Home » Opinione » Cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës?

Cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës?

Shkruan: Nehat Hyseni

Sot, më 31 maj 2017, në Republikën e Kosovës fillon zyrtarisht fushata parazgjedhore, për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017.

Për këto zgjedhje kemi në ofertë tre kandidat për postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, të cilët janë mjaft ndryshëm mes veti:

Ramush Haradinaj, apo “Rambo”, si kandidat i koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, dmth. i atyre që deri dje i ka pështyrë më së shumti dhe që i ka fajsuar për qeverisje kriminale si “e keqja e Kosovës”!

Ky koalicion që u formua me shpejtësi të rrufeshme, si reagim i trishtuar nga frika dhe paniku i krijuar në “mesnatën e pokerit politik” të 16 majit 2017, nga formimi i koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa, i cili u formua pak orë para tyre.

Pra, AAK dhe Ramush Haradinaj ka vendosur koalicion me këta “të këqinjtë e Kosovës”, siç i quante vite me radhë.

Meqë kanë vendosur që ta kandidojnë ate pë kryeministër, Ramushi na thotë se këtë po e bënë për qëllimin e vetdeklaruar të tij “për të mirën e Kosovës”.

Me demek, Ramushi don me e “ndreqë” Kosovën, pikërisht me ata që e kanë “prishur” e përdhosur pamëshirshëm deri tani dhe që kanë deklaruar “Fillimin e ri”, me politikanët apo “ujqit” e vjetër!

Duke qenë se kjo filozofi politike e Ramushit për ta “ndrequr” Kosovën me ata që janë “e keqja e Kosovës”, do ta ketë shumë vështirë t’ia sqaroj votuesve këtë “iluzionizëm” politik të ndërtimit të “mirëqenies” së Kosovës pikërisht me ata që e kanë katandisur këtë vend të bekuar? Mbase me “abrakadadabra”!

Pastaj, mbetet enigmatike çështja se si do ta rregulloj punën e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që tani është bërë kufi me NATO-n për shkak të aderimit të këtij shteti në këtë aleancë politiko-ushtarake euro-atlantike?

Prap me “abrakadabra”?!Enigmatike dhe e paqartë na është fakti se, vallë, çfarë kryeministri na ofrohet Ramush Haradinaj?

Si implementues apo zbatues i politikave të Kadri Veselit, siç e tha publikisht Hajredin Kuqi, që i bie të veproj siç i thotë shefi apo bossi Kadri Veseli.

Kjo i bie se “daullen do e mbaj Ramushi, por atij do t’i bie Kadriu”?!

Se çfarë “melodie” apo kakofonie politike do të krijohej poqese eventualisht ai fiton në zgjedhjet e 11 qershorit, kjo mbetet të shihet.

Kurse, Albin Kurti si kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës, ka ndryshuar pamjen, apo siç thonë në Shqipëri, ka ndryshuar “lukun”!

Ai ka vendosur kollare (kravatë), të përshtatur me rrobat e tia të përzgjedhura me shije profesionale, duke na u paraqitur krejtësisht ndryshe nga Albini që e kemi parë deri më tani: me nam e me nishan!

Na detyroi t’i fërkojmë sytë e t’i pastrojmë syzat, për ta kthjelluar shikimin dhe për të parë më mirë, se vallë a është ky ai çuni rrebel që gjuante me gurë qeverinë dhe i thërriste popullin për ta “shporrur” ish kryeministrin Mustafa nga zyra me dhunë; që organizonte protesta të dhunëshme nëpër rrugët e Prishtinës, me kokteje mollotovi dhe me gurë; a është ky personi që ishte në ballë të turmave të tërbuara që ia vunë flakën ndërtesës së Qeverisë, dëmtuan ndërtesën e Kuvendit të Kosovës nga jashtë dhe që hodhi gaz lotësjellës brenda sallës, duke e bllokuar dhe paralizuar punën e legjislativit gjatë një periudhe të gjatë kohore.

Figura e Albin Kurtit si kryeministër i ardhshëm i Kosovës na duket tejet enigmatike, mbase edhe më tepër se e Ramush Haradinajt, se si do të dukej realisht një person i tillë në postin e kryeministrit?

A do të ishte, vallë, AlbinKurti një kryeministër që mban gaz lotësjellës në xhepa, si “zgjidhje” për problemet eventuale për të cilët nuk do të gjente zgjidhje në takimet me diplomatë të huaj, apo në seancat e Kuvendit të Kosovës, në rast se nuk miratohen propozimet apo projektligjet e qeverisë së tij?

Një mori pyetjesh na vijnë në mendje si probleme që me figurën dhe karakterin e tij që jemi mësuar ta shohim në publik, si dhe më këmbëngulësinë dhe kryeneçësin e pafund të tij, se si do t’ia dalë në post të tillë të lartë politik me plotë sfida e probleme që kërkojnë personalitet të sofistikuar dhe të aftë për kompromise të domosdoshme, që mund të bijnë ndesh me bindjet dhe karakterin e tij karakteristik tejet të ngurtë.

Pak a shumë, votuesit kosovarë Albin Kurtin gjithënjë e më tepër e perceptojnë si një “Çe Gevarë” të Kosovës!

Profili politik i kandidatit të tretë, nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa është profesori universitar dhe ministri i financave në Qeverinë Mustafa. Prof.dr. Avdulla Hoti, është krejtësisht i ndryshëm nga dy kandidatët e parë.

Si person jokarizmatik, i ardhur nga bota akademike dhe si karakter i qetë, shikohet më tepër si një ekspert dhe teknokrat, se sa një politikan i mirëfilltë.

Njohuritë e tij profesionale e shkencore për problematikat financiare dhe premtimet për rrithe rekorde të buxhetit të Kosovës dhe të pagave e pensioneve, si dhe të pakos sociale: pushimit të lehonisë së paguar 12 muajshe, sigurimit shëndetësor e social dhe ngritje të standardit jetësor në Kosovë.

Për dallim nga Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti, që realisht posedojnë njohuri tejet modeste nga ekonomia, Prof.dr. Avdulla Hoti është ekspert i kalibrit të lartë shkencor e profesional, i cili deri në detaje sqaron programin e vet parazgjedhor dhe e ka absolutisht të qartë vizionin e tij politik, që ka si objektiv themelor ngritjen e standardit jetësor dhe të mirëqenies së popullit të Kosovës.

Mbetet të shihet se në fushatën parazgjedhore dhjetëditore, se cili prej prej koalicioneve parazgjedhore dhe partive politike, rrjedhimisht cili prej këtyre kandidatëve do ta fitoj besimin e votuesve të Republikës së Kosovës për qeverisje në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.

Urojmë fushatë të civilizuar dhe të qetë dhe që të fitojnë më të mirët!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch