Home » Shoqëria Civile » Bujanoc: Premtimet pa mbulesë!

Bujanoc: Premtimet pa mbulesë!

Zarbince- SH.Civile dimer-1Lajmi më sensacional i këtij fillim-viti, i cili fluturoi nga dritarja e portalit pro-komunal”, www.bujanoci.net është: „Arifi i gatshëm ta kthej popullatën e shpërngulur në Malësinë e Bujanocit!”.

Ky sihariq doli nga takimi i përbashkët i kryetarit të Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi me përfaqësuesit e Fondit Humanitar të Malësisë së Bujanocit.

Në këtë takim u bë e ditur se buxheti komunal për asfaltimin e rrugës Muhoc-Zarbicë ka ndarë 13 milion dinarë e pritet në të ardhmen të ndahen edhe mjete shtesë.

Projekti i asfaltimit të rrugës Muhoc-Zarbicë, u tha gjatë këtij takimi, është i një rëndësie të veçantë, ngase do të ndikoj dukshëm në kthimin e banorëve të zhvendosur nga Malësia e Bujanocit.

E qartë. Ky projekt ka qenë i një rëndësie të veçantë edhe gjatë kohës së Mareshalit Tito, kur në Malësi të Bujanocit jetonim me mijëra shqiptarë, pastaj edhe gjatë kohës së Millosheviqit, kur ata u dëbuan me dhunë, pra edhe sot, në pushtetin „demokratik”, ky projekt është i një vlere të rëndësishme për ata pak banorë, që jetojnë në maje të kodrave dhe të atyre, të cilat presin të kthehen ndonjëherë nga Gjilani.

Nuk është problem për kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, të ndaj 13 milion din. për Rrugën e Zarbicës, kur, ai, për hapjen e vendeve të reja të punës (praktikantë partiakë), ndanë 15 milion din. ose për restaurimin e sheshit të qytetit „Karaxhorgje Petroviq”, me dhjetëra milionë.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, që na viti 2002, kur erdhi në pushtet u pat zotuar se Rrugën e Zarbicës e ka prioritet. Dhe ja në takimin me përfaqësuesit e Fondit Humanitar, e vërtetoi se është i „fjalës”, madje edhe i besës. Kjo është edhe moto e partisë së tij „Jemi të fjalës”, që e ka origjinën na slogani i Mareshalit Tito: „Prej fjalës në vepra!”.

Të ngazëllyer nga premtimet pa mbulesë të kryetarit Arifi, përfaqësuesit e Fondit Humanitar nga Malësia e Bujanocit, u kthyen për në Gjilan, për të vazhduar aksionin „Vendlindja thërret”.

Puna angari malësorëve, vazhdon edhe sot si dikur. Ata janë të prirur për punë angarie, qoftë për pastrimin e rrugëve e varrezave, qoftë edhe për grumbullimin e votave elektorale!

E kryetari Arifi, me të nuhatur se zgjedhjet nuk lanë larg, shpërndanë premtime nga të gjitha anë. Ai, besa edhe ndanë mjete nga buxheti komunal për iniciativa, që vijnë edhe jashtë komunës, duke rrezikuar edhe atë pak hise „risk”, të rezervuar për banorët, që jetojnë e paguajnë taksat dhe kontribuojnë për një jetë më të mirë.

E disa, që sot me një këmbë qëndrojnë në Kosovë e me tjetër në Serbi, mbajnë dokumente të dyfishta, marrin pensione të dyfishta, ka edhe prej atyre që mbajnë edhe nga dy punë, s’ka se si të mos e adhurojnë kryetarin e Komunës së Buajnocit, Nagip Arifi. Bile, që tashti Bashkësia Lokale e Zarbicës, njëra nga bashkësitë më të vogla në botë (me 16 familje), duhet ta nderoj kryetarin Arifi, me ndonjë votë elektorale, ngase zgjedhjet nuk janë larg, në mos në këtë vit, në tjetri gjithsesi.

 

Shoqëria Civile „Perspektiva”, në Bujanoc

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress