Home » Kulturë » 70 vjet – Humbëm një shkollë, por fituam një legjendë

70 vjet – Humbëm një shkollë, por fituam një legjendë

Ky vit shënon 70- vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Njëkohësisht ai shënon edhe 70- vjetorin e themelimit të shkollës ushtarake “Skëndërbej”. Me këtë rast, Shoqata “Skëndërbegasi” organizoi një sesion jubilar në Qendrën Kulturore të Ushtrisë në Tiranë.

Si gjithnjë, salla mbushet plot me ish nxënës me moshë mbi 70, 70 dhe nën 70 vjet. Shumica syresh janë pensionistë, pasi kanë shërbyer kryesisht në ushtri, polici, diplomaci, ingjinieri, krijimtari artistke, arsim, ekonomi etj. Takova aty Nëvruzin, që ka dalë në lirim si ushtarak dhe tani është kryetar i “Shoqatës së Ushtarakëve në pension” antare e Shoqatës Evropiane përkatëse; Bashkimin, që ka shërbyer mbi 40 vjet në sektorët ekonomikë të ushtrisë në mbarë vendin; Eqremin, që ka qenë diplomat dhe zbulues. Lirimin, që ka qenë poet e shkrimtar; unë vetë kam qenë mësues.

Kryetari i Shoqatës, z. Mikado Shakohoxha e nisi përshëndetjen e tij me shprehjen që e vura në titullin e këtij shkrimi. Shkolla u mbyll në vitin 1992 duke u quajtur si relike e regjimit të kaluar komunist, por mbase thjesht për arsyse ekonomike. Kjo u vazhdua edhe me reduktimin e shkollave të larta ushtarake me kalimin e viteve, deri aty sa pritet të mbyllën fare së shpejti. Në fakt, ne nuk kemi sot ushtrine e rregullt prej 60 mijë vetësh nën armë si para 1990, as armatimet dhe mjetet e saja luftarake jo të papërfillshme (240 avione , mbi 70 anije, mijëra tanke etj). Gjatë këtyre 25 viteve kemi parë se si është punuar, gjithnjë sipas udhëzimeve e kërkesave të shteteve aleate, për asgjësimin jo vetëm të municioneve të tepërta, por edhe të pushkëve, topave, etj. Ka ndryshuar strategjia ushtarake. Hapësira ajrore kontrollohet nga forcat italiane, po ashtu bregdeti. Ato pak oficerë që drejtojnë repartet speciale trejnohen jashtë shtetit. Buxheti për ushtrinë është madje më i vogël sa këtë e kërkon detyrimi që vjen nga anëtarësimi në NATO.

Ndërkaq ka nisur vërtet sërish një periudhë e “Luftës së Ftohtë”, kërcënimi që vjen nga konflikti Rusi- Ukrainë, nga ISIS-i etj është real. Më të vërtetë jam i shqetësuar.

Shkolla “Skëndërbej” ka qenë një burim cilësor kuadrosh për ushtrinë e më gjerë, ngjashëm më ish Shkollën Teknike Amerikane, ish Liceun Francez, ish Institutin Femnor “Nana Mbretëreshë”, që nxorën jo vetëm kuadro të vlefshme por edhe atdhetarë të mëdhenj. Është tjetër gjë që regjimi komunist me propagandën e tij i mëkonte edhe skëndërbegasit me “dashurinë për Partinë”, me “besnikërinë ndaj udhëheqësit të saj”, me “ideologjinë marksiste- leniniste”. Se sa me ndikim qe kjo propagandë e kuptuam pas 1990, kur edhe ish skëndërbegasit u përfshinë në lëvizjen demokratike për një shoqëri pluraliste politikisht dhe ideologjikisht.

Mendoj se asgjë të keqe nuk kishte Shqipëria në se kjo shkollë do vijonte të ekzistonte, mbase me numër të reduktuar nxënësish, që megjithatë, pasi merrnin një arsim solid shkencor sikurse gjimnazi civil, por edhe njohuri dhe shkathtësi ushtarake, mund të vijonin universitetet civile ose ushtarake. Do ishte një barrë për buxhetin, por edhe tani ekzistojnë konviktet e shkollave civile.

Shqipëria e vogël, sikurse edhe Kosova e vogël kanë nevojë për ushtrinë e vet. Pa qenë i fortë një një komb nuk mund të jetë i lirë!

Z. Bajram Meta në ligjëratën e tij pasqyroi mjaft bukur e saktë historikun e shkollës dhe u bëri homazh ish mësuesve të saj. Midis të tjerash më tërhoqi vëmëndjen vlerësimi për një mësues të letërsisë të viteve 1950, Eftimiadhin, që “Danten e recitonte në italisht, Bajronin në anglisht, Gëten në gjermanisht dhe Hygonë në frëngjisht”. Foli edhe një nga drejtorët e shkollës, z. Fiqiri Shtëpani, që më ka dhënë kimi edhe në shkollën tjetër civile ku kalova në fund të vitit 1961. Lirim Deda përmëndi shumë nga skëndërbegasit që janë bërë të njohur edhe me krijimet e tyre artistike, si Mirush Jero, Gjergj Vigani, Hysni Milloshi, Arben Duka, Ibrahim Gani (bashkëshorti i mësueses së paharruar Drita Hajro) etj. Për të nuk kish aspak rëndësi të kujt krahu politik ata u bënë më pas, të gjithë ishin bij të kësaj shkolle të lavdishme.

Në fund kryetari, z. Shakohoxha njoftoi se festimet e 70- vjetorit do bëhen si zakonisht me 28 mars, pikërisht 70 vjet pas themelimit të shkollës sonë të dashur.

Bardhyl Selimi

70 vjet-Bardhyl Selimi-1

70 vjet-Bardhyl Selimi-2

70 vjet-Bardhyl Selimi-3

70 vjet-Bardhyl Selimi-4

70 vjet-Bardhyl Selimi-5

70 vjet-Bardhyl Selimi-6

70 vjet-Bardhyl Selimi-7

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress