Ali Ahmeti: Na duhet pajtimi Kosovë-Serbi për një Ballkan të qetë e në paqe
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka thënë se pa pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë Ballkan të qetë e në paqe.
“Që Ballkani të jetë i qetë e në paqe të qëndrueshme janë të interesuar të gjithë partnerët tanë strategjikë, të cilët edhe na kanë ndihmuar që Ballkani të hyjë në rrjedhja të përhershme dhe historike për të instaluar paqe e ardhmëri. Që të mos kemi një Ballkan të qetë, por të trazuar e në flakë është vetëm Kremlini”, ka theksuar Ahmeti në “RTK Prime”.
Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe dëshiron të ketë një Ballkan të pastër. “E për të ardhur deri te Ballkani i pastër na duhet pajtimi. A e dini se si ka filluar procesi i pajtimit ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Iniciativa u mor nga korporatat e qymyrgurit dhe çelikut, këtu filloi por në substancë nuk ishin që të bashkoheshin korporatat, por në substancë ishte pajtimi. Pa pajtim, çdo marrëveshje tjetër që do të bëhet është jo e qëndrueshme, e destinuar për dështim. Shqiptarët dhe serbët duhet të pajtohen, ose të vendosin a do të luftojnë”, ka shtuar Ahmeti.
Ai ka thënë se shqiptarët duhet të jenë të zgjuar në këtë periudhë dhe t’i besojnë faktorit ndërkombëtar. “Ne duhet të jemi aq të zgjuar që t’i japim hapësirë pleqnarit në rastin tonë pleqnarët janë Uashingtoni, Brukseli dhe NATO, sepse SHBA dhe NATO pa vendim të Këshillit të Sigurimit janë rreshtuar në anën tonë dhe e kanë bombarduar Serbinë. Unë asnjëherë nuk jam zhgënjyer për 23 vjet nga fjala e dhënë e Uashingtonit, Brukselit dhe NATO-s dhe ju besoj. A ka dallim nuancash besimi ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit? Sigurisht që ka sepse në Bruksel vendosin 27 vende, e në Uashington vendos Uashingtoni”, ka theksuar Ahmeti.
Ahmeti: Nëse Vetëvendosje përfshihet në zgjedhje le ta thotë hapur
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në “RTK Prime” ka komentuar edhe takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me krerët e partive shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, si dhe përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare atje më 8 maj.
“Nuk ka asgjë të keqe nga takimet. Edhe unë kam qenë me Kurtin me bashkëpunëtorët e mi. Secili udhëheqës cakton ca objektiva për veprim, por kjo çka tha Mexhiti nuk përkon me deklaratën e Kurtit që bëri në Shkup, e që tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Nëse ka strategji të kamuflohen gjërat nuk është mirë, le të thuhen gjërat hapur dhe nuk na pengon asgjë”, ka theksuar Ahmeti.
Megjithatë, Ahmeti ka thënë se ai asnjëherë nuk është involvuar në zgjedhjet e Kosovës, ndonëse ka miq e bashkëluftëtarë si në LVV, si në PDK apo në AAK, teksa është shprehur i bindur për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Kurti në Shkup tha se nuk marrim pjesë dhe nuk jemi të regjistruar si parti politike. Nëse vendos për t’u përfshirë le të vendos, merr pjesë në zgjedhje, kutitë e votimit janë të vendosura dhe në mbrëmje shpalosen rezultatet. Aktualisht nëse thirremi në studime e analiza, BDI është fitues i këtyre zgjedhjeve akoma pa u mbajtur ato dhe këtë e dinë edhe partitë politike maqedonase edhe ato shqiptare, edhe opozita maqedonase edhe ajo shqiptare. Unë asnjëherë nuk jam zhgënjyer nga parashikimet dhe nga studimet me ekspertë e me ekspertizë të mirëfilltë. Por koha do ta vërtetojë”, ka shtuar Ahmeti.
I pyetur nëse përfshirja de fakto e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut do të ndikojë në rezultatet zgjedhore, kreu i BDI-së ka thënë se ”nuk mendoj se mund të ndikoj në rezultat sepse elektorati shqiptar është mjaft i përcaktuar në Maqedoni”.
Tutje Ahmeti ka theksuar se nuk është në armiqësi me asnjë parti politike as në Kosovë, as në Shqipëri e as në Maqedoninë e Veriut, derisa ka këmbëngulur se shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk u duhen shumë parti. “Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk u duhen 3, 4, 5, 6 apo 7 parti sepse aq më shumë parti të jenë, atëherë shqiptarët do të jenë më të parëndësishëm”, ka nënvizuar Ahmeti.
Ahmeti: Talat Xhaferi është kryeministër i shtetit, shtesa teknik për zbutje të opinionit maqedonas
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti e ka vlerësuar moment të rëndësishëm dhe historik për shqiptarët zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Ndonëse Xhaferi po njihet si kryeministër teknik, Ahmeti ka thënë se në dokumentet zyrtare nuk ka kryeministër teknik dhe kjo nuk e zvogëlon aspak rëndësinë që ka ky moment për shqiptarët.
“Unë kam votuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për kryeministër të Maqedonisë së Veriut. Në dokumentet zyrtare nuk ka kryeministër teknik, por ka kryeministër të shtetit me kabinet qeveritar, me emërime, me platformë. Por për çështje të politikave ditore për ta zbutur pak opinionin maqedonas po bëhet edhe kjo shtesa teknik”, ka thënë Ahmeti në intervistë me gazetarin Bashkim Vishaj në “RTK Prime”.
Ai e ka vlerësuar “të gabuar” dhe ka “shprehur keqardhje” për mospjesëmarrjen e partive opozitare shqiptare në këtë akt të cilin e ka quajtur historik.
“Ky vërtet është moment i rëndësishëm dhe historik, jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, edhe për qytetarët maqedonas, por edhe për shqiptarët në tërësi, sepse ne jemi prodhues të stabilitetit e të paqes. Jemi thellësisht të angazhuar që jo vetëm Maqedonia e Kosova me vendet fqinje të jetojmë në fqinjësi të mirë me njëri-tjetrin, por edhe më gjerë Ballkani Perëndimor sepse e kaluara e Ballkanit është tepër e hidhur”, ka shtuar Ahmeti.
Ai ka thënë se prapashtesa teknik për kryeministrin Talat Xhaferi i ka rënë në sy edhe atij, por ka këmbëngulur se kjo ka ardhur për ta zbutur opinionin maqedonas, duke pasur parasysh se edhe në të kaluarën ka pasur shumë reagime ndaj avancimit të shqiptarëve.
“Fatkeqësisht në Maqedoni me shumë vështirësi është pranuar avancimi i shqiptarëve, duke filluar nga viti 2002 me marrëveshjen paqësore të Ohrit. Për çdo hap që bëhej përpara kishte reagime të mëdha nga komuniteti maqedonas, sepse ishte i edukuar e i mësuar që ekskluziviteti është vetëm i komunitetit maqedonas, e ne të tjerët ishim qiraxhinj në shtëpinë tonë. Por, nga 2002-ta ndryshoi historia, Maqedonia e Veriut më nuk ishte në pronësi të njëanshme, por pronar e zot shtëpie u bën edhe shqiptarët me gjuhën, flamurin kombëtar, me universitete me administratë, me polici e me ushtri. Por, për ta zbutur opinionin e vet thonë se ky është kryeministër por është kryeministër teknik”, ka nënvizuar Ahmeti.
Ai ka thënë se kur Talat Xhaferi ishte zgjedhur ministër i mbrojtjes ka pasur reagime të shumta të maqedonasve. Njëjtë ka ndodhur edhe kur ai ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku ishte derdhur edhe gjak, por ka thënë se kur u votua në mandatin e dytë thuajse nuk u mor fare vesh që u zgjodh Xhaferi.
Lidhur me deklaratën e kryetarit të Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhënë për RTK-në se Talat Xhaferi nuk është kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pasi në vitin 2001 kryeministër teknik ka qenë edhe Qemajl Musliu, kreu i BDI-së ka thënë se këto janë deklarata për fushatë elektorale. “…sepse nuk e vërteton asnjë dokumentacion që ka pasur kryeministër shqiptar në vitin 2001. Është fushatë për 8 maj”, ka thënë Ahmeti.
Average Rating