Home » Lajme, Opinione » Agjenturat antishqiptare dhe misioni i tyre në Luginë të Preshevës (3)

Agjenturat antishqiptare dhe misioni i tyre në Luginë të Preshevës (3)

Shkruan: Nehat Hyseni

Agjenturat e ndryshme antishqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX, pra,  ishin të fokusuara në rekrutimin e klerit fetar dhe parisë shqiptare dhe me marshimin kriminal të soldateskës serbe dhe okupimit bullgar, i masakruan popullatën shqiptare dhe arritën që t’i përgjysmojnë trojet shqiptare në Ballkan.

Ndërkaq, Lufta e Dytë Botërore (1939-1945) filloi me okupimin nazi-fashist dhe në fund na e solli Perandorinë pansllaviste ruse dhe ideologjinë komuniste

në Europën Lindore dhe në Ballkan, duke i përfshirë edhe viset shqiptare.

E shtyrë nga vlerërsimet dhe pritshmëritë joshëse për Shqipërinë nga ministri Çiano, dhëndërr i Benito Musolinit, Italia fashiste e pushton Shqipërinë më 7 prill 1939.

Kurse, Kosova pushtohet dy vjet më vonë nga Gjermania naziste e Hitlerit dhe me Italinë fashiste të Musolinit, e ndajnë Kosovën në zona okupimi.

Ky pushtim i Kosovës, nga shqiptarët realisht u përjetua si çlirim nga pushteti i egër shovinist e antishqiptar i Mbretërisë së Jugosllavisë, ashtu siç u përjetua si çlirim nga Serbia fashiste e Millosheviqit, hyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor të vitit 1999, dhe shporrja e ushtrisë dhe pushtetit të Serbisë, që u mirëpritën me lule dhe entuziazëm e dashamirësi.

Menjëherë pas vendosjes së pushtetit të Italisë fashiste u hoqën kufijtë me Shqipërinë dhe u krijua e ashtuquajtura “Shqipëria e Madhe”, që përfshinte pjesën më të madhe të Kosovës dhe Tetovën, Gostivarin, Kërçovën e Strugën, dmth Maqedoninë Perëndimore që është e banuar kryesisht me shqiptarë.

Kurse, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, dmth Lugina e Preshevës apo Kosova Lindore, për fat të keq, u pushtua nga Bullgaria fashiste dhe kufiri midis Gjilanit e Preshevës dhe Bujanocit asokohe konsiderohej dhe quhej nga shqiptarët kësaj ane “kufiri me Shipni”, dmth Kosova llogaritej si Shqipëri, kurse Lugina e Preshevës si Serbi.

Realisht edhe ashtu ishte. Sepse, në pjesën italiane e gjermane shqiptarët gëzonin liri dhe të drejta kombëtare që u ishin mohuar nga pusheti sllav. Flamuri kombëtar u lirua të përdoret edhe zyrtarisht, u lejua përdorimi i gjuhës shqipe, u hapën shkollat në gjuhën shqipe si dhe u hap Gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë, si shkollë e parë e mesme në historinë e Kosovës, etj.

Kurse në Luginë të Preshevës regjimi i Bullgarisë fashiste ishte edhe më i egër ndaj shqiptarve, madje edhe se pushteti i serb.

Realisht, serbët lokalë të Preshevës e Bujanocit bashkëpunonin shkëlqyeshëm kundër shqiptarve, duke i maltretuar e torturuar tmerrësisht dhe duke i ngarkuar edhe me taksa e dënime dhe gjoba absurde.

Pra, gjatë pushtimit nazifashist në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore përjetuan çlirimin e përkohshëm   dhe liri, të drejta kombëtaredhe zhvillim të paparë ndonjëherë në historinë e tyre.

Gjithashtu edhe Shqipëria përjetoi investime e ndërtime kolosale nga Italia fashiste, deri në kapitulimin e sajë në shtator të vitit 1943, për dallim nga Gjermania naziste e Hitlerit (shtator 1943-nëntor 1945), që nuk investoi fare në Shqipëri.

Për fatin e keq të shqiptarve, Lufta e Dytë Botërore filloi me pushtimin nazifashist të tokave shqiptare, që realisht u përjetuan si çlirimtarë të tyre, përfundoi me fitoren e socializmit apo komunizmit pansllavist sovjetik, që realisht ishte robërim i sërishëm nga Jugosllavia i Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë.

Luftën “Nacionalçlirimtare” me ideologji pansllaviste të komunistëve në Shqipëri e udhëhoqi Enver Hoxha, kurse në Kosovë Fadil Hoxha.

Partia komuniste e komuniste e Shqipërisë, në krye me Enver Hoxhën dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, në krye me J.B.Titon, realisht ishin agjentura gjigante dhe fanatike të Perandorisë pansllaviste të BRSS-së, në krye me diktatorin Stalin.

Kurse, komunistët shqiptarë ishin agjentë pansllavistë serbo-rusë në tokat shqiptare, që ndoqën me fanatizëm agjentët Jugosllavë, Milladin Popoviqin, Dushan Mugoshën, Svetozar Vuanoviq Tempon dhe agjentë të tjerë, në misionin e tyre kriminal për nxitjen e luftës vëllavrasëse në viset shqiptare në Jugosllave dhe për nxitjen dhe organizimin e luftës qytetare në Shqipëri.

Enver Hoxha ishte i vetmi shqiptar mysliman në udhëheqësinë e PKSH-së, e cila fillimisht përbëhej pothuajse plotësisht nga ortodoksë të kombësive të ndryshme.

Shumë tradhëti e krime dhe masakra organizuan këta agjentë pansllavistë me maskat e tyre komuniste.

Edhe Fadil Hoxha në Kosovë, me komunistët e paktë shqiptarë, bashkë me komunistët serbë, shërbyen si agjentë pansllavistë serbo-rusë dhe bënë krime makabre ndaj shqiptarve në Kosovë.

Kurse, UNÇ e Shqipërisë, praktikisht ishte argat i pushtimit të Kosovës nga Ushtria serbo-jugosllave që zyrtarisht quhej UNÇJ, duke rrezikuar nxitjen e luftës vëllavrasëse në Kosovë, ngjajshëm me atë që e bënë në Shqipëri.

Në Luginë të Preshevës gjatë LDB-së u bë kthesë e madhe me kapitulimin e Bullgarisë fashiste në shtator të vitit 1944. Shqiptarët organizuan pushtetin dhe mbrojtjen e Preshevës dhe Bujanocit, në vijën e frontit të mbrojtjes te hekurudha, 25 km të gjatë, nga Bujanoci deri në fshatin Vakcincë të komunës së Kumanovës, në Maqedoni.

Pushteti socialist juhosllav, i udhëhequr nga ideologjia pansllaviste sovjetike e komunistëve, realisht ishte një regjim i agjenturave antishqiptare, që ngriti një sistem të rrjetës gjigante të agjentëve e spiunëve në çdo pore të jetës, të udhëhequr e të dirigjuar nga UDB-ja famëkeqe.

(Vazhdon)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch