Autobusët serbë të udhëtarëve, “Lasta” dhe “Jedinstvo-Kavim” nga Vranja, janë kthyer nga pika kufitare Dheu i Bardhë, sepse nuk kanë leje qarkullimi. E njëjta vlen edhe për autobusët e “Nis Ekspres”.
Sipas drejtorit të kompanisë “Lasta”, Velibor Sovrovic, autobusi është nisur dje kur Policia e Kosovës nuk e ka lejuar hyrjen e tyre në Kosovë. Autobusi qarkullon rregullisht në linjën për Ranillug dhe Shillovë të Gjilanit.
“Udhëtarët i kanë thirrur të afërmit për ndihmë dhe pas dy-tri orëve janë bartur me vetura dhe furgona privat”, ka thënë Sovrovic, raporton “B92”.
Ai ka shtuar se pjesëtarët e policisë së Kosovës kanë kërkuar vërtetimin dhe lejen e qarkullimit të lëshuar nga Prishtina.
“Nuk kemi leje të tillë e as që duam ta kemi. Por, nuk mund të lejojmë që për çështje administrative ta pësojnë udhëtarët”, ka thënë Predrag Lukic nga “Lasta”.
Milorad Arsic nga kompania “Jedinstvo-Kavim” ka thënë se dje janë kthyer dy autobusët e tyre.
“Janë kthyer me arsyetimin e inspektoratit të trafikut të Kosovës se nuk kemi leje”, ka thënë ai.
“Autobusët tanë që dy ditë nuk e mbajnë linjën për Kamenicë, që ekziston që dhjetë vite, dhe të njëjtin problem e kanë edhe transportuesit e ‘Lasta’ dhe ‘Nis Ekspres’ me të cilët do të kërkojnë zgjidhje të përbashkët”.