disa nga lojtarët e njohur që paraqiten për Spanjën në evropian.

Zvicra për herë të parë paraqitet në finale të kampionatit evropian të shpresave. Kjo gjeneratë vlerësohet ndër më të mirat në histori të futbollit zviceran.

“Futbollistët shqiptarë kanë ndikim të madh në suksesin që ka arritur Zvicra në këtë kampionat evropian. Të gjithë lojtarët shqiptarë kemi qenë në formë të mirë dhe kemi qenë ndër bartësit e lojës. Me këtë formë të mirë shpresojmë të vazhdojmë edhe në finale”, ka shtuar Mehmedi, që është golashënuesi i dytë më i mirë në evropian, pas spanjollit Adrian Lopez.

Në të vërtetë, evropiani i shpresave është rast i mirë për futbollistët e rinj që të sigurojnë angazhim në klubet e mëdha evropiane. Treshja shqiptare, Shaqiri-Mehmedi-Xhaka ka ngjallur interesimin e skautëve të shumë klubeve evropiane. Shumë klube kanë shprehur interesim për të siguruar shërbimet e tyre. Shaqiri, Mehmedi e Xhaka janë pjesë edhe e përfaqësueses A të Zvicrës. Mesfushori i Baselit, Shaqiri për Zvicrën ka luajtur 11 herë deri më tani, ndërsa Mehmedi e Xhaka debutuan në takim kundër Anglisë që u luajt para tri javësh. Tre shqiptarët pritet të startojnë te Zvicra në takimin final

Monitoring their scent for signs of write my paper for me from writemyessay4me.org distress

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch