Home » Lajme » BURRAT E ALFABETIT…

BURRAT E ALFABETIT…

Alfabeti manastiritNëntorin e mbajmë mend për dy evenimente, nga më të rëndësishme për historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, pa të cilat s’mund ta mendojmë identitetin tonë kombëtar.

Si mos të përkujtohet e festohet Kongresi i Manastirit, apo siç njihet në popull Kongresi i Alfabetit, i cili para 106 viteve, la gjurmë të pashlyeshme në historinë lavdishme të shkrimit shqip.

Festa e Alfabetit si ajo e Flamurit, janë festa gjithëkombëtare, janë simbole identifikuese dhe historike të bashkimit të shqiptarëve.

Për fat të keq, në Luginë të Preshevës, ngjarja historike e Kongresit të Manastirit, kaloi pa ndonjë manifestim kulturor, përkundër kushteve ideale me pallate të kulturës e institucione të tjera kulturore.

Për ata që e kanë lënë në harresë këtë eveniment të lartë kulturor, ua përkujtojmë se “Kongresi i Manastirit (apo Kongresi i Alfabetit) është tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor – 22 nëntor 1908 në Manastir, për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjendja gjatë zhvillimit te letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare”. Në kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj.

Për herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën në këtë Kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.

Poeti ynë i madh Ndre Mjeda, i thuri vargjet më të bukura Kongresit të Alfabetit:

Përmbî zâ, që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë, qi nep zymbŷli,
pa ‘da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m’u ‘da s’duron,
fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.

Rruga e pa ndalur e Alfabetit do t’ia kthej buzëqeshjen Manastirit, një qytet historik i shqiptarëve në Maqedoni, i lënë pas dore, ngase gjenden burra, që do ta kujtojnë atë, ashtu si ata që ia vunë themelet shkrimit shqip. E njëri nga ata burra është edhe Arif Osmani, një mërgimtar nga Tërnoci i Bujanocit, i cili aktualisht punon dhe vepron në Zvicër.

 

Arif Osmanin, autorin e librit “Alfabeti i mileniumit të ri”, para 40 vjetësh e mundonte një problem, i cili ka qarkulluar me vite ndër shqiptarët. Pse shqiptarët nuk kanë alfabet të tyre origjinal?!

Arif Osmani, arriti  ta konkretizoj një ide të tillë. Atij iu deshën plot 40 vjet ta përpiloj një alfabet, origjinal shqiptar, me të cilin do të krenoheshin gjithë ata që flasin shqip.

Ky alfabet sipas Arif Osmanit, nuk është as latin e as arab, por thjesht shqip.

Prej kohësh, madje që nga Rilindja e këtej, shoqërinë shqiptare e ka shqetësuar zgjidhja e gjuhës së përbashkët, një problem i tillë e ka brengosur edhe autorin e librit “Alfabeti i mileniumit të ri”, Arif Osmani.

Autori i librit shpiku dhe përpiloi një alfabet të ri. Duke lexuar librin e titulluar “Alfabeti i mileniumit të ri”, të Arif Osmani, kemi përshtypjen se autori pati një guxim kur e zbuloi alfabetin shqip, duke sfiduar albanologët shqiptarë dhe ata të huaj.

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress