Besnik Bislimi: Nuk ka rezultate rreth normalizimit të raporteve me Serbinë
Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se nga takimi në kuadër të procesit të dialogut të zhvilluar në Bruksel nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë.
Ai ka thënë se Serbia po insiston në implementim të pjesshëm të marrëveshjeve.
“Fatkeqësisht për temën kryesore për të cilën jemi grumbullu nuk ka rezultate, në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia ende me gjasë po insiston implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka, ju bëni diçka’, por kjo është jashtëzakonisht joserioze edhe për Brukselin, ka deklaruar Bislimi.
Kryenegociatori Bislimi ka theksuar se në tema të tjera ka pasë disa lëvizje.
“Jemi dakorduar që të themelojmë një grup punues, t’i harmonizojë 20 veterinarë, që përdoren në kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Të kërkohet që inspektorët sanitarë të vendosen në mënyrë të përhershme te Dheu i Bardhë. Po ashtu u njoftuam nga zoti Lajçak që ka premtime të mëdha në Beograd që deri në fund të muajit të ardhshëm të lëshohen linjat e interkonjeksionit, që ka qenë pjesë e marrëveshjes së energjisë të vitit 2022 dhe presim me padurim që kjo të ndodhë”, ka thënë mes tjerash Bislimi.
Ndërkohë në njoftimin e qeverisë bëhet e ditur se fillimish është mbajtur një takim bilateral me Përfaqësuesin Special të BE-së, emisarin Miroslav Lajçak, ndërsa më pas u mbajt dhe një takim trilateral.
“Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve. Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës”,thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët.
Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare.
Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë”, theksohet në njoftim.
Ndërkohë kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviq, ka thënë se delegacioni i tij ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Takimi me Bislimin ka qenë i mundimshëm, sepse Prishtina refuzon të diskutojë për propozimet e Beogradit. Thelbi i të gjitha marrëveshjeve, si asaj në Bruksel ashtu edhe në Ohër, është formimi i AKS-së dhe kjo është baza e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Petkoviq për mediat serbe.
Ky është takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviqin nuk kishin arritur pajtueshmëri për t’u takuar së bashku.
Average Rating