Albin Kurti dhe Mizuuchi flasin për lëvizjet ushtarake të Serbisë në kufi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi, me të cilin krahas zhvillimeve të fundit në vend, sulmit terrorist ndaj Kosovës të dielën e 24 shtatorit, dhe situatës së sigurisë, folën për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mënyrat për thellimin e tyre.
Në njoftimin për media thuhet se kryeministri Kurti numëroi dëshmitë e mbledhura nga hetimet e realizuara deri më tani nga Policia e Kosovës e të cilat faktojnë lidhjen dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku në krye të detyrës ra, rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Gjithashtu e njoftoi edhe për lëvizjet ushtarake të Serbisë tash së fundmi në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës dhe kërcënimin që paraqesin gjithsej 48 baza ushtarake të përparme të Serbisë përreth kufirit me Kosovën.
Kurti theksoi për këtë sjellje dhe këto veprime, që synim kanë destabilizimin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonin, Serbia duhet të sanksionohet nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse dënohet publikisht.
Në kuadër të bisedës për raportet bilaterale, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe bashkëpunimit në një numër fushash, përfshirë atë të ambientit, arsimit, shëndetësisë, pylltarisë, menaxhimit të fatkeqësive natyrore, e deri te fusha e mbrojtjes e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Duke folur për raportet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare, kryeministri tha se Kosova mirëpret investimet e huaja dhe ftoi investitorët japonezë që të eksplorojnë mundësitë që ofron Kosova, përfshirë projektet infrastrukturore.
Average Rating