Home » Lajme, Opinione » Asgjë personale…

Asgjë personale…

Nga Ardita Lushaj

Shqiptarët, ata që sa të takojnë pyetja e parë që të bëjnë, pa të pyetur akoma se si je, është: A je në punë? A thua se vërtetë ju intereson kjo gjë, por pyesin thjesht nga kurioziteti.Nëse ke mbaruar shkollën të pyesin: Çfarë shkolle ke mbaruar ti? Po shkollën vetë e more? Harrojnë që edhe mund të kesh mësuar gjatë atyre viteve.

Nëse je në punë të thonë: Po ku punon ti? Po kush ta gjeti punën apo me mik? Harrojnë që edhe mund ta kesh fituar me forcat e tua atë punë.

Nëse nuk je në punë të thonë : Po punë kur do fillosh ti? Po pse nuk je në punë? Ke parë në ndonjë vend? Po pse nuk e gjen një punë? Sikur të ishte puna duke të pritur ty. Sikur të ishte aq e thjeshtë!

Pastaj vazhdon marrja në pyetje: A ke të dashur ti? A je i/e martuar? Po kur do fejohesh/ martohesh? Sikur iu intereson vërtet kjo gjë.

Nëse je të paktën 30 vjeç/vjeçe “bëhen merak” për ty e të pyesin: Po gjithë kjo gocë/ çun, pse kështu ti, pa të dashur? Por jo të gjithë zgjedhim që të jemi me një njeri sa për t’ i pohuar botës se jemi me dikë.

Nëse ke ndonjë njeri në jetën tënde vazhdon marrja në pyetje: Po nga është ai/ajo? Po nga e gjete atë ti? Ku u takuat? Ku jeton ai/ ajo? A është në punë? Po familja e tij/saj, a punojnë, si janë ata? Harrojnë që njeriun e zgjedh për veten tënde dhe jo për botën.

Nëse je e martuar të thonë: Po kur do e bësh një beb? Po nëse ke djale, të thonë : Po gocën kur do e bësh?

Po nëse ti udhëton diku, 1 apo dy herë në vit të thonë: Po sa shumë lëviz, ndërkohë që ka të tjerë që shëtisin çdo muaj  por ty të “gjykojnë” sepse në Shqipëri sipas tyre ata që janë pa punë nuk duhet të shëtisin, nuk duhet të dalin as për kafe.

“Na e qajnë hallin” përditë këta njerëz se ku i sigurojmë të ardhurat për këto udhëtime apo kafe.

Prandaj mos gjykoni njerëzit vetëm pse nxjerrin foto në rrjetet sociale, vetëm pse dalin për kafe, vetëm pse nuk janë në punë apo vetëm pse nuk kanë dikë në jetën e tyre.

Mos i gjykoni njerëzit se pse nuk janë si njerëzit e tjerë vetëm pse nuk nxjerrin foto me efekte snap-i apo një rrobë më shumë apo më pak.

Gjykojini njerëzit nga ajo që ata janë në të vërtetë e jo duke u bazuar vetëm tek disa foto apo duke i “ futur hundët” në çdo pjesë të jetës së tyre.

Jetojeni jeten tuaj por mos gjykoni jetën e te tjerëve sepse ndoshta një gjest, një fjalë apo një gjykim sado i vogël mund t’i lëndojë ata.

Mësohuni që të shihni ndonjë herë edhe atë që të tjerët ndiejnë, sepse ka raste që një fjalë e juaja mund të shkatërrojë çdo gjë, madje edhe çdo gjë të arritur me mund.

Mësohuni të besoni më shumë, se ndoshta një besim sado i vogël mund t’i bëjë njerëzit akoma më të mirë.

Mësohuni që të mos thoni fjalën e fundit të parën sepse njerëz jemi edhe mund “të thyhemi”.

Kjo shoqëri sot nuk ka nevojë që “t’ia qani hallin” por ka nevojë që t”ia dish vlerat” kujtdo që bën pjesë në jetën tënde.

Ka nevojë për më shumë “pasqyra” ku të tjerët mund ta shohin veten me sytë e të gjithë atyre që duan më shumë!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch