Home » Lajme » Zyba Hysa: Kush mbron gjuhën e tij, ka në dorë çelësin e burgut të vet

Zyba Hysa: Kush mbron gjuhën e tij, ka në dorë çelësin e burgut të vet

Është vështirë që një poete të bëjë një temë shkencore mbi studimin e teksteve për përafrimin deri në njehsim për të gjitha shkollat, ku mësojnë fëmijët shqiptarë kudo që janë: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, Çamëri, Turqi, e diasporë, por duke e parë këtë problem me syrin e një mësueseje, një shqiptareje të vërtetë, siç e ndjej unë brenda vetes sime, që bukës i thotë bukë dhe ujit i thotë ujë, thashë me vete:“Pse mos ta bëj!”, a nuk jam dhe unë një nënë, që ua mësova këtë gjuhë fëmijëve të mi, a nuk jam një mësuese, një prind i dytë, që për 37 vjet ato që nënat u belbëzuan fëmijëve qysh në djep, ua kam gdhendur në mendje e zemra me shkronjat shqipe? Me këto motive, kam kërkuar të bëj më shumë, përveç se punës time modeste për tu thurur këngë shkronjëzave floriri të gjuhës sonë dhe të qëndis vargje e përralla, fabula e gjëza deri te libri “Festa e Abetares” me elemente mbarëkombëtare, ku kënga “Shkronjëza floriri” këndohet nga të gjithë fëmijët shqiptarë rreth e rreth botës me zërin e tyre engjëllorë me vargjet:

Ç’ka n’a fliste zemra/E qëndisën shkronjat/Gjuhën që kish nëna/Trashëgojnë shqiponjat/Si pengojnë kufijtë/Që çdo prag shqiptari/Siç pret nëna bijtë/Pret shkronjat prej ari.

Le të ngre edhe unë zërin e të bashkohet me zërat e tjerë më të fortë se unë në këtë fushë që të dëgjohet mirë në Ministritë e Arsimit dhe të Kulturës së këtyre vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë e Kosovën, se shpesh duket sikur ne jemi në opozitë me këto ministri e jo që kemi një dhe vetëm një qëllim: fëmijët shqiptarë të kenë abetare të njëjtë si ai nga Tirana, nga Prishtina, nga Presheva, Shkupi, Çamëria, Ulqini e kudo në diasporë, por që këtu mendoj se abetarja duhet të ketë veçorinë  e saj, ashtu siç e them përsëri në këngën time:

Krahëhapur Tirana/Prishtina me mall/Shkupi, Çamëria/Kudo ka shqiptarë/Si rrahjet e zemrës/Që n’a mbajnë gjallë/Është gjuha e nënës/Na quan shqiptarë!

Jo vetëm ky libër, pra abetarja, që hap dritën për udhëtimin e gjatë të dijes, por edhe librat e tjerë, sidomos, gjuha, leximi, historia, edukata, edukimi muzikor… të shkojnë drejt njehsimit, si një detyrë e ngutshme  që nuk pret, se pavarësisht se në kufijtë përtej Shqipërisë dhe Kosovës është lejuar gjuha shqipe nëpër shkolla, por letërsinë, historinë,muzikën tonë e bëjnë autorë maqedonas, serbë, malazez sipas interesave te tyre e jo në bazë rrugës së historisë, letërsisë, muzikës, traditës shqiptare. Kësaj i thonë, sikur jetëshkrimin për mua, ta bëjë një person tjetër sipas mendjes së tij dhe unë të hesht duke shtruar qafën me përulësi, kjo është e palejueshme, është turpi më i madh dhe dëmi më i rëndë që i bëhet kombit tonë.

Si çdo gjë që ka historinë e vet, edhe gjuha, kombi dhe njeriu kanë histori, që bashkohet në një të vetme. Gjuha është mëndesha jonë mendore, – thotë De Amichis – i, – e marrjes frymë, e mendjes dhe e shpirtit tonë, përjashtimi i çdo gjëje që ka përbrenda vetëm natyrën tonë kombëtare, shllimi më i gjallë e më i fortë i bashkimit tonë si popull, kumbim i kohës së shkuar, zëri i pritmit tonë, jo vetëm fjala, por edhe qëndisja e shpirtit të Atdheut, prandaj një popull i robëruar, thotë Canty, – në mund të ruajë gjuhën e vet, ka mundur të ruajë çelësin e burgut të vet.”

Mund të përmendim historinë e Greqisë, ku fuqia e armëve vërtet e nënshtroi nën zotërimin e Romës, por ruajti gjuhën si dëshmi të kombësisë së saj, po kështu edhe Italia ka qenë e shkelur për një kohë të gjatë prej të huajve, por kudo që flitet italisht, tregon se është popull Italian, edhe ne, kemi qenë të pushtuar me shekuj, por ajo që mbijetoi që ne të identifikohemi si komb, qe gjuha shqipe, që ashtu si njeriu që dallohet nga shenja kryesore që janë sytë, edhe gjuha është syri i një kombi, jo vetëm që e dallon, por edhe e ndriçon në rrugën e përparimit dhe konsolidimit të tij. Në një poezi për gjuhën them:

Ty flaka të ra, po nuk të dogji,

Sëpata të qëlloi, por nuk të copëtoi,

Këmba – këmbës, hasmi të ndoqi,

Por timbri jot, prapë triumfoi…

Dihet se nuk triumfoi se ishte e forte, por patriotet e luajtën mire funksionin e tyre fisnik e atdhetar nëpërmjet shkrimeve, poezive dhe propagandimit të gjuhës shqipe.

Gjuha është trashëgimia më e vjetër dhe më fisnike e një populli, është më e vjetra, se vetë populli që e ka folur e ka formuar dhe përsosur përderisa ka hyrë në udhën e qytetërimit dhe është më fisnike, se është shenja e parë e kombësisë që na lidh me stërgjyshërit tanë e që na bashkon gjithmonë me njerëzit dhe vendin tonë, edhe pse ndodhemi larg atyre.

Ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe, sot është një nga problemet madhore të ditës. Jo vetëm sepse kemi detyrë ta pasurojmë dhe ta zhvillojmë më tej, por edhe për shkakun se ndodhemi përpara disa tendencave të rrezikshme të shkatërrimit të saj.

 

Së pari: Përdorimi i dygjuhësisë, sidomos në viset e banuara në Malin e Zi, Maqedoni, Kosove e kudo qe jetojnë shqiptare në troje etnike dhe diasporë.

Haxhi Shabani te “Rrezikimi i gjuhës shqipe” publikon rezultatet e hulumtimeve që ka bërë në terren mbi marrëdhëniet e shqipes me gjuhën malazeze në situatat e zakonshme të jetës private, në përditshmërinë afariste – ekonomi, në administratë, në politikë, në jetën kulturore, zbavitëse etj., me ç`rast nxjerr përfundime për ndikimet ndërgjuhësore dhe huazimet gjuhësore në këtë regjion (Ulqin me rrethinë), me domethënie shumëplanëshe, që për dashamirët e shqipes mund të tingëllojnë alarmuese

Së dyti: Lëvizja e lirë e njerëzve ka bërë që një numër i madh shqitarësh të largohen nga vendlindja dhe kanë marrë me vete të folurën shqipe, po atje ku jetojnë e punojnë ka rrezik t’i shmangen gjuhës amtare, me apo pa dashje. Diku nga rrethanat në të cilat jetojnë, gjetkë nga presioni që ushtrohet mbi ta për të mos folur shqip, pa përjashtuar dhe faktorë të tjerë, si dhe mosnjohjen e rëndësisë që ka ruajtja e gjuhës amtare,  prandaj një problem tjetër është edhe interesimi për hapjen e shkollave shqipe aty ku punojnë dhe jetojnë shqiptarë, interesimi i vetë prindërve që të flasin me fëmijët në ambientet familjare vetëm shqip, për të ruajtur identitetin e tij kombëtar e për ta trashëguar atë në breza, si detyrë parësore e çdo individi që lind trashëgimtarë dhe trashëgimia më e parë dhe më e vyer, është gjuha që flet nëna që e lindi.

Kanë filluar të kthehen shumë emigrantë dhe është e dhimbshme, se fëmijët e tyre vijnë në klasën e 5, 6, 7, 8, 9…. e nuk dinë të shkruajnë shqip. Ulen në fund të klasës dhe vetëm dëgjojnë. Përgjegjësi parësore mbajnë vetë prindërit, se kjo kohë ka ardhur për ne, që nuk i kanë mësuar vetë, se asnjë nga ata nuk është pa shkollë.

Dikur, kam shkruar vargjet:

Në dhe të huaj, foshnjën lindur,

Por mos harro, ore vëlla,

Bashkë me qumështin që e ke rritur,

Jepi dhe gjuhën që nëna ka!

 

Së treti: Botimet e teksteve shkollore dhe librave artistikë pa një

kontroll të rreptë gjuhësor, se dihet se elementet e gjuhës janë fjalët dhe kur këto janë me të vërtetë burimi i vet, nuk janë të huaja e mbasi këtë burim e ka plarg vetëm në popull e ndër shkrimtarët e tij të mirë e gjejmë sa më të pacënueshme, kuptohet se thjeshtësia dhe pastërtia e gjuhës qëndron, kur e përdorim  atë në mënyrë konstruktive, të cilat janë të përdorshme e të gjallë në gojë të popullit e që përdoren prej shkrimtarëve të tij të shquar dhe të mençur. Duket sheshit, se për ta mbajtur gjuhën të thjeshtë e të dlirë nuk është një rregull arti, për njerëzit e mençur e të ditur, por është një nevojë e një detyrë e çdo njeriu, një detyrë e një nevojë që rrjedh nga ndjenja e lartë e fisnike e kombësisë. Këtu nuk duhet të jemi deri në fanatikë, se ka fjalë të huaja që duke u përdorur për shumë kohë janë bërë pjesë e fjalorit të gjuhës, por jam për atë që, kur në fjalorin tonë ndodhet një fjalë shqipe, nuk kemi pse të përdorim të huajën.

Po të hedhsh një vështrim teksteve shkollore e aq më shumë gazetave, revistave, librave të botuara kohët e fundit, që për fat të keq bien në duar të fëmijëve dhe popullit me plot fjalë të huaja të panevojshme, se kemi fjalë tona shqip, lere më pastaj të flasim për anën drejtshkrimore të gjuhës. Shumë studiues, përfshi këtu dhe profesorët e nderuar që janë pjesëmarrës në Institutin tonë, po bëjnë përpjekje individuale, apo në grupe, për të vënë dorë në këtë katrahurë gjuhësore që po ndodh tek ne, jo më tej kufijve shqiptare. Ka ardhur koha, vëllezër e motra, që të mos presim, por t’i futemi punës si milingonë, tek më e thjeshta, tek ajo që nuk pret, tek ajo tullë e vendosur shtrembër, sesa më shumë të lartohet muri pastaj pjerrësia e tij do bëjë të shembet. Të merremi me gjëra të mëdha, se siç mora vesh, studiues nga Shqipëria dhe Kosova kanë bërë një fjalor gjigant, më i madhi në botë e z. Lulëzim Shishani në prezantimin e tij theksoi:

“Ky libër është një përmendore e gjallë e gjuhës shqipe, në të cilin është shpalosur pasuria më e madhe leksikore e shqipes e mbledhur së bashku në një libër – rreth 150 mijë fjalë, si dhe është pasqyruar me rreptësinë më të madhe shkencore struktura gramatikore e saj, e realizuar në tërësinë e formave të mundshme paradigmatike të fjalëve, lënda e librit përbën një krijimtari shkencore gjuhësore të mirëfilltë dhe, nëse realizohet botimi në formë libri, do ta vendoste shkencën shqiptare në Librin e Rekordeve Botërore Guinness”, tha Shishani. Ai tha se për të shtuar dashurinë për gjuhën shqipe, libri do të udhëtojë nëpër çdo shkollë shqiptare dhe do të ngjallë kërshërinë te të gjithë studentët, nxënësit, gjuhëtarët, letrarët, shkrimtarët, shkencëtarët dhe të gjithë qytetarët shqiptarë. Libri do të udhëtojë edhe nëpër shtete të tjera, sidomos në vendet ku ka shqiptarë, dhe do të marrë pjesë nëpër panairet e librit kudo që organizohen, për të bërë të njohur në mbarë botën kulturën shqiptare, elementin më të rëndësishëm të identitetit kombëtar – gjuhën shqipe. “Libri do të jetë edhe një mënyrë e mirë për të loguar për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe për ta nxjerrë Kosovën në mediet botërore për këtë arritje kulturore-shkencore e teknike të lakmueshme edhe në botën e jashtme (madje ne jemi të sigurt se do të jemi të parët me një libër/krijimtari të këtyre përmasave), libri do të bashkojë të gjithë shqiptarët pa dallime rajonale, politike apo fetare rreth pasurisë kombëtare të përbashkët më të çmuar – gjuhës shqipe”, theksoi Shishani. Ai më tej tha se në këtë libër për herë të parë gjatë tërë historisë janë pasqyruar thuajse të gjitha fjalët e gjuhës shqipe në të gjitha format e mundshme të tyre, duke u zgjedhuar çdo folje, duke u lakuar çdo emër, çdo mbiemër, çdo përemër etj.

Pasuri e kombit shqiptar

Na ngazëllen  ky fakt, se ai që punon për gjuhën, siguron vazhdimësinë e kombit, se të propagandosh në botë gjuhën tënde, ke paraqitur identitetin tënd, se ka ardhur një kohë që “të mençurit” shqiptarë, kur flasin nëpër organizma ndërkombëtare, nuk dëshirojnë të flasin në gjuhën tonë, por me cilëndo qoftë gjuhë tjetër, veç të jetë e huaj, si shenjë e “kultures” së lartë të folësit, por ai nuk e kupton se po bën tradhti kombëtare, po mohon gjuhën e tij, elementin e parë të identitetit të tij shqiptar, por mos harrojmë se për kushtet aktuale jo të përqendrojmë vëmendjen tek gjërat e mëdha e të harrojmë disa probleme të vogla në dukje, se, siç e thashë më lart, edhe vendosja e një tulle pak shtrembër, nëse nuk e nivelomë, kur muri të dalë në krye, do të shembet dhe na rrofshin projektet që mbajmë nëpër muze si më të mirat në botë. Ne e kemi gjuhën tonë, ta pasurojmë me fjalorë, mirë bëjmë, por do ishte shumë herë më mirë që të futeshin në tekste shkollore fjalë të paqena më parë që edhe mund të zëvendësojnë fjalë të huazuara, se nga eksperienca e punës, shumë mësues as që prekin me dorë fjalorin e jo më ta bëjnë pronë të nxënësve e më gjerë.

 

Së katërti: Përgatitje e kuadrit arsimor nga universitetet tona.

 

Të jemi të vetëdijshëm: kuadrot e mësuesisë, për fat të keq, janë për të bërë kurse kualifikimi, ashtu siç ka bërë pas çlirimit, që nuk kishte shkolla, se diplomat e tyre mbajnë erë padije, se një mësuese që kishte mbaruar për gjuhë – letërsi në Vlorë, vetëm në një kërkesë që i bëri drejtorisë së shkollës, i numëroheshin mbi 17 gabime drejtshkrimore e çfarë mund të japë tek nxënësit, apo deklarimet e “profesorëve” për studentët që kur u thonë të shkruajnë emrin e tyre në dërrasë, fillojnë me shkronjë te vogël dhe nga mesi i venë një të madhe e mbarojnë me te vogël.  Po këta “profesorë” që bëjnë deklarime, u kanë dhënë diploma mësuesie dhe për fat të keq, nuk ka humbës, të fituar janë profesorët, se mbushin xhepat dhe studentët që marrin karta identiteti të injorancës që pasi paguajnë një shumë mbi shumën e “profesorëve” vijnë nëpër shkolla dhe bëjnë gjuhë shqipe, me këto fakte, nuk dua të them që të vemë kujën, por të punojmë me tekstet, që nxënësi dhe vetë mësuesi të mësojë nga ta. Nisma e Institutit tonë, është një nismë që nuk duhet të ndalojë më, por me planifikim konkret, me afate dhe të gjejë rrugë që dalin me krye e jo pa krye, se kjo do mbetet në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare mbarëkombëtare, si puna më e domosdoshme dhe më frutdhënëse se mijëra fjalorë gjigantë që do zënë raftet e bibliotekave dhe do t’i mbulojë pluhuri i harresës, apo do marrin edhe çmime deri dhe Guinness.

 

Tani jemi përballë një fakti të tillë, që po kthehen emigrantë, ndaj t’i propozohet Ministrisë së Arsimit për orë shtesë për kurse gjuhe mbrenda shkollës nga mësues të veçante ose të plotësohen me orë mësimi në normë.

Këto mendoj janë faktorët që nuk e favorizojnë të qenit e dlirë dhe e qëndrueshme mbi themelet e saj gjuhën shqipe, duke mos përjashtuar dhe futjen e elektronikës në jetën e përditshme, ku më shumë dëgjohet e shikohet, se flitet, shkruhet e lexohet.

Përballë këtyre fakteve kokëforta, mendoj se shekulli i ri solli liri më të mëdha dhe shtrat të lirë për përdorimin e gjuhës shqipe, sidomos në vendet jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, por kjo liri na ka bërë të pakujdesshëm, se liria duhet të na japë mundësi, por jemi ne ata që duhet të realizojmë dëshirat tona përmes një pune të vazhdueshme dhe syçelë. Liria, nga ndonjëherë, bëhet më e rrezikshme se skllavëria, se njeriu është i prirur të shkojë kundër rrjedhës, ndaj ne kemi dhënë edhe jetën për gjuhën, kemi mësuar fshehtazi, edhe pse e dinim se mund te kushtonte jetën, çfarë na pengon sot? Armiqtë e gjuhës sonë, kanë qenë dhe mbeten armiqtë e kombit dhe pikërisht këtu kanë synuar, por për momentin kanë bërë lëshime, kjo nuk do të thotë se kanë ndryshuar, por kanë ndërruar strategji. A ka më tmerr që me gjuhën tënde të mësosh historinë, letërsinë, muzikën… tënde të fabrikuar nga maqedonas, serbë, malazezë…? Kanë lëshuar ujin, por rrjedha shkon po atje ku duan ata, duke i bërë fëmijët shqiptarë të ndjehen si pa trashëgimi, pa kulturë, pa histori të lavdishme e kështu qetë – qetë i bëjnë ata që edhe gjuhën të mos e shohin ashtu siç është ajo, e lashtë dhe më e lashtë se gjuhët tjera që na rrethojnë dhe të ndodhi siç ndodhi në Preshevë që një nën drejtor serb, përshëndeti serbisht dhe 50 shqiptar ia kthyen përshëndetjen serbisht, pra jo shqip.

Një komshi që do të shkatërrojë një familje, nuk mundohet të bëjë tjetrin të besojë se bën shumë për të, por duke i sharë prindërit që ta bindë për t’i braktisur, kështu po na ndodh ne, ndaj o sot, o do të jetë vonë për ne, se në Shkup, edhe emri i të Madhes Terezë, nuk shkruhej me shkronja shqipe, por maqedonase, s’ka pse flet më shumë, kush e lexon, thotë se është maqedonase….

Të rizgjohemi, se edhe ndërkombëtarët u qajnë hallin të zotëve të shtëpisë në shtëpinë tonë e shpesh duke cilësohemi fajtorë. Po, ne jemi fajtorë, po jemi fajtorë që jemi bujarë e respektojmë tjerët, pa u thelluar se ata këtë respekt e marrin për dobësi dhe na injorojnë dhe na bëjmë të ndjehemi ne fajtorë. Jemi fajtorë se kundërshtarin e kemi pranuar në sofrat tona, i kemi dhënë lugën, bile me bisht të gjatë, që mund të arrijë të hajë më shumë se ne. Sot nuk është nevoja të japim jetën për përhapjen e gjuhës shqipe, kush e do e gjen edhe në internet, por si munden intelektualët dhe arsimtarët e këtyre shkollave të flasin shqip kundër vetvetes dhe nuk ka dalë një të protestojë, të mos japë mësim me histori, letërsi edukatë e muzikë të shkruar me dorën e atyre që shqipen e kanë sulmuar deri në mospërdorim edhe në familje, se unë kam pasur fatin, t’i prek këto probleme nga afër, si anëtare e këtij institute, dhe jam gati t’i shërbej kombit dhe gjuhës, edhe me jetën time, edhe me frymën time të krijimtarisë, se uk mund të jesh shkrimtar me përmasa botërore, po qe se krijimtaria jote nuk ndihmon kombin tënd, përkundrazi, është elementi kryesor i të qenit shkrimtar me përmasa universale.

 

II. Krahasimi i tekstit të gjuhës së klasës së VIII – të në shkollat e Shqipërisë dhe Maqedonisë.

 

Në mungesë të teksteve tjera, unë studiova tekstin “Gjuha shqipe 8” qe zhvillohet në Shqipëri, botuar prej shtëpisë botuese “Albas” dhe me autorë Rita Petro, Idriz Metani dhe Adelina Çerpja, si dhe librin “Gjuhë shqipe 8”që zhvillohet në Maqedoni me autor Islam Karanfili dhe Zihni Osmani dhe dola në përfundim, se teksti i Maqedonise ka mangësi që në faqet e para te tij, se nuk përcaktohen qartazi:

Kriteret e hartimit te tekstit “Gjuhë shqipe 8”

Struktura e tekstit.

Rubrikat mësimore.

Përzgjedhja e njohurive ( tekstet letrare e joletrare)

Përmbajtja e temave e ndarë:

Njohuri letrare

I. Letërsi gojore

II. Letërsi e shkruar

– Epika

– Lirika

– Dramatika

III. Tekste e llojeve të ndryshme.

Njohuri gjuhësore, nga 40 tema që ka teksti që zhvillohet në Shqipëri, atje 25 tema dhe nuk ndahen në:

Morfologji

Drejtshkrim

-Sintaksë

Leksikologji

– Kulturë gjuhësore, por jepen direkt titujt e mësimeve siç bëhet lista e ushqimeve që blihen në supermaket., mungojnë temat më të rëndësishme të gjuhës, “Fjalëformimi”, si mjet për pasurimin e gjuhës shqipe. Nuk ka shumë ushtime në funksion të ushtrimit të pavarur të nxënësve.

Vihet re në përpilimin e aparatit pedagogjik, se ka mangësi të mëdha, sidomos në përcaktimin e rubrikave. Po të marrim të njëjtën temë “Kush e solli Doruntinën” të shkrimtarit Ismail Kadare, merret i njëjti fragment, jepet i njëjti koment, para se nga është shkëputur, jepen të njëjtat pyetje për rubrikën “Reflektim kuptimor” që janë:

Kur dhe ku zhvillohet ngjarja?

Cilët janë personazhet?

Si përfundon ngjarja?

Cila është porosia e tekstit?

Pyetjet tjera që ka “Gjuha shqipe 8”e Shqipërisë si:

Aty ku mbaron balada, fillon tregimin Kadareja, lidhni fragmentin e mesipërm.

Me cilën kohë afron figura e Stresit, me kohën moderne, apo me kohën e pa përcaktuar të baladës.

Për çfarë kërkon ta besojë Doruntina që ta besojnë dhe pse Stresi këmbëngul në të vetën. Besa nuk përmendet, pon ë cilët raste mendoni se nënkuptohet?

Para, siç shihet, pyetjet që kanë të bëjnë me të menduarin krijues të nxënësit, hiqen nga kjo rubrikë e aparatit pedagogjik, ndërsa rubrikat:

Reflektimi gjuhësor e stilistik, mungon fare dhe pyetjet si:

Në cilën vetë bëhet rrëfimi në këtë novelë?

Si gërshetohet elementi fantastik i baladës  me elementet e një proze moderne. Ndaluni si i drejton dhe si vepron Stresi?

Kadareja është mjeshtër i krijimit të fjalëve të reja si: thashethemnajë, mjergullnajë, fushëri, lotëri… Gjeni vendin dhe efektin e përdorimit të tyre të figurshëm, nuk përfshihen fare.

Rubrika „Detyrë“ shumë e përgjithshme „Lexoni veprën e plotë të Kadaresë“, ndërsa tek gjuha jonë jepet një detyrë qe kryen shumë funksione si dhe një temë për diskutim „Që Shqipëria të mund tëmbijetonte nga dyndjet barbare (rreziku osman ne ballkan), asaj i nevojitej, jo vetëm trimëria, lufta, por edhe identiteti kombëtar.: Këngët… Plotësoni të tjerat. Diskutoni rreth kësaj çështjeje.

Duke analizuar një temë mësimore dhe duke i parë se të gjitha temat kishin po këto mangësi, dal në përfundim se gjuha shqipe shkruhet dhe lexohet, por vetëm kaq, me anë të saj nuk nxitet nxënësi në kërkim dhe nuk ka pyetje „Pse?“, por thjesht një kopjac, një shikues, dëgjues e jo argumentues, që populli ynë ka një shprehje: „Qe Kola në punë… qe… Ajo nuk e luan rolin kryesor të trasmetimit të trashëgimisë kulturore dhe historike të popullit tonë në shekuj, si dhe s’ka si të hapë horizonte të reja për të ardhmen e kombit tonë.

 

ZYBA HYSEN HYSA

VLORE, SHTATOR 2011

Make sure collegewritingservice.org/ that you clearly understand any expectations that go along with the job

One Response

  1. […] Zyba Hysa: Kush mbron gjuhën e tij, ka në dorë çelësin e burgut të vet Është vështirë që një poete të bëjë një temë shkencore mbi studimin e teksteve për përafrimin deri në njehsim për të gjitha shkollat, ku mësojnë fëmijët shqiptarë kudo që janë: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, Çamëri, Turqi, …. Ai tha se për të shtuar dashurinë për gjuhën shqipe, libri do të udhëtojë nëpër çdo shkollë shqiptare dhe do të ngjallë kërshërinë te të gjithë studentët, nxënësit, gjuhëtarët, letrarët, shkrimtarët, shkencëtarët dhe të gjithë qytetarët shqiptarë. … http://www.kosovalindore.com/ — Sat, 17 Sep 2011 09:42:53 -0700 […]

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch