Home » Opinione » Bujanoc: Infuzioni subvencional!

Bujanoc: Infuzioni subvencional!

TK - BujanocTrupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë edhe këtë vit e ka hapur kuletën për ta ndihmuar sektorin privat.

Përfitues të këtyre subvencioneve, do të jenë 21 kompani private nga Lugina e Preshevës, prej tyre 15 nga Bujanoci, 5 nga Presheva dhe 1 nga Medvegja.

Vlera financiare e këtyre mjeteve pa kthim, kap lartësinë e afro 450 mijë euro.

Nënshkrimi dhe ndarja solemne e kontratave të përfaqësuesve të subjekteve private, u bë në prani të kryetarit të Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq e ku ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Komunës së Medvegjës, Sllobodan Drashkoviq, si dhe përfaqësuesit e zyrave për zhvillim ekonomik Ilir Sadriu dhe Nexhat Behluli.

Në këtë solemnitet, u ndie mungesa e kryetarit të Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili si duket ngeli i pakënaqur nga ndarja e kulaçit financiar, ngase Trupi Koordinues, e nderoi Bujanocin me mbi 36 milion din., dy fish më shumë se Preshevën me 12 milion dhe Medvegjën me 3 milion dinarë.

Ky avaz vazhdon, që nga viti 2012, kur Trupi Koordinues, ky institucion i lartë shtetëror, ka ndërruar taktikën e veprimit, duke u marrë më shumë me bizneset private dhe bursat e nxënësve, se sa me problemet madhore të parapara me Planin dhe Programin e Qeverisë së vitit 2001, për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës.

Trupi Koordinues, në bashkëpunim, të ngushtë me pushtete lokale, ka parë si prioritet zhvillimin dhe afirmimin e bizneseve private, ndarjen e bursave nxënësve dhe projekteve për aftësimin e gjuhës serbe, duke anashkaluar zhvillimin e kulturës, informimit dhe shoqatat joqeveritare.

Ky reduktim i sferave të veprimtarisë, vjen si rezultat i qeverisjes lokale të vitit 2012 e këndej, kur pushtetet lokale i japin “leksione” Trupit Koordinues, për shpalljen e konkurseve në favor të atyre projekteve, që mund të shpërblehen lidhjet kumbarie, partiake, klanore e farefisnore: kushëriri-kushëririt, daja-nipit e kështu me radhë.

Në se vazhdon kështu nuk është çudi, që në një të ardhme jo të largët Trupi Koordinues, do të marr rol tjetër atë të Nënës Tereze, apo të Fondit të Kapedan Draganit, duke ulur misionin e tij në një shoqatë solidarësie për humanitet e “hajratë” me paratë e Qeverisë serbe!

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress