Home » Opinione » A e kemi humbur Luginën e Preshevës?

A e kemi humbur Luginën e Preshevës?

Shkruan: Nehat Hyseni

Derisa serbët e Kosovës në Bruksel përfaqësohen nga Daçiqi, shqiptarët e Luginës janë ftuar në Beograd.  A janë duke iu përmbajtur  parimit të reciprocitetit me serbët e Kosovës partite politike shqiptare të Luginës?  Ky parim u mbështet edhe nga partite shqiptare të Kosovës, duke miratuar Rezolutën në Kuvendin e Kosovës, më 6.06.2013. Vallë, a do t’i përmbahet Kosova kësaj Rezolute? Boshatisja “e heshtur” e Luginës së Preshevës dhe braktisja e këtyre trojeve të tyre stërgjyshore, tani më ka arritur fazën alarmante. Kështu të braktisur, duke iu lënë në duar fati i (pa)përgjegjësisë së kobëshme dhe denigruese të lidershipit aktual të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, të gjithë së bashku do të jemi (bashkë)fajtorë për humbjen e Luginës!

 

Ku mbeti reciprociteti?

Lidershipi i shqiptarve të Luginës së Preeshevës është ftuar që më 15 korrik 2013 të merr pjesë në takimin me kryetaarin e Qeverisë së Serbisë, i cili njëkohësisht është edhe kryenegociator I Serbisë në dialogun e Brukselit për “normalizimin” e marëdhënieve me Kosovën. Njëkohësisht, z. Daçiq është edhe kryetar i SPS-it, që e themeloi ish diktatori Sllobodan Millosheviq,i cili vdiq në Hagë, ku gjykohej për “krime kundër njerëzimit”, pa e pritur aktgjykimin.

Pra, ai gjykohej për krimet e bëra nga Serbia në Bosne, Kroaci dhe në Kosovë, nga e cila u dëbuan reth një million shqiptarë, u vranë reth 14.ooo viktima, kurse reth 3000 të zhdukur, akoma nuk janë gjetur. Shumë viktima, humbje material e fatkeqësi njerëzore solli partia e tij politike. Kurse tani, si për ironi, udhëheqësi i të njejtës parti politike udhëheq bisedimet me Kosovën, e tani edhe me shqiptarët e Luginës.

Derisa serbët e Kosovës në raport me Qeverinë e Kosovës dhe me Këshillin e Europës, në Bruksel, përfaqësohen nga Daçiqi, shqiptarët e Luginës janë ftuar të marrin pjesë në bisedimet në Beograd, duke e përfaqësuar vetveten, e jo siç ndodhi me serbët e Kosovës. Sepse, në atë rast, poqese shqiptarët e Luginës do të trajtoheshin në mënyrë të barabartë me serbët e Kosovës, sipas parimit të reciprocitetit, të cilin e deklaruan moti kohë të gjitha partitë politike shqiptare, sipas parimit “as më shumë e as më pak se sa serbët e Kosovës”, atëherë për ata do të duhej filluar një dialog iri në Bruksel. E kurrësesi të shkojnë ata në Beograd, si “capi te kasapi”, pa kurrëfarë garancash.

A do t’i përmbahet Kosova Rezolutës së vet?

Po tani ç’po ndodhë? A janë duke iu përmbajtur  këtij parimi të reciprocitetit me serbët e Kosovës partite politike shqiptare të Luginës?

Ky parim u mbështet edhe nga partite shqiptare të Kosovës, duke miratuar Rezolutën në Kuvendin e Kosovës, më 6.06.2013. E tani, shqiptarët pyesin: A do t’i përmbahet Kosova kësaj Rezolute? A do ta heq taksën doganore 20 euro për një javë, ose 1042 euro për një vit. Pse u vendosë taksat shtesë prej 100 eurosh pë një kamion ? Na pritnim heqje, kurse neve menjëherӕ pas miratimit të Rezolutës në Kuvendin e Kosovës, neve na u shtuan gjobat dhe taksat?!

Në shtypin kosovar  u paraqitën shkrime me titull se Kosova poi a bartë “valixhet Serbisë në rrugën për Europë”, duke u aluduar se nga dialogu Kosovë-Serbi përfitime reale ka vetë Serbia. Kurse Kosova paraqitet vetëm paraqitet në rolin për ta ndihmuar atë në drejtim të pranimit të saj në Bashkësinë Europiane.

Kosova “valixhet”,  kurse Lugina “vellon”?

Poqese ka së paku një grimcë të vërtete në këtë pohim, e që vështirë është ta mohojmë. Atëherë, shkuarja e lidershipit shqiptar të Luginës së Preshevës më 15 korrik në Beograd tek Ivica Daçiqi do të paraqiste bartjen e vellos së Serbisë drejt altarit të BE-së.

Por, mbetet pyetja se çka do të fitojnë shqiptarët e Luginës nga këto bisedime, pa asnjë garancë të mirtëfilltë ndërkombëtare e kombëtare? A do ta përjetoj fatin e njejtë marrëveshja eventuale e Beogradiot, si ajo e Konçulit 2001? Si edhe shumë premtime e marrëveshje tjera të Serbisë deri më tani.

Derisa përgjigjet e shtruara janë pa përgjigje, sepse askush nuk din se çfarë realisht do të ndodhë. Megjithatë, një ngjë dihet fare mirë. Pra, se kjo pjesë po braktiset me të madhe nga shqiptarët, duke na bindur gjithënjë e më tepër në dyshimet tona lidhur me Planin secret të Qeverisë së Serbisë për “shpërnguljen e heshtur” të shqiptarve nga Serbia.

Kah do t’ia mbajnë shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Të gjitha këto pyetje janë të shtruara me tërë zymtësinë mbytëse në këto ditë vape të qershorit. Natyrisht, shqiptarët e Luginës presin përgjigje. Por edhe opinion mbarëshqiptarë dhe ai ndërkombëtar. Prandaj, me të drejtë ata pyesin: Vall, çka do të ndodhë? Kah do t’ia mbajnë shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Këto janë pyetje dhe  sfida që kërkojnë përgjigje, mbase të merituar, nga populli.

Se sa do t’i përmbahen parimeve të deklaruara shqiptarët e Luginës së Preshevës, kjo gjë mbetet të shihet. Por, gjykuar sipas sjelljes së liderëve të tyre politik, që u dëshmua edhe në ngjarjet e “bujëshme të këtij fillimviti lidhur me Lapidarin e UÇPMB-së, nuk është vështirë të konkludohet.

Mjafton të merren nga shtypi deklaratat e tyre “bombastike”, si dhe premtimet e krenosjet, por edhe kërcnimet “heroike” të tyre. Se sa ka kredibilitet dmth. besim,  ky lidership, tek shqiptarët e Luginës,  është e tepërt të flitet.

Mjafton të përkujtohen deklaratat e kreut politik të Kosovës, kua ata quhen ”tradhëtarë të shqiptarizmës”, “të padenjë”, “pa dinjitet”,” pa moral” etj.etj. Por edhe sikur t’ia shtronim tani pyetjen kapitale atyre:

A i besojnë vetvetes?

Nuk besoj se askush nga shqiptarët e Luginës  do të besonte se do të merrnim përgjigje pozitive në këtë pyetje!

Shtrohet pyetja : Pse? Sepse, ata nuk e kanë me sinqeritet politikën dhe nuk ndiejnë kurrëfarë, po e (stër)përsëris: kurrëfarë përgjgjësie morale e as njerëzore, e të mos flasim për përgjegjësi politike të tyre. Vetëm merren me ndërskamca ndaj njëri tjetrit, duke përdorur shpeshëherë fjalorin aq të ultë dhe aq primitiv, të padinjitetshëm e shpeshëherë edhe të pamoralshëm e vullgar, sa që ta çon, si themi ne, “gërdinë”.

Andaj, meqë nuk ekziston as besimi minimal te ky lidership, ata edhe nuk mund të na përfaqësojnë! Askund ku vendoset për fatin tonë. Prandaj, duhet shpallur fillimisht zgjedhjet e jashtëzakonëshme, dhe nga lidershipi që merr besimin e popullit t’i besohen përgjegjësitë për të vendosur për fatin tonë.

Matrapazllëqet

Përndryshe, druajmë se do të kemi të bëjmë me matrapazllëqe personale dhe me tregëti me fatin e kësaj populate të shkretë. Pasojat do të jenë edhe më të rënda, duke humbur shpresën definitivish, si dhe duke u bindur për të satën herët se janë shitur interesat e shqiptarve të kësaj ane dhe se me farsë politike vetëm sa shikohet të kamuflohen, e jo të zgjidhen problemet e tyre.

Kështu do të veprohet deri në boshatisjen definitive të këtyre trojeve nga shqiptarët, duke e mbështetur heshtazi atë. Argatin kësaj pune po ia bënë edhe lidershipi i tyre, i cili politikën po e shikon si biznes shumë fitimprurës, me fatin e kësaj pjese të Shqiptarisë, duke u pasuruar personalisht shumica prej tyre me pasuri marramendëse nga politika.

Boshatisja e Luginës së Preshevës dhe braktisja e këtyre trojeve të tyre stërgjyshore, tani më ka arritur një fazë alarmante. Poqese shprehemi me fjalorin medicinal, Medvegja dhe Malësia e Bujanocit, si dhe Karadaku i Preshevës janë në fazën e agonisë, duke numëruar frymëmarrjet e fundit, para “vdekjes” definitive.

Kështu të braktisur, duke iu lënë në duar fati i (pa)përgjegjësisë së kobëshme dhe denigruese të lidershipit aktual i kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, të gjithë së bashku do të jemi (bashkë)fajtorë për humbjen e Luginës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch