BE-ja e kërcënon Kosovën me ashpërsim të masave
Bashkimi Evropian tërheqë vërejtjen se është i gatshëm t’i ashpërsojë masat ndaj Kosovës nëse vazhdohet me hapat të cilat Brukseli i cilëson të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka nënvizuar se institucionet evropiane e kanë bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në Kosovë, por edhe paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës që të hapë për trafik urën mbi lumin Ibër.
“Në vend që të shohim hapa që çojnë në de-përshkallëzim, gjithnjë e më shumë kemi veprime të njëanshme dhe hapa që çojnë në përshkallëzim. Prandaj masat janë ende aty. Ne kemi thënë gjithnjë se masat janë progresive. Ato mund të ashpërsohen ose të zbuten, varësisht nga zhvillimi i situatës”, tha Stano.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian tërhoqi gjithashtu vërejtjen se kërkesat për ndërprerje të këtyre veprimeve nuk vijnë vetëm nga Brukseli. Në mes tjerash ai përmendi mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës si dhe paralajmërimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
“Në të vërtetë të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë që të mos angazhohet në këtë seri hapash kundërproduktive, negative, të njëanshme, e të pakoordinuara. Dhe ne shpresojmë që më në fund ata do ta dëgjojnë mesazhin dhe do të na parandalojë që të shqyrtojmë çfarë masash tjera ne mund të vendosim nëse situata nuk ndryshon”, shtoi ai.
Shefi i diplomacisë evropiane, Jospe Borrel në muajin qershor kishte rekomanduar heqjen e masave të cilat Brukseli i vendosi kundër Kosovës në vitin 2023. Nuk kishte pajtim mes shteteve anëtare që ato të hiqen menjëherë por gradualisht. Mirëpo, gati dy muaj më vonë, akoma nuk nisi as heqja graduale e tyre dhe masat vazhdojnë të jenë në fuqi.
Average Rating