Derek Chollet në Beograd apelon për propozimin franko-gjerman
Fokusimi i dialogut në propozimin franko – gjerman dhe formimi i Asociacionit, është mesazhi kryesor i këshilltarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet në Beograd. Ky i fundit është takuar me presidentin e Serbisë Vuçiq në një drekë pune.
“Këshilltari special Chollet theksoi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë të gjitha përpjekjet e bëra për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, duke theksuar se vendi i tij është për vendosjen e fokusit të agjendës drejt së cilës palët në dialog duhet të fokusohen në bisedimet për këtë propozimin franko-gjerman si dhe për formimin e shpejtë të Asociacionit”, njofton presidenca serbe.
Vuçiq tha se e pret që SHBA-ja të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë obligimet e saj.
Zyrtari i lartë amerikan u takua edhe me kryeministren Ana Bërnabiq dhe më pas me ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq. Në Beograd konsiderohet se me vizitat e zyrtarëve perëndimor fillon një vit të pritjeve të mëdha në dialog, një vit i përshpejtimit të negociatave, në bazë të planit franko-gjerman.
Ardhjen e diplomatit amerikan në Ballkan e shohin si sinjal pozitiv për dialog edhe analistët politikë në Serbi.
“Procesi sigurisht që është përshpejtuar që nga vitit kaluar, sepse kjo është pika më e cenueshme në Evropë dhe ata duhet ta mbyllin çështjen në mënyrë që të mos lejohet Putinit të hapë një front të ri në këtë rajon. Prandaj, pritet që Perëndimi të ushtrojë më shumë presion mbi palët për të gjetur një zgjidhje që do të garantonte sigurinë më elementare që të eliminohet mundësia për një konflikt”, Dragan Popoviq, Qendra për politikë praktike në Beograd.
Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar se deri me 20 janar pritet të vizitojnë Ballkanin edhe të dërguarit special të Gjermanisë, Francës, Amerikës dhe BE-së.
Average Rating