Analistët pas rikthimit të Trumpit: Mundësi për dinamizim të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë
Rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë po komentohet edhe si mundësi për dinamizim të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë. Dinamikë të re paralajmëroi edhe Marta Kos nëse e merr detyrën e komisares së BE-së për zgjerim. Gjatë administratës së parë të Donald Trumpit, Kosova e Serbia e kishin arritur marrëveshjen e Uashingtonit, nga e cila ishte siguruar edhe njohja nga e Izraeli, e vetmja njohje në katër vitet e fundit.
Rizgjedhja e presidentit Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shihet me optimizëm, sa i përket procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, ka thënë se dialogu ka pasur nevojë që të ridinamizohet për faktin që edhe formati edhe ecuria e deritashme kanë qenë jo të duhura.
Si e tillë, sipas tij, qasja e administratës së Trumpit në këtë çështje do të jetë ndryshe.
“Mendoj që ndryshmet në administratën amerikane sigurisht që do ta sjellin një risi tjetër dhe kjo për faktin edhe të sjelljes të një energjie të re por edhe për faktin se sigurisht do të kemi edhe një qasje tjetër sepse administrata që udhëhiqet nga administrata e mëparshëm dhe unë dua të shohë me optimizëm…” , tha Hoti.
Hoti ka komentuar edhe paralajmërimin e kandidates për komisionere për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, për mundësinë që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasje ndaj procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Në këtë pikë ajo tha se nuk do t’i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
” Ndryshimi i qasjes para së gjithash edhe ecja ma me energji të re nënkupton seriozitet me këtë tematik dhe presion mbi palët sepse fundja tashmë nuk kuptimin formal juridik kemi marrëveshje në sfond, të dyja marrëveshjet janë obligative për palët dhe e tëra që mbetët është shtytja që palët ti zbatojnë ato …”, thotë Hoti.
Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, ka thënë se Kosova duhet t’i koordinojë veprimet me faktorin ndërkombëtar.
“Qeveria Kurti duhet të mësoj nga e kaluara e Kosovës sepse e kaluara dhe historia jonë tregon që ne kemi sukses atëherë kur bashkërendojmë veprimet me aleatët tanë, normalisht duke qenë gjithsesi aktiv në teren, duke kontribuar me çfarëdo ide, me çfarëdo veprimi pozitiv, por gjithsesi duke ruajtur edhe bilancin me koordinimin”, tha Ramadani.
Ndërkohë, në tetorin e këtij viti i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, marrëdhëniet ndërmjet të dyjave vendeve i kishte konsideruar si sfidën më të madhe strategjike në rajon.
Average Rating