
Danijela Vujiçiq: Kurti dhe Bislimi, nuk kanë dashur të dëgjojnë prezantimin e Draft-Statutit
Anëtarja e Ekipit Menaxhues për hartimin e Draft-Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Danijela Vujiçiq, ka pretenduar se pala kosovare, përkatësisht kryeministri Albin Kurti dhe shefi i ekipit negociator, Besnik Bislimi, nuk kanë dashur të dëgjojnë prezantimin e Draft-Statutit.
“Anëtarët e delegacionit të Prishtinës – Kurti dhe Bislimi – vazhdimisht na shanin, nuk na linin të flisnim, talleshin dhe ishin të vrazhdë, na u drejtuan me përbuzje dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq reagoi ashpër për këtë”, tha Vujiçiq para gazetarëve Serbë.
“Gjëja e parë që tha presidenti [Vuçiq] kur hymë në dhomë, unë dhe kolegia [Jelena] Beloviq, ishte: ‘Ku janë gratë e mia serbe nga Kosova dhe Metohia’. Ishte kaos total, pse përdorët termin Kosova dhe Metohia, Kosova nuk është pjesë e Serbisë. Për dy javët e fundit ata kanë bërë shumë presion në ekipin drejtues”, tha Vujiçiq.
Ajo shtoi se përfaqësuesve të Ekipit Menaxhues iu dhanë 30 minuta kohë për ta prezantuar Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke pretenduar se pala kosovare iu ka bërë presion gjatë gjithë kohës.
“Përveç fjalës hyrëse që mbajta, kishim vetëm 30 minuta siç e kishte parashikuar BE-ja. Ishte e pamundur të prezantoheshin 67 nene dhe nëntë kapituj në 30 minuta, por përmes prezantimit arrita të them se tani puna më e madhe është që delegacioni ta lexojë draftin nen për nen dhe palët të bëjnë vërejtje të caktuara”, shtoi ajo.