Home » Lajme, Opinione » Brishtësia e demokracisë dhe nëpërkëmbja e gazetarisë

Brishtësia e demokracisë dhe nëpërkëmbja e gazetarisë

Nga XHAVIT ÇITAKU
Edhe sivjet nisi mbrapshtë për komunitetin e gazetarisë në vendin tonë. Mirëpo, kur të kihet parasysh se në çfarë rrethanash ushtrohet ky profesion fisnik, që në botën demokratike është shumë i çmuar, atëherë lirshëm mund të thuhet se nuk ishte ndonjë befasi. Në të vërtetë, në Kosovën e pasluftës e deri me tash funksionimi i sistemit demokratik ishte në nivel të ulët për shkak se pushtetarët më shumë ishin të orientuar në realizimin e qëllimeve dhe dëshirave personale, familjare e grupore, sesa të ngrisin në shkallë të kënaqshme forcimin e organeve dhe institucioneve shtetërore si bazë për të çuar përpara të gjitha proceset në të mirë të shtetit dhe të mirëqenies së popullit të Kosovës. Duke parë se sa plogësht e pa profesionalizem po veprojnë e punojnë këta pushtetarë dhe të zgjedhurit e tyre nëpër dikaster më të rëndësishëm, atëherë me një shpejtësi nisën të dalin në sipërfaqe dhe të veprojnë me lehtësi e pa frikë grupe parapolitike, kriminale, klientiste, grupe biznesore e forma tjera që iu vërsulen zhvatjes së parasë publike, të përkrahur dhe përkdhelur nga politika, sepse kulaqi në fund ndahej së bashku.. Duke u formuar ky vorbull i përbashkët i veprimtarisë kriminale pothuajse në të gjithë segmentet e jetës dhe të punës, filloi të përhapet me të madhe dukuria e korrupsionit, nepotizmit, krimi i organizuar dhe shumë dukuri tjera që shtetin e Kosovës e kanë mbështetur fort për muri. Duke ardhur në këtë pikë të çoroditur të funksionimit të pa kriter e joprofesionalizem të shumë hallkave të rëndësishme të shtetit, është e kuptueshme se reagimi ndaj këtyre dukurive është i pamundshëm, sepse po të intervenohet me forcën e shtetit për të shkatërruar ato grupe do të dalin në dritë të bëmat, në rend të parë, të shumë politikanëve të nivelit të lartë. Po e permendi një shembull, për mua shumë eklatant, shkarkimin e Drejtorit të policisë së Kosovës me të vetmin shkak se ishte arrestuar Kryetari i Komunës së Istogut, që njëherit ishte nënkryetar i LDK-së. Ai ishte i dyshuar për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autoritetit zyrtar, ndërkaq, Kryeministri që i takonte të njëjtës parti hakmerret direkt ndaj Drejtorit të policisë dhe e shkarkon. Ky shembull ishte një mesazh i mbrapshtë për të tjerët se duhet të kenë kujdes se ku po prekin e ku po sjellin probleme : Në këto rrethana të krijuara nga veprimet hakmarrëse të Kryetarit të qeverisë, që jam i bindur se nuk i ka bërë krye në vete, nuk mund të luftohen dukuritë e shumta negative, përkundrazi ato shtoheshin dhe po ia zinin fymën aktiviteteve të mbara që duhej të zhvilloheshin në Republikën e Kosovës. Nuk është gjithçka zi në Kosovën e dërmuar pas lufte, ka rezultate pozitive që mund të preken e shihen, ka politikan që kanë kryer me nder detyrën e besuar, mirëpo shumë padrejtësie dukuri negative prezente, vendit tonë i japin një pamje të zymtë, pamje kjo e shkaktuar nga dora e njeriut.
Edhe rasti i rrahjes së gazetarit Duriqi ka të bëj pikërisht me mosfunksionimin e pushtetit dhe të organeve e institucioneve tjera karshi dukurive të pranishme në shoqërinë kosovare. Së pari nisi me gazetarin Valon Syla e së dyti me gazetarin- hulumtues, Visar Duriqi. Valoni u rrah me flakaresh nga një bashkatdhetar për mënyrën se si e trajton ai mërgatën shqiptare, duke i dhënë epitete të ndryshme kësaj pjese të rëndësishme të trungut shqiptar. Për dallim nga Valoni, gazetari hulumtues Visar Duriqi u rrah brutalisht, duke i shkaktuar lëndime të rënda , përkatësisht duke ia thyer katër dhëmbë, hundën dhe nofullen. Të dy këto ngjarje, pavarësisht masës së ushtruar fizike, janë të dënushme, të papranueshme për shoqërinë tonë, për demokracinë tonë të brishtë.
Të goditet e të shemtohet në atë mënyrë ky njeri i medias vetëm për shkak se shkruan kundër të keqes dhe identifikon të keqen, është një tragjedi që po pllakos shprehjen e lirë të mendimit dhe fjalës së shkruar. Shtrohet edhe pyetja e tjetër: Si është e mundur që sulmuesit të jenë aq të pashpirt, aq të pandjenja për të shkaktuar aq shumë dhimbje e dëmtime trupore ndaj një profesionisti në fushën e vetë, i cili, tek e fundit, e kryen punën sikurse çdo i punësuar tjetër në Republikën e Kosovës. Ky akt dhune i drejtuar kundër medias, kundër artikulimit të dukurive negative, pasqyron qartë se në çfarë shkalle ka rënë funksionimi i organeve të drejtësisë dhe insititucioneve tjera përkatëse, të cilat në fakt pak janë dëshmuar në mbrojtje të këtij komuniteti, i cili për çdo ditë po i nënshtrohet një kërcënimi të paparë, deri në sulmet mizore, por fatkeqësisht edhe në vrasje.
Të dhëna alarmante për numrin e sulmeve ndaj gazetarëve
Bazuar në të dhënat që i dha me rastin e shënimit të ditës së gazetarisë Kryetarja e AGK, Gentiana Begolli, shihet numër jashtëzakonisht i madh i rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve. Sipas saj në vitin 2o18 janë shënuar 17 raste, në vitin 2019 kemi të bëjmë me 21 raste, ndërkaq në vitin 2020 madje 24 raste. Edhe sivjet nuk shkoi hiq mirë në mbarvjatjen e punëve në këtë fushë të rëndësishme për një shtet demokratik. U shënuan gjashtë raste të turrit e turpit që iu bëhen gazetarëve. Pra, sivjet pati sulme fizike, përdorim i gjuhës linçuese dhe pengesë në kryerjen e detyrës së gazetarit. Këto shifra janë vërtetë alarmuese nëse kihet parasysh numrin e banorëve që ka Kosova, por edhe numrin e vogël të mjeteve të informimit që veprojnë në vendin tonë. Ç’është edhe më keq, në bazë të raportit të fundit të ” Reportërve pa kufij” Kosova radhitet në vendin e 78, përkatësisht tetë pozita më keq se në vitin paraprak. Në vazhdën e kritkës për presione, sulme fizike, frikësim, rrahje e forma të tjera presioni, është rreshtuar edhe Departamenti i shtetit amerikan për të drejtat e njeriut, DASH, i cili, po ashtu, ka marrë informacione të besueshme se disa zyrtar publik, biznese dhe grupe fetare, janë përpjekur për t’i frikësuar përfaqësuesit e mediave.
Përse prolongohen rastet e sulmeve të gazetarëve nëpër gjykata?
Gazetaria dhe gazetarët në të gjitha shtetet demokratike vlerësohen dhe përkrahen, në rend të parë, nga opinioni i gjerë publik, ndërsa nga organet kompetente ata trajtohen me prioritet të përhershëm në rast të ndonjë sulmi eventual. Kështu do të duhej të ishte edhe në Kosovë. Mirëpo, rastet e mbetura nëpër gjykata e demantojnë në mënyrë të argumentuar se trajtimi i gazetarëve në Kosovë është i padinjitetshëm dhe fare pak i respektueshëm. Pra, rastet që kanë të bëjnë me sulmet të ndryshme ndaj gazetarëve prolongohen me qëllim që të parashkruhen lëndet e kësaj natyre pa i mbajtur seancat e nevojshme gjyqësore dhe ndaj atyre që kanë bërë vepra penale të dënohen në bazë të ligjit. Ky fenomen i damkos rëndë këto organe të drejtësisë aq më shumë se ekziston një marrëveshje me institucionet gjyqësore që rastet e gazetarëve të kenë prioritet. Ndaj është e kuptuehme që komuniteti i gazetarëve është mjaft i dëshpëruar edhe për shkak të trajtimit hiq të mirë që po iu bëhen nëpër gjykata.
Nuk u nisë mire as me qeverinë e re
Zgjedhjet e sivjetme nacionale I fitoi Lëvizja Vetëvendosje me listen “ Guxo”. Pritjet për të bërë ndryshime positive në shumë fusha janë të mëdha, ndoshta, edhe të besueshme për t’u realizuar. Kështu edhe është premtuar, ndaj edhe iu dha besimi qeverisë Kurti. Se sa do të realizohen objektivat e planifikuar për këtë periudhë qeveriesjeje, mbetët të shihet. Mirëpo, ajo çka ndodhi me portalin “ Insajder” është një pikëpyetje goxha e madhe se si do të trajtohen gazetarët edhe me këtë qeveri të re. Në fakt, policia e shtetit u fut në zyrat e këtij Portali, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtën e gazetarëve për të mbrojtur burimin e informacionit. Po ashtu, disa media ankohet se zyrtarët e kësaj qeverie nuk po iu përgjigjën pyetjeve të parashtruara për ndonjë temë që ata mendojnë ta shtjellojnë, apo për ndonjë ngjarje dite që ishte në fokus të interesimit dhe shqyrtimit nga ana e qeverisë. Kjo nuk është e mire dhe e shëndetshme për qeverinë Kurti. Së këndejmi, kjo qasje duhet të ndryshoj ashtu siç pritet të ndryshoj shumëçka në Kosovë .
A janë sulmuesit të paguar nga mafia?
Nga forma dhe mënyra e kryerjes së sulmeve makabre që iu bëhen gazetarëve, mund të vihet deri në një përfundim se ato janë të përgatitura mirë nga mafia, nga bota e krimit shqiptar, që fatkeqësisht ka marrë përmasa shqetësuese. Sulmuesit, siç dukët, janë të paguar mirë dhe janë paksa edhe profesionist, sepse, për shembull, rrahjen barbare e kryen shumë shpejt e me pasoja të rënda për gazetarin Duriqi. Ky atak ndaj medias së lirë ka edhe mesazhin e trishtueshëm, ka për qëllim frikësimin e gazetarëve të guximshëm e profesional që hulumtojnë e luftojnë kundër të gjitha dukurive negative në shoqëri.. Por, kjo po shihet qartë se nuk po i konvenon grupeve të ndryshme kriminale, të cilat janë të lidhura me politikën , por që kanë mbështetje edhe nga ndonjë pjesëtar i policisë e të mos flasim për organet e drejtësisë. Thënë me fjalën më të butë, tash për tash komuniteti i gazetarisë në vendin tonë është nëpërkëmbur rëndë, nuke ka mbështetjen dhe mbrojtjen e duhur nga zbatuesit e ligjit dhe Kushtetutës. Ndaj, shpresa se do të vijnë ditë më të mira në të ardhmen në fushën e gazetarisë mbetën të vakta.
Dhe krejt në fund: E respektoj fenë, së cilës i takoj, por kurrë nuk mund të ndiej kënaqësi kur dikush rrahet brutalisht edhe nëse ai ka mendime e gjykime tjera, qoftë për fenë, apo në çdo fushë tjetër. Megjithatë, për fat të keq, ka të tillë, që jo vetëm se kënaqen, por kërkojnë që brutaliteti të jetë edhe më i ashpër për ” t’u mbushur mend” gazetari, i cili, sipas tyre, ai duhet tre herë të mendoj a të shkruaj apo mos ta shkruaj një artikull sipas bindjes së tij të lirë dhe fakteve që ka para veti. Kjo tregon nivelin emocional, edukues dhe të mbrapshtë të atyre që mbështesin dhunën, edhe pse feja nuk lejon një gjë të tillë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch