Home » Histori » ÇFARË THA M. GJ. MILIÇEVIQI PËR VISARËT E SHQIPTARËVE NË ARNAUTLLËKUN E NISHIT DHE NË ATË TË TOPLICËS GJATË VITEVE 1877-1878.

ÇFARË THA M. GJ. MILIÇEVIQI PËR VISARËT E SHQIPTARËVE NË ARNAUTLLËKUN E NISHIT DHE NË ATË TË TOPLICËS GJATË VITEVE 1877-1878.

Reshat AVDIUArnautllëku, sipas formës gjeografike të tokës së saj është gati sa Serbia, këtu mendohet në Serbinë autonomiste të vitit 1830 nën udhëheqjen atëbotë me princin e saj të Tretë Mihajllo Obrenoviqin 1832-1868, që luftoi për çlirimin e Serbisë nga pushteti turk në alencë me vendet ballkanike, u vra nga vetë serbët në Koshutnjak në vitin 1868. Pastaj M. Gj. Miliçeviqi, vazhdon dhe thotë për shqiptarët e Shqipërisë së Vjetër Verilindore se: ”Pushteti turk për shkak të kryengritjeve të tyre ka filluar të taktizoj me ta. Nuk do të kalojë shumë kohë deri sa të civilizohen shqiptarët. Shqiptarët janë shtat hedhur, të zhdërvjelltë zakonisht ecin mirë dhe shumë lehtë. Në thjeshtësinë e tyre, shqiptarët e kanë krenarinë, ndërsa si visar i tyre i lartë është se nuk i përkulen askujt, janë të afërt dhe shumë mikpritës dhe xhentil të mirë.                                    Duke i analizuar këto fjalë të M. Gj. Miliçeviqit, del se shqiptarët nuk kanë qenë shumë larg civilizimit evropian. Këtë studim vlerësues për shqiptarët M. Gj. Miliçeviqi, e kishte publikuar në librin e tij me titull “Kneževina Srbije” (Pricipata e Serbisë). Në periudhën kur ai e bënë këtë përshkrim vlerësues në teren shqiptarët ende jetonin në trojet e tyre etnike të Nishit, Timokut, Toplicës, Vidinit, Tërnit, Pirotit,Prokupjes,Leskocit, Vrajës  etj.  d.m.th. në  trojet e  Shqipërisë  së Vjetër  Verilindore.  Autori thotë, se shqiptarët janë fis i tillë që në Turqi mendohet se ka aq shumë, sa edhe serbë në Serbi, me gjithë atë numri i tyre i sakët nuk dihet. Mirëpo, vetëm se supozohet kështu toka, në të cilën jetojnë shqiptarët sot quhet Arnautllëk ose  Vilajeti i  Arnautëve.  Në bisedë të sipërme me shqiptarët, ndër ta nuk dëgjohet nocioni Arban ose Alban, siç shkruhet nëpër libra, gjithashtu, as për njerëzit e këtij trualli nuk thuhet Arbanës ose Albanez, por ata i quajnë Arnaut.

Toka e tyre shtrihet pranë kufijve të Serbisë (…) dhe pastaj vazhdon duke kaluar nëpër brendi të Turqisë e deri në Shkodër. Edhe pse në disa regjione banojnë vetëm serb, por në mesin e tyre gjenden edhe fshatra shqiptare ose të përziera me serb, me gjithë atë, ato vende i quajnë si vende shqiptare. Prandaj, është vështirë të përcaktohet vendi dhe shtrirja e tyre, sepse shqiptarët i kanë populluar ato vise, dikur herët, sepse ato banoheshin nga popullata serbe. Këtu si duket z. Miliçeviq, llogarit e tija i bënë pa hanxhiun se ato vende të patjetërsueshme  kanë qenë gjithmonë të vetë shqiptarëve të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Dhe se serbët e tij ato horda të pa civilizuara janë kondominiumi i Karpatet të Rusisë, të ardhur dhe të vendosur nën këtë qiell të Shtetit të Arbrit, siç donë t’i paraqesë ky historian sllavë shqiptarët e trojeve të Nishit, Timokut, Toplicës, Vidinit, Tërnit, Pirotit, Leskocit, Vrajës etj. si Arnaut. Edhe pse disa vendbanime kanë emërtime sllavo-serbe, të cilat serbët i formuluan në mesjetën e hershme si bie fjala:Prebreza,Pretreshnja Popova,Dragusha,Vërbovci,Pridvorica,Podvorica etj. Ndërsa vendbanimet me gurrës të së folmes shqip ishin si: Kuqi,Kodra,Bunjaku,Gjaka, Albana, Arbanashci, Spanca, Plakiqi, Bardhova. Ndërsa në Grykën e Gërdelicës gjegjësisht të Hunijadit dhe në rrethinën e Masuricës emërtime me gurrë e së folmes shqipe ishin: Xhepa, Masurica,Surdulica, Allashnica, Allakinca, Llugojnica, Drenova, Gramagja, Binoci, Hani i Hasan Haxhisë, Lagjja Hoxhincë në Vrajë pastaj Vraja, Gjergjevci, Çarri etj.

Arnautllëku sipas formës gjeografike të tokës, thotë ky autor është gati sa edhe Serbia, ka lartësira dhe ultësira, ka bjeshkë dhe shkëmbinj. Edhe atje kultivohet çdo kulturë, siç kultivohen edhe në Serbi, vetëm se Arnautllëku ka më tepër vende me tokë të kultivuar, sidomos andej nga deti. Po ashtu, në viset e arnautëve mbahen ato kafshë si edhe në Serbi, vetëm  se  atje  ka  më  tepër  shtazë  të  egra,  se  sa  që  ka  këtu në Serbi.

Arnautllëku tani është principatë turke. Deri më tani Prizreni ishte kryeqendra e Vilajetit. Mirëpo, pasi që shqiptarët shpesh herë po ngritën dhe po bëjnë trazira, sidomos mirditasit rrethi i Shkodrës, atëherë edhe pushteti turk po ndryshon dhe po taktizon me pushtetin e tij. Shkodranët i mbajnë dhe i mbrojnë pashallarët, duke i dërguar atje nga Stambolli, në mënyrë që të sundojnë në atë qytet dhe ta mbrojnë atë popull nën sundimin e vet, i cili është shumë i armiqësuar me pushtetin turk. Tani, para pak kohësh janë të bëra disa ndërrime të reja nga pikëpamja administrative, kështu që është themeluar Vilajeti i Manastirit, ku edhe Shkodra është në varësi të plotë nga valiu i saj me seli në Manastir.

Shikuar nga këndvështrimi i pasurive të Arnautllëkut, ky vend i shqiptarëve është një mrekulli e paparë. Aty ka mundësi që të punohet dhe kultivohet shumëçka, por shqiptarët me vështirësi i pranojnë gjërat dhe risitë në tërësi, sepse ata vetë nuk shpikin dhe nuk rifillojnë asgjë. Ndërkaq të huajt nuk guxojnë të shkojnë në mesin e shqiptarëve dhe kështu ngelë çdo gjë me të vjetrën.

Prandaj kanë të drejtë të gjithë ata që përpiqen dhe grinden ne mes vete për ta marrë Arnautllëkun, ngase në Arnautllëk shumë lehtë mundë të fitohet buka sesa në çdo vend tjetër. Ka për të kaluar shumë kohë derisa të zgjohen nga letargjia dhe të civilizohen ngase ata me vështirësi të madhe i pranojnë risitë. Shqiptarët nga natyra janë shtat hedhur, me fytyrë të gjatë dhe të gështenjtë d.m.th. zeshkan, me shtat të zhdërvjellë dhe janë njerëz të lehtë dhe zakonisht ecin mirë dhe lehtë.

Nga natyra shqiptarët janë të rreptë dhe temperament, shpesh herë i quajnë “Arnaut të ashpër”. Kështu, thuhet kur bëhet fjalë për ta, pastaj janë jashtëzakonisht të prirë për hakmarrje. Ndodhë, nganjëherë  që shqiptari,për një fjalë ofenduese ta mbysë njeriun,i cili e ofendon. Prandaj m’u për këtë ndodhin shumë hakmarrje dhe gjakmarrje ndër shqiptarët, kjo gjë është jashtëzakonisht shumë vështirë të ndalet dhe të ndërpritet. Në thjeshtësinë e tyre shqiptarët e kanë cilësinë dhe krenarinë e tyre, kështu që nuk pranojnë që t’i sulmojë kush dhe nuk i përkulen askujt, madje jo edhe në qoftë se kërcënohen edhe njerëzit e pushtetit turk.

Pastaj edhe një visar tjetër i karakterizon shqiptarët e Arnautllëkut, ai është se ata janë të dashur të aftë dhe mjaft xhentil. Ata lehtë dhe me ëndje   hyjnë  në  bisedë  dhe  janë  të  prirë   për  të  zhvilluar   bisedë  me bashkëbiseduesit ashtu si njerëzit tanë në malësi, (këtu M. Gj. Miliçeviqi, e ka fjalën për serbët e Karpateve që jetojnë tani në masivet malore të Shqipërisë së Vjetër Verilindore-v. a.). Mirëpo në qoftë se ndokush e tepron  me mahi,  shqiptari  reagon dhe nuk e duron mahinë fyese, madje-madje mund të shkaktohen edhe ngatërresa me ta… gruaja, fëmija dhe i tërë farefisi për shqiptarin janë të shenjta. Askush nuk guxon ta sulmojë ose ta ofendojë atë me familjen dhe farefisin e tij, pastaj nuk bënë të thellohesh në bisedë dhe s’bënë ta ofendosh ose ta përgënjeshtrosh atë.

Shqiptarët janë mikpritës, thotë autori M. Gj. Miliqeviq. Kushdo që të vijë në shtëpi të shqiptarit, ai e pranon dhe e gostitë me atë që ka dhe si shpërblim nuk kërkon asgjë. Është rast shumë i rrallë që mysafiri, i cili ka shkuar tek shqiptari, t’i ketë ndodhur ndonjë e keqe deri sa ai qëndron tek ai. Madje, shqiptarët mysafirin e marrin me ëndje nën mbrojtje gjer sa ai të qëndrojë tek ata, shtëpiaku gjegjësisht nikoqiri i shtëpisë atë e përcjellë gjerë përtej shtëpisë së vetë. Mirëpo, dëshirojnë që ajo mikpritje në rast të duhur t’u kthehet edhe atyre… Lexues shqiptarë të lutem dhe të përkulem siç përkulemi ne shqiptarët të besimit islam, katolik ortodoks e etj. në lutjet tona shqiptare në xhami dhe në kishat shqiptare katolike dhe ortodokse para Zotit tonë të Madhërishëm dhe të vetëm. Se këto vlera dhe visar të shtrenjta shqiptare i dedikohen në rendë të parë popullatës tonë nga Shqipëria e Vjetër Verilindore të Nishit, Toplicës, Timokut, Nergutinit (Negotinit), Pirotit, Prokupjes, Krushevcit, Tërnit, Vidinit, Leskocit, Vrajës etj. Atje, atje, ku arnautët e vjetër si po na quajnë akademikët serb të SAN-ës nga Beogradi, i kanë varret dhe eshtrat e tyre që pushojnë nën dëllinja dhe lisa shekullor. E që sodomistët dhe mabusët serb i kanë shkatërruar dhe rrafshuar për tokë gjer më tani, për të na e humbur autoktoninë tonë etnike nëpër ato troje të Dardanisë së hershme antike.

Për atë që shqiptarët e japin fjalën, d.m.th. fjalën e dhënë shumë vështirë e mohojnë dhe se mbajtja e saj tek shqiptarët është gjë e mirë dhe mjaft madhështore. Ata me këtë janë tejet krenarë para të tjerëve, pra një veti dhe virtyt i tillë nuk e vërejmë te popujt tjerë sado të arsimuar dhe të kulturuar të jenë ata popuj që jetojnë me shqiptarët dhe për rreth tyre. Kjo veti e mbajtjes së fjalës tek shqiptarët quhet besë. Ndërsa ai që e jep ose e pranon  besën quhet  besnik dhe  kur thotë  shqiptari,   besa-besë, ky është betimi më i madh për ta. Në qoftë se, ndokush nga shqiptarët e shkelë besën, ai merret për tradhtar dhe zakonisht likuidohet, pa marrë parasysh se kush do ta sulmojë besë dhënësin-besaxhinë, ai besën nuk guxon ta shkelë. Andaj,  kur të udhëtohet nëpër Arnauti,  nuk është lehtë të  kalohet atypari, madje edhe njerëzit e pushtetit turk, nuk guxojnë të kalojnë atje. Kështu, zakonisht kur kalohet nëpër ato vise shqiptare, merret ndonjë përcjellës nga radhët e tyre dhe në këtë mënyrë udhëtimin e ka të sigurt. Ende, nuk ka ngjarë që ta ketë sulmuar dikush udhëtarin, të cilin shqiptari e ka marr mendore në besë,( këtu të Shqipërisë së Vjetër Verilindore-v. a)  Shqiptarët nuk i nënshtrohen urdhrave të pushtetit turk dhe m’u për këtë ikin në mal dhe bëhen kaçak. Shqiptarët, nuk janë të prirë për të pushtuar toka të huaja, as për të bërë dëme mbi popujt tjerë. Zakonet e tyre të lashta i konsiderojnë si të shenjta, kurse lidhjet fisnore dhe ato kombëtare i kanë më të forta se lidhjet tjera. Miku i shtëpisë nuk tradhtohet kura-kurës. Kompaktësia e tyre është më e fortë se çdo urdhëresë apo rregullore e pushtetit turk.

Sulmuesit nuk frikësohen aq shumë nga shqiptarët që e përcjellin të panjohurin (mysafirin), por ata frikësohen nga farefisi i tij,madje-madje edhe nga farefisi i vet, nuk duhet shkelur traditën shqiptare, të cilën të gjithë shqiptarët e vlerësojnë si një gjë të shtrenjtë. Në qoftë se shqiptari (këtu prapë i Shqipërisë së Vjetër Verilindore-v. a), e merr në besë ndonjë person qoftë edhe i konfesionit tjetër ai nuk e shkelë fjalën e dhënë edhe nëse atë shkelje e kërkon vëllai i tij, apo dikush tjetër. Por, kur e sheh se nuk ka mundësi për ta mbajtur fjalën e dhënë-besën, ai shkon dhe i thotë atij që të ruhet, se ai nuk ka mundësi më për ta mbajtur fjalën e dhënë.

Besën, traditën dhe mikpritjen, shqiptarët, me ngulmë e ruajnë edhe pse këto relikte të shqiptareve janë kundër pushtetit osman, pastaj autori në fjalë tregon shembuj për visaret e shqiptarëve siç ishin: Besa, mikpritja dhe kompaktësia e tyre, nëpër atë troje etnike të patjetërsueshme të Nishit, Toplicës, Timokut, Vidinit, Tërnit, Pirotit, Leskovçës,Vrajës etj. Që atëbotë numëroheshin më tepër se 700 vendbanime dhe me ma tepër se 813.000 banorë shqiptarë që u dëbuan që andej në mënyrën më të egër të mundshme, nga bishat e egra piromane të ushtrisë vrastare serbo-ruse që ishin ka mot të etura për gjak dhe toka të arnautëve nga Shqipëria e Vjetër Verilindore.

Pastaj ky historian serb, për kompaktësinë shqiptare kishte deklaruar mes tjerash edhe këtë: Kompaktësia shqiptare është shumë e fortë se çdo lloj urdhëresë dhe rregullore e pushtetit turk, këtë e thotë dhe e faktikon   M. Gj. Miliçeviqi,  në lidhje  me disa  tregtar që kishin shkuar

mysafirë në Arnautllëk ata ishin strehuar atje dhe popullata shqiptare u paska dalë në ndihmë në çdo mënyrë të mundshme. Pastaj thotë ai se një pjesë e shqiptarëve, duke jetuar nëpër regjionet e masiveve malore, ata i kanë krijuar edhe të drejtat e tyre zakonore. Çdo urdhër që vjen nga shteti osman, ata e urrejnë dhe nuk e përfillin fare, sa herë që pushteti dërgon atje forca të mëdha pandurësh (zaptish) dhe të tjera, për t’i detyruar për diçka, ata shumë herë, për t’iu shmangur zbatimit të urdhrave të tyre, ikin në mal dhe bëhen kaçak, vetëm e vetëm që mos t’u nënshtrohen urdhrave përkatëse turke.

“Shqiptarët gjithnjë i urrejnë osmanlinjtë dhe shtetin e tyre nën të cilin e ndiejnë veten të mvarur,në anën tjetër ata ushqejnë ngjenja  të flakta për shtetin e tyre fisnor Edhe Aleksa Bogosavleviqi në poemën e tij: “O Arnautima” e shprehë këtë urrejtje që e kanë shqiptarët ndaj turqëve11.

 

Arnautu div junaka                       Shqiptar trim i pa mposhtur

Zlo ti se sa svih strana sprema      E keqja t’përgatitet në të gjitha anët
Al u krvi junakoj mu                   Por në gjakun tënd trim
Baš ni kapi turske nema.              Asnjë pike të turkut s’ka.

 

Shqiptarët në mbrojtje të së drejtës së tyre kanunore, e zgjedhin parinë e vendit atëherë kur për atë pari (këshilli i pleqërisë së kuvendit dhe të tjerët), e japin pëlqimin e tyre që të gjithë dhe nuk lejojnë që ajo t’u imponohet. Pastaj edhe çështjet më të rënda, ngatërresat, madje edhe gjaqet, shqiptarët i zgjidhin vetë mes vete, nëpërmjet pleqnarëve përkatës. Ata i përfillin urdhrat e parisë së tyre pa kurrfarë pengesash, sado të rënda të jenë ato.

Shqiptarët e urrejnë shumë pushtetin turk sepse ata i merr me dhunë në ushtri dhe në aksione kulluk (punë angari-v. a.) dhe punë tjera të ndryshme. Kështu, po t’i ftoje shqiptarët udhëheqësja e tyre për të luftuar kundër turqve thotë autori, ata do të shkonin aq me vullnet, sikurse të shkonin në dasmë. Pastaj pushteti turk nuk guxon t’i grumbullojë nizamët shqiptarë në një vend të caktuar, ngase u frikësohet trazirave, por ata i shpërndanë në vise dhe qendra të ndryshme.

Shqiptarët siç thamë më lartë, nuk janë të predisponuar që të pushtojnë toka të huaja ose për të luftuar popujve tjerë, porse janë shumë të aftë për t’u mbrojtur kundër atyre që i sulmojnë. Prandaj, shqiptarët e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, sipas Miliçeviqit në bisedë të sipër me  të drejtë thonë: Le t’i jetë çdokujt, toka dhe pasuria e vet dhe le të mbetet çdokush në vatër dhe shtëpinë e vet.

Pasi nuk kanë kurrfarë dobie konkrete nga pushteti turk, shqiptarët me  vështirësi  të madhe  e japin  tatimin dhe  kërkesat tjera  materiale që i kërkon pushteti turk. Së këtejmi, shqiptarët, përfaqësuesit e pushtetit turk i quajnë dembelë dhe parazitë, sepse ata po e shfrytëzojnë djersën e popullit e që me të hollat që i marrin nga populli nuk kontribuojnë asgjë për të mirën gjendjen së popullatës shqiptare.  Në anën tjetër,  turqit thonë se, shqiptarët nuk punojnë dhe se janë të thjesht etj. Mirëpo, autori në fjalë thotë: Shqiptarët kanë më tepër të drejtë, ngase edhe pse nuk janë aq punëtorë të dalluar, ata prapë se prapë punojnë mjaft për tu ushqyer dhe për t’i plotësuar të gjitha nevojat e tyre dhe për asgjë nuk e kërkojnë ndihmën e askujt, por të gjitha të mirat materiale i prodhojnë vet, me fjalë të tjera ata gjithçka krijon për vete. Shqiptarët pastaj u takojnë tri konfesioneve fetare dhe se me shumicë janë të konfesionin turk të besimit islam, pastaj, ka shqiptarë që i takojnë ligjeve fetare greke, gjegjësisht ortodoksëve dhe shumë pak u përkasin ligjeve latine kryesisht konfesionit katolik. Tek ne shqiptarët si kolektivitet i etnisë kombëtare, gjithmonë dhe çdo herë ka dominuar dhe është kultivuar dhe ruajtur vlera jonë nacionale. Kur pjesëtarin e etnisë shqiptare e pyet se çka je ai të përgjigjet se është shqiptarë, e jo se është mysliman, ortodoks, apo katolik, këtë fenomen shumë vite më parë e kishte zbuluar shtegtarja angleze Edit Durham. Ajo po sa shkeli në viset ballkanike ajo si zakonisht çdo etni që e vizitonte ua bënte një pyetje të pazakonshme se çka je t’i, ndonjëri nga ata do t’i përgjigjej se është: ortodoks, katolik, protestant, mysliman, budist etj. Por kur kishte shkelur në trojet etnike shqiptare të parin që e hasi dhe e pyeti ishte një çoban delesh me kërrabë në dorë edhe këtë si zakonisht do ta pyeste se çfarë je dhe ai pa një dhe pa dy si në flakë të pushkës, do t’i përgjigjej, “po çfarë të jam tjetër, përpos shqiptarë”.

Historiografi serb M. Gj. Miliçeviq, si duket ka jetuar shumë gjatë në mesin e shqiptarëve të Shqipërisë së Vjetër Verilindor,se i njehë shumë mirë vlerat dhe visaret e mrekullueshme të tyre kur thotë: Edhe pse shqiptarët vlerësohet si njerëz të thjeshtë, ata i kanë cilësitë të veta shumë të larta si për shembull, ndër shqiptarët nuk dëgjohet “kurrfarë sharjesh”. Sharja ndër ta nuk dëgjohet as kur është fjala për njerëzit dhe as për shtazët. Për çudi tek shqiptarët sharja dhe fyerja janë punë e fundit, bile-bile, ndodhë që më parë të bëhet ndonjë vrasje, apo ndonjë hakmarrje tjetër, e të mos dëgjohet fare sharje, siç thamë më lartë ajo është e fundit. Autori  pastaj  thotë se:  Shqiptarët  më së shumti  u   përbëhen të drejtave kanunore, ato zakone janë të njëjta  dhe nuk është me rëndësi përkatësia e tyre fetare. Disa zakone janë të përgjithshme pra për të gjithë shqiptarët, sepse ato zakone kanë të bëjnë me interesat e përgjithshme kombëtare. Ndërsa disa  zakone  shqiptarët i  konsiderojnë  si  të  shenjta,  ato kanë të bëjnë me çështjen e besimit në Perëndi, që është krijuesi i gjithësisë dhe zakoni tjetër është ruajtja dhe mbrojtja e kombit të tyre, dhe çdo gjë që është trashëguar nga të parët e tyre të ruhet dhe të mos lejohet që dikush t’ua prishë atë.

Ky lloj besimi, thotë autori ruhet dhe kultivohet në tregime dhe në këngë popullore të shoqëruara me lahutë,madje edhe vet lahutat,shqiptarët i konsiderojnë si instrumente muzikore të traditës kombëtare. Me një fjalë, çdo gjë për shqiptarët është mbrojtja dhe ruajtja e kombit të tyre dhe m’u për këtë kjo është feja e shqiptarëve. Çdo gjë që është në kundërshtim me zakonet dhe me traditën e shqiptarëve, ata thonë se: “Nuk e duron besa dhe feja jonë dhe se vet prejardhjen e tyre, shqiptarët e lidhin me institucionin e besës. Ndërsa ndarjen e tyre në fise shqiptarët e lidhin me besën dhe fenë e tyre. Kurse si fise kryesore të tyre janë: Berishët, Bytyqët, Gashët, Kelmendasit, Krasniqët, Kuqët, Mavriqët, Thaçët Shaljanët etj. Pa marrë parasysh se çfarë besimit i përkasin shqiptarët, ata përfaqësuesin e fisit të tyre (qoftë ky i besimit mysliman, katolik apo ortodoks) e mbrojnë dhe e vlerësojnë si kushëri të vetin dhe kujdesen për njëri tjetrin. Nga kjo del se, tek shqiptarët, më e vlefshme është përkatësia fisnore sesa ajo fetare.

Meqë shqiptarët nuk kanë shkolla të veta, ata ndryshe nuk kanë mundur ta ruanin qenien e tyre kombëtare, sikurse të mos e ruanin atë nëpërmjet traditës përkatësisht zakoneve të tyre. Ata pakë shqiptarë që kanë mësuar shkrim e lexim, kanë mësuar kryesisht nëpër shkollat e ndryshme, shembull shqiptarët mysliman shkojnë nëpër shkollat turke, ata të besimit katolik i vazhdojnë shkollat latine italiane, ndërsa shqiptarët e besimit ortodoks shkojnë dhe i vazhdojnë shkollat e tyre nëpër manastiret serbe dhe greke.

Sipas Miliçeviqit shqiptarët, e Shqipërisë së Vjetër Verilindore e urrejnë dhe e neglizhojnë çdo normë dhe rregull në jetën e tyre private që vjen nga politika e pushtetit turk. Shtëpitë, e shqiptarëve gjithmonë janë të përqendruara së bashku dhe janë të ndërtuara nga materiali i dobët të lyera me baltë dhe pakë të gëlqerosura. Rrobat, e tyre shembull tirqit, janë me ngjyrë të bardhë dhe të zezë, por në disa mjedise, kryesisht nëpër qytete janë me ngjyrë të kuqe. Femrat e shqiptarëve janë shtathedhura e të zhdërvjellëta dhe   shumë të bukura.  Edhe pse  tek shqiptarët  është  pak i përhapur shkrim-leximi dhe letërsia, por tek ata nuk është përhapur dhe infiltruar ndonjë mësim i mbrapsht a ndonjë marrëzi e padëshiruar. Nga natyra ata janë të zgjuar dhe të kuptueshëm, ndërsa nga pikëpamja e  psikologjisë njerëzore, ata munden të merren dhe të krahasohen me serbët tanë thotë M. Gj. Miliçeviqi. Shqiptarët, e kanë edhe një karakteristikë të mirë, të cilën e ruajnë si traditë të tyre, e që ka të bëjë me ruajtjen e miqësisë së mirë me të gjithë ata që kanë pasur punë me shqiptarët i kanë lënë përshtypje të mira.

Shqiptarët, e besimit mysliman, ashtu edhe ata të besimit ortodoks thotë ai, jetojnë nëpër fshatra, ashtu siç jeton popullata serbe, me përjashtim që shtëpitë e shqiptarëve janë të grumbulluara, ashtu si në ndonjë qytezë e vogël,sepse shtëpitë i kanë të ndërtuara pranë njëra tjetrës kjo ka të bëjë me faktin se trevat janë jo aq të banuara dhe se nga të gjitha anët janë të rrethuara me plot male. Mirëpo, me ndërtimin e shtëpive në këtë mënyrë njerëzit mbrohen nga rreziqet eventuale të mundshme. Për ndryshe shtëpitë e shqiptarëve zakonisht janë të ndërtuara nga materiali i dobët, çatitë e shtëpive kryesisht janë të mbuluara me kashtë, sanë, tallë, fier etj. Dhe se çdo shtëpi e tyre është e ndarë në dy pjesë, në njërën pjesë rrinë meshkujt dhe aty pranohen mysafirët, ndërsa në pjesën tjetër, rrinë gratë dhe fëmijët. Femrat shqiptare i punojnë të gjitha punët edhe ato më të rëndat së bashku me burrat e tyre. Ndër, shqiptarët zakonisht mbahen dhe ruhen kuaj të mirë shale. Sepse vendbanimet e tyre nuk kanë rrugë të mira, kuajt i përdorin për të bartur mallra të ndryshëm.

Sipas Miliçeviqit, shqiptarët e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, ndaj gjinisë femërore janë të ashpër, por edhe shumë të kujdesshëm. Dëbimin e gruas nga shtëpia e cilësojnë si punë shumë të keqe dhe si mëkat i madh, gjë që edhe feja e tyre ashtu i udhëzon. Ndërsa, shqiptarët e besimit katolik ai i quan latin,thotë se nuk kanë dallim nga shqiptarët tjerë si nga pikëpamja jetësore, ashtu edhe nga mënyra e punës në përgjithësi.

Shqiptarët që jetojnë nëpër qendrat urbane si myslimanët ortodoksët  dhe latinët (katolikët),  merren  me  punë  të  ndryshme zejtare dhe veshin rroba të çarshisë,zakonisht mbajnë rroba të qepura nga shajaku përkatësisht rrobe prej cohe, por edhe këto, ani pse të materialit tjetër, prapë i qepin dhe i mbajnë si edhe shqiptarët tjerë. Të gjithë shqiptarët rrobat e tyre i qepin sipas  një  mënyre dhe forme po  thuajse të  njëjtë. Në kraharor zakonisht bartin xhamadanë të ngjyrës së njëjtë, të zhgunit ose të cohës (kangerit), në shpinë mbajnë apo veshin guna me mangë të lëshuara që zakonisht nuk i shtien duart në to, por mangët lëvizin lirisht. Shqiptarët nëpër qendrat urbane, zakonisht e bartin edhe fesin, por jo edhe të gjithë, sepse shqiptarët nëpër fshatra mbajnë kapela kombëtare, plisa të bardhë, d.m.th. qeleshe e kurrsesi fesa turku.

M. Gj. Miliçeviqi,pastaj thotë për shqiptarët e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, se tek ata, është një lloj veshje, si për dimër ashtu edhe për verë, por kryesisht për dimër bartin edhe tallaganë, gunat e gjata zakonisht i bartin bujqit nëpër fshatra, kjo lloj gune gjegjësisht tallagani punohet nga zhguni. Pastaj çdo shqiptarë bart armë, një ose dy revole (pishtole) pastaj nga një jatagan (thikë), të gjitha këto armë i mbanë në silah (rripë i posaçëm, rrethatore-v.a.), ndërsa mbi supe e hedhin dyfekun e gjatë apo ndonjë armë tjetër të veprimit më të madh. Përveçse, këtyre që u tha më lart për shqiptarët nëpër vendet e tyre etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, ata i zhvillojnë edhe disa mjeshtri të çmueshme manufakturale. Dhe se disa prodhime të tyre, depërtojnë dhe shiten edhe ne Serbi si bie fjala “pushkët arnaute”, pastaj qeska për municion dhe prodhime tjera.

Femrat shqiptare vishen ashtu siç vishen edhe femrat turke, vetëm se shqiptaret vishen më thjesht sesa ato turke, por kjo veshje është nëpër qendrat urbane. Femrat shqiptare i punojnë të gjitha rrobat e veta, ka shumë femra shqiptare të bukura, ato dallohen me shtatë të hedhur dhe me trup të zhdërvjelltë e skofiar. Femrat shqiptare nëpër fshatra nuk mbulohen, ashtu siç mbulohen gratë myslimane shqiptare nëpër qytete (d.m.th. këto të fshatrave shkojnë allafrënga-v. a.).

Nëpër dasma e tyre shqiptarët, e Shqipërisë së Vjetër Verilindore,  Miliçeviqi thotë se:Shkojnë,zakonisht,shumë dasmor-krushq. Kur shkojnë për të marr nuse ata shkojnë me kuaj, vallëzojnë dhe këndojnë, pinë dhe hanë. Ndërsa shqiptarëve të besimit islam e kanë të ndaluar të pinë pije alkoolike,  por për  të pirë  nëpër dasma  nuk është  as turp dhe as mëkat…

Djali që martohet, vajzën e sheh për herë të parë atë natë kur martohet, djalit, vajzën ia zgjedhin prindërit, ashtu siç ishte më parë zakon edhe tek ne serbët. Ja edhe këtu i dashur lexues, historiani serb, e pranon në një formë se  edhe ata  në  Mesjetë e  kishin pranuar islamin  si besim  të tyre, porse do të fillonin me shtytjen dhe nxitjen e Kishës Autoqefale Ruse dhe atë duke filluar nga beteja austro-turke më 1788 dhe përfundimisht do të riktheheshin përsëri në ortodokizëm me përfundimin e betejës së Dytë Serbe më 1812. Pastaj Miliçeviqi do të vazhdonte të thoshte se gratë e pa ndershme të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, shqiptarët e këtyre vise nuk i mbajnë, por i lëshojnë dhe se në vend të tyre e marrin ndonjë grua tjetër, tërë këtë punë e bëjnë pa ndonjë gjykim në gjykatë.

Shqiptarët janë të tillë prej se ekzistojnë, s’ka  shqiptarë që do ta pranonte se ata nuk janë popull në vete dhe i veçantë, i cili është krijuar si i tillë në këtë vend dhe se po këtu do të qëndrojnë përgjithmonë. Ata në të vërtetë janë popull i veçantë, e vërteton gjuha e tyre, e cila gjuhë është e veçantë dhe vetëm se për ta. Sipas natyrës e së folmes në gjuhen shqipe, njeriu do të thoshte se kjo gjuhë i përngjanë gjuhës latine dhe më pakë asaj vllahe dhe frënge. Sipas shqiptimit, kjo gjuhë i përngjanë asaj frënge, ngase shqiptarët flasin dhe i shqiptojnë fjalët shpejt dhe rreptë. Autori vë në pah se shqiptarët Perëndinë e quajnë Zot, dheun e quajnë Tokë, hapësirën qiellore e quajnë Qiell etj. Kështu, shumë fjalë të tyre, më pak ndryshime i përngjasin latinishtes frëngjishtes dhe vllahishtes dhe ndonjë i huaj e kupton këtë gjuhë si të tillë. Shqiptarët për historinë e tyre flasin  shumë pak,  ata nuk tentojnë ta hulumtojnë të kaluar e tyre dhe orvaten fare pak për ta ruajtur kombin dhe atdheun e tyre.

Shqiptarët, theksojnë se turqit i kanë pushtuar dhe ua kanë imponuar sundimin, kështu që, kërkojnë me këmbëngulje që ta flakin sundimin dhe zgjedhën turke. Por, duke qenë të vetëdijshëm se vet nuk janë në gjendje të çlirohen nga zgjedha turke, kanë dëshirë të bashkëpunojnë me serbët dhe të luftojnë së toku kundër Perandorisë Osmane. Mirëpo, kërkojnë që serbët, pasi t’i dëbojnë turqit të mos i trazojnë dhe dëbojnë ata, nga trevat dhe pasuritë e veta”[1]. Në shkrimet që do t’i paraqesim më poshtë do të shihet se pas dy viteve jo të plota, kurse ishin publikuar këto shënime të M. Gj. Miliçeviqit më 1876. Shqiptarët, nga të 714  vendbanimet e  tyre etnike  me më tepër se 813.000  banorët e  sajë, për tri javë rresht u dëbuan që andej, si të ishin bisha e jo qenie njerëzore.

Historiani serb, M. Gj. Miliçeviq, hulumtimet e tija i bëri kryesisht tek shqiptarët e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, siç e kemi cekë edhe më lartë. Porse ai tentoi që ato vlera të çmueshme t’i përgjithësojë për të gjithë shqiptarët. Mirëpo, për konkludime dhe vlerësime më serioze, nuk kishte pasur të dhëna të mjaftueshme, sidoqoftë ai edhe me këto të dhëna, kishte arritur bukur mirë t’i ndriçojë një sërë traditash dhe zakonesh shqiptare siç ishte besa dhe mikpritja shqiptare. Ai sipas mendimit tonë, ishte përpjekur që këto të dhënash t’i paraqesë në mënyrë sa më objektive të mundshme atëbotë. Pastaj edhe Dr. S. Uka thotë se: “Këto shënime janë me vlerë të posaçme historike dhe kombëtare, aq më parë, kur dihet se janë shënime dhe të dhënash me një kohëzgjatje për më tepër se 130 vitesh”. Kohë ajo kur shqiptarët, ende ishin duke jetuar nëpër trojet e tyre  etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, në Arnaullëkun e Nishit Toplicës, Vidinit, Tërnit, Pirotit, Timokut, Prokupjes, Kurshumlisë, Leskovçës, Vrajës etj.

Shkruan: Reshat AVDIU * Nëntor, Preshevë  2014.

Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së       

                     Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.

 



11 Aleksa Bogosavljević “O Arnautima” Niš, 1897.

[1] M. Gj. Miličević, Kneževina Srbije.  Knjiga II. Beograd, 1876. str. 730-741. Edhe këto shënime arkivale serbe AS, MUD, janë të një rëndësie të veçantë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress