Home » Këshilli Nacional, Lajme » Albin Kurti takon kryetarin e KNSH-së z. Ragmi Mustafën

Albin Kurti takon kryetarin e KNSH-së z. Ragmi Mustafën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashk me zv.kryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim e Dialog, Besnik Bislimi, ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zv.ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti, priti në takim kryetarin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, z.Ragmi Mustafa me bashkëpunëtorë.

Në takim u bisedua për situatën aktuale në Luginën e Preshevës, në veçanti çështjen e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare, që posaçërisht është intensifikuar në Medvegjë.
Kryeministri Kurti tha që është duke e përcjellë me vëmendje situatën me pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Ai tha se përderisa në të kaluarën Serbia tentonte të shpopullojë komunat me shumicë shqiptare me dhunë e tanke, tash po e bën në mënyrë administrative. Kjo fushatë kundër banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është e papranueshme dhe duhet të ndërpritet sa më parë, tha z. Kurti.
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, z.Ragmi Mustafa e falënderoi Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për pritjen në takim, në veçanti për fondet e ndara nga Qeveria Kurti 1, gjatë krizës së pandemisë. Ai paraqiti projekte të ndryshme që komunat me shumicë shqiptare synojnë t’i realizojnë. Kryeministri Kurti dhe z. Mustafa u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch