Abazoviq me deputetët e shumicës së vjetër parlamentare mbledhin nënshkrimet për shkarkimin e Gjukanoviqit
Deputetët e shumicës së vjetër parlamentare kanë mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, të cilat ia kanë dorëzuar kryetares së Parlamentit, Danijela Gjuroviq.
Në nismën për shkarkim thuhet se Gjukanoviq ka shkelur Kushtetutën pasi siç pretendojnë ata, nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike në konsultimet për formimin e qeverisë, e as Miodrag Lekiq-in, i cili sipas marrëveshjes së shumicës parlamentare, mori mbështetjen e 41 deputetëve për të qenë mandatar për përbërjen e qeverisë së re.
Propozimi u nënshkrua nga deputetët e ‘Frontit Demokratik (DF)’, ‘Mali i Zi Demokratik’, ‘Lëvizja Qytetare URA’, ‘Partia Popullore Socialiste (SNP)’, ‘Lëvizja për Ndryshim (PzP)’ dhe ‘CIVIS’, transmeton mediumi malazez ‘Portal Analitika’.
Sipas nenit 98 të Kushtetutës së Malit të Zi, një procedurë e tillë për të parë nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën mund të iniciohet nga Kuvendi, me propozimin e së paku 25 deputetëve.
Ndryshe, më 20 shtator, shefi i shtetit ka propozuar shpërndarjen e Parlamentit malazez.
Ai i ka dërguar një propozim kryetarës së Parlamentit, që t’i shkurtohet mandati legjilsativit, pas dështimit të formimit të një qeverie të re nga ana e shumicës së vjetër parlametnare.
Në sqarimin e tij, Gjukanoviq ka theksuar se më 15 dhe 16 shtator të këtij viti ka mbajtur konsultime për të zgjedhur një mandatar për përbërjen e qeverisë me përfaqësuesit e partive parlamentare, përkatësisht koalicioneve të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi.
Ai pohon se përfaqësuesit e ‘Frontit Demokratik (DF)’, ‘Malit të Zi Demokratik (DEM)’, Partisë ‘Popullore Socialiste (SNP)’ dhe ‘Lëvizjes Qytetare URA’, nuk iu përgjigjën thirrjes për takim.
“Besoj se kjo është zgjidhja më e mirë në situatën e caktuar politike dhe se është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, sepse hap mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sa më shpejtë të jetë e mundur, të cilat do të mundësojë zgjedhjen e një qeverie që do të veprojë me kapacitet të plotë”, kishte deklaruar ai.
Kryetari i partisë malazeze ‘Aleanca Demokratike (Demos)’ nga formacioni politik ‘DF’, Miodrag Lekiq, ishte zgjedhur mandatar për të formuar qeverinë e re të Malit të Zi bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020.
Average Rating