Home » Lajme » Albin Kurti tregon parimet për dialogun, rendit dështimet e deritashme

Albin Kurti tregon parimet për dialogun, rendit dështimet e deritashme

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se parimet kryesore të tij në dialogun me Serbinë, janë pranimi i realitetit të Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë, pranimin e krimeve të Serbisë në Kosovë, barazia e përfaqësuesve në dialog. Krahas kësaj, tha se anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njohja e pesë shteteve të BE-së, duhet të jenë në marrëveshjen përfundimtare.

Megjithatë theksoi se Kosovës nuk duhet t’i ngutet për arritjen e njohjes së Serbisë, pasi ky nuk ka qenë qëllimi kur është shpall pavarësia.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për procesin e deritanishëm të dialogut, Kurti kërkoi konsensus të spektrit politik për këtë temë, derisa edhe renditi gjitha dështimet e deritanishme të dialogut me Serbinë.

“Uniteti i brendshëm është i rëndësishëm për rritjen e pozicionit negociues të Kosovës. Është e rëndësishëm të ndërtojmë konsensus për këtë çështje. Ne jemi duke raportuar në komisione dhe kuvend ende pa filluar dialogu. Unë kam ftuar krerët e opozitës dhe qasjen e dialogut e dini se atë e kam përsëritur disa herë. Unë po flas cilat janë parimet, pranimi i një realiteti të Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë, pranimi i krimeve të Serbisë në Kosovën, barazia e përfaqësuesve dhe qytetarit si përfitues përfundimtar janë parimet tona udhëheqëse janë në dialog. Ajo që do të doja të kishim konsensus që mos ta trajtojmë shtetin tonë si pengë i mosmarrëveshjes me Serbinë”, tha ai.

Kurti tregoi edhe synimin përfundimtar të arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

“Është tejet e rëndësishme që palët e përfshira në bisedime të dizajnojnë që në start komponentët e procesit që garantojnë konvergjencën drejtë synimit përfundimtar. Kjo duhet të përfshijnë kornizat makro mbi elementet përbërëse të marrëveshjes. Për shembull njohjen reciproke, njohjen nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimin në OKB, mbrojtja reciproke e komuniteteve repsketive, mekanizma monitorues, afatet kohore dhe të ngjashme. Palët në tavolinë duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të bisedimeve. Marrëveshjet e arritura për çështje të pazgjedhura duhet të kalojnë edhe testin e përshtatshmërisë në normat ligjore dhe standardet e BE-së”, tha ai.

Duke kritikuar marrëveshjet e deritanishme, Kurti tha se pala serbe në vazhdimësi ka minuar përpjekjet e përbashkëta për sukses.

“Pala serbe në vazhdimësi ka minuara përpjekjet e përbashkëta për sukses. Kjo vërehet tek një pjesë e madhe e marrëveshjeve. Si përshembull te energjia, menaxhimi i integruar i kufirit, shuarja e strukturave paralele, liria e lëvizjes, vulat doganore, përfaqësimi rajonal dhe të ngjashme…Pse të ngutemi, kur është shpallur pavarësia, askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia. Pse kjo varësi e Kosovës së pavarur nga njohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Nuk është shpallur pavarësia se varësia e dikurshme nga Serbia të zëvendësohet me varësinë e shtetit tonë nga shteti i Serbisë”, tha ai.

Derisa edhe tregoi dëmin që ish qeveritë e kaluara ia kanë shkaktuar Kosovës në dialog me Serbinë.

“Dënimi që është shkaktuar nga qeveritë paraprake është se 22 shtetet e BE-së që e njohin republikën tonë, sot duhet t’i nënshtrohen vullnetit të pesë shteteve anëtare. Në njëfarë mënyre, sikletin dhe hallin që e kishte BE me këto pesë shtete iu hoqëm ne me vendosjen e fusnotës për vetën ne. Kështu e hoqëm edhe presionin e brendshëm nga shumica e shteteve anëtare”, u shpreh Kurti.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch