Home » Lajme, Vendore » Deputeti Fatmir Hasani i parashtroi pyetje Qeverisë për emërimin e paligjshëm të organit të përkohshëm në Preshevës

Deputeti Fatmir Hasani i parashtroi pyetje Qeverisë për emërimin e paligjshëm të organit të përkohshëm në Preshevës

Deputeti i vetëm shqiptar nga radhët e PVD-së, në seancën e Kuvendit të Serbisë mbajtur më 26 shtatorë, ne pjesën e rezervuar për pyetjet e deputetëve, gjatë fjalimit të tij paraqiti atmosferën e krijuar në Komunën e Preshevës me rastin e emrimit të organit të përkohshëm nga Qeveria e Serbisë me 14 shtatorë.
Duke folur për atmosferën e krijuar si pasojë e vendimit diskriminues të Qeverisë, pakënaqësitë dhe margjinalizimin e votuesve të komunës së Preshevës, deputeti Hasani kërkoj nga Qeveria e Republikës së Serbisë të sqaroj motivin e marrjes së vendimit të datës 14 shtator që është në kundërshtim me ligjin mbi pushtetin lokal, aktet dhe dispozitat për një vendim të tillë si dhe përvojat e deritanishme në situata të njëjta.
Me këtë rast pasi shpjegoi problematikën e dhënies së pushtetit absolut partisë Alternativa për Ndryshim dhe margjinalizimin e 71.1% të këshilltarëve të Kuvendit të shkarkuar të Preshevës, përqindje të cilën e përbëjnë 4 partitë e tjera shqiptare, z. Hasani pyeti edhe kryetaren e Kuvendit të Serbisë se a do të respektoj afatet ligjore për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme në komunën e Preshevës.
Është e rëndësishme të ceket se z. Hasani parashtroi pyetjet në këtë seancë pasi që nga ana e Qeverisë dhe nga Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, nuk ka pranuar asnjë përgjigje në shkresat zyrtare të dërguara drejt tyre dhe institucioneve përgjegjëse për krijimin e kësaj situate të disfavorshme për shqiptarët e Preshevës, vendim i cili po cilësohet i njëjtë me vendimet e kohës së regjimit të Millosheviqit.

****
Në vazhdim po ju paraqesim fjalimin e plotë të deputetit Hasani:
E nderuara Kryetare, zonja dhe zotërinj deputet, pyetjen paraqes Qeverisë së Republikës së Serbisë.
Në bazë të Nenit 86, pikës 6, Ligjit mbi vetë-administrimin lokal është e përcaktuar se Qeveria bie vendim të veçantë për emrimin e kryetarit dhe anëtarëve të organit të përkohshëm, duke pasur parasysh strukturën politike dhe etnike të Kuvendit të shpërndarë të njësisë të vetadministrimit lokal.
Në rastin e komunës së Preshevës, për të cilën Qeveria ka marrë vendimin për të shpërndarë Kuvendin Komunal për shkak të mos realizimit të asnjë seance brenda periudhës 3 mujore, nuk është respektuar ligji për të cilin fola.
Në bazë të rezultateve të dala nga zgjedhjet e kaluara, Kuvendi i Komunës së Preshevës ka pasur përbërjen si në vijim: Partia Demokratike Shqiptare 14 mandate, Alternativa për Ndryshim 11 mandate, Partia për Veprim Demokratik 10 mandate, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve 2 mandate dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve 1 mandat.
Mirëpo, në vendimin e Qeverisë për organin e përkohshëm, partisë Alternativa për Ndryshim e cila kishte vetëm 11 këshilltarë nga 38, ose thënë më mirë 28.9% i është besuar kryetari dhe një anëtar i këtij organi. Më pas një anëtar i organit të përkohshëm është emëruar nga SNS – Partia Përparimtare Serbe, e cila nuk ka pasur asnjë këshilltar në Kuvendin e shpërndarë të Preshevës, derisa dy anëtarët e mbetur të këtij organi i kanë takuar katër partive të tjera të cilat kanë përfaqësuar shqiptarët e Preshevës e të cilat kanë pasur 27 këshilltarë apo 71.1% të përbërjes së Kuvendit të shpërndarë.
Në këtë vendim shihet qartë që është margjinalizuar shumica absolute e votuesve të Komunës së Preshevës, derisa i është dhënë një monopol i madh një partie, në këtë rast Alternativës për Ndryshim të Shqiprim Arifit. Gjithashtu e rëndësisë së veçantë është se për kryetar të organit të përkohshëm nuk është emëruar Kryetarja e deritanishme në komunën e Preshevës, z.Ardita Sinani, sikurse është praktika e Qeverisë në këso situata nëpër komunat e tjera të Serbisë.
Për shkak se ky vendim ka krijuar pakënaqësi të madhe tek votuesit në Preshevë, dua të pyes Qeverinë se cili ka qenë motivi politik në rastin e marrjes së këtij vendimi pasi që nuk është respektuar norma ligjore dhe përvoja e deritanishme.
Pyetja ime e dytë i parashtrohet Kryetares së Parlamentit: A do të respektojë afatet ligjore me rastin e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunën e Preshevës ?
Faleminderit.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch