Albin Kurti takohet në Bruksel me Lajçakun e Borrellin
Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel. Në takim ishin të pranishëm shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe emisari i BE-së për bisedime Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Diplomatët evropianë do të presin edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, derisa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.
Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të duhej t’i takonte palët veç e veç, përpara takimit të përbashkët.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE pret qasje evropiane nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksadanar Vuçiq, në rrugën drejt marrëveshjes finale.
I pyetur për pritjet nga ky takim, Stano ka thënë se nuk mund të parashikohet diçka e tillë.
“Gjithçka varet nga gatishmëria e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq që të pajtohen për rrugën përpara. Pritjet e BE-së nga liderët e të dyja shteteve është qasja evropiane që u mundëson atyre të gjejnë forcën, kurajën, gatishmërinë për kompromis evropian, në të mirë të popujve të tyre dhe në interes të perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Stano.
Zëdhënësi i BE-së ka thënë se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë varet nga përparimi që bëhet në dialog.
“Përparimi arrihet përmes kompromiseve, angazhimit konstruktiv dhe të kuptuarit se kjo është mënyra e vetme për të përmbushur synimet e tyre strategjike”, ka deklaruar Stano.
Average Rating