Disa nga arritjet kulminante të rinisë shqiptare në Suedi
Nga XHAVIT ÇITAKU
Pos krijimtarisë letrare dhe artistike,Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, në fokus të saj të interesimit janë edhe grumbullimi i materialit të shumtë, i cili ka të bëj me punën, aktivitetin dhe kontributin që kanë dhënë bashkatdhetarët tanë për komb e atdhe. I gjithë ky material është botuar në 12 librat voluminoz “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Po ashtu, interesimi i anëtarëve të këtij asosacioni krijues është edhe mbledhja e informacioneve për të arriturat e mërgimtarëve tanë në fusha të ndryshme, të cilat janë të mëdha e të rëndësishme edhe në aspektin e lartësimit të imazhit të shqiptarëve jo vetëm në këtë vend skandinav. Ky konstatim mund të dëshmhet edhe me rastin e mbajtjes së një Akademie Shkencore këto ditë nga SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Suedi (RRBDSHS), në të cilën u shënua 500-vjetori jubilar i pavarësisë së Mbretërisë së Suedisë dhe 15-vjetori, gjithashtu jubilar, i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë event u paraqitën 24 kumtesa nga fusha të ndryshme, të cilat zgjuan interesim nga të pranishmit. Njëra ndër kumtesat që u dallua ishte ajo e Prof. Fetah Bahtirit e titulluar “ Integrimi i rinisë shqiptare në shoqërinësuedeze”.
Aleksander Mojsiu është shqiptari i parë që ka shkelur në tokën suedeze
Në fillim të kumtesës së tij Prof. Fetah Bahtiri fokusohet në atë se cili shqiptar ishte i pari që ka ardhur në këtë shtet skandinav, duke shtuar: Sipas dokumenteve të zbuluara gjer më sot, dihet se shqiptari i parë që ka shkelur në tokën e Suedisë është artisti i madh shqiptar me famë botërore – Aleksandër Moisiu (Alexander Moissi 2 prill 1879 – 23 mars 1935). Duke hulumtuar arkivat e shtypit suedez, gazetari Shuquri Sejdijaj ka gjetur një artikull gazetaresk në të cilin shihet se aktori shqiptar Aleksandër Mosiu ka qenë në Stockholm më 1911 dhe 1932, herën e parë me dramën e Sofokliut “Mbreti Edip”, dhe herën e dytë me ”Faustin” e Gëtes. Për vizitën e parë më 1911, më datë 19 prill 1911, ditë e mërkurë, gazetari D. D-n ka shkruar në gazetën Dagens Nyheter të Stockholmit dhe për Aleksandër Moisiun e regjisorin Max Reinhardt ka dhënë vlerësime shumë të larta:
“Jo, ishte Aleksandër Moisiu ai që e bëri mbrëmjen të paharrueshme
Artikulli i gazetës “ Dagens Nyheter” që vlerësoi lartë interpretimin e Aleksander Moisiut në tetarin e Kryeqytetit Stokholm të Suedisë
“ Ai ishte madhështor dhe ai ishte i vetmi që ishte madhështor. Kur doli te shkallët për në pallat – sfondi monumental ishte me një efekt të shkëlqyer – ai tërhoqi sytë dhe interesin e të gjithë publikut. Edipi i tij ishte sundimtari, njeriu i popullit, njeriu i perëndive. Shfaqja u përshkua nga një madhështi, nga një forcë lëkundëse, një dhunë që ndoshta aty-këtu thyente linjat antike, por që në shprehjet e lira të njerëzve i përkasin skenës më të stilizuar që kam parë. Dhe pastaj zëri! Në fillim: asnjë rrokje e humbur. Arti i diksionit ishte i çuditshëm. Dhe ky zë me melodiozitetin e tij të mrekullueshëm ngrihej e binte me tone të gjata madhështore, merrte tingullin metalik të tubit, forcën e britmës së ankthit, vajtimin e vdekjes së të dërrmuarve. Krejtësisht në fund fytyra më karakterizuese u trajtua me të njëjtën mjeshtri.
Ajo që pamë dhe dëgjuam ishte diçka që nuk harrohet – dhe kur duartrokitjet më në fund u shkëputën nga grumbullimi impozant i njerëzve, gjithçka doli mjaft madhështore.
Sidoqoftë regjisori Reihardt ndan fitoren me Moisiun”.
Ndërkaq, për vizitën e Aleksanër Moisiut në vitin 1932 e njëjta gazetë ka shkruar më 2 shtator 1932, ditë e premte, artikullin ”D:r Faust i stan”, shqip: ”Dr. Fausti në qytet”. Kësaj radhe Aleksandër Moisiu luajti së bashku me aktoren gjermane Karin Evans. Gazeta sjell edhe një foto të përbashkët të këtyre dy aktorëve, të shkrepur në Grand Hotel nga fotoreporteri i gazetës Dagens Nyheter.
Gazetari tjetër që jeton dhe vepron në Suedi, Qerim Kryeziu, në librin e tij ”Shqiptarët në retrokujtesën Nordike (Veprimtaria kulturore e mërgatës shqiptare në Suedi)”, Prishtinë, 2022, cek disa emra të personaliteteve shqiptare që nga viti 1916 e këndej kanë qenë në Suedi. Përmenden emrat si Faik Konica, studenti i kimisë Besnik Sytja, i cili ”në ditën e mbrojtjes së disertacionit, kishte vdekur”, mbreti Ahmet Zogu, shkrimtarët Vedat Kokona, Petro Marko, Sterjo Spasse, Musine Kokalari etj.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet e gjashtëdhjeta Suedia u shndërrua në destinacion ku kërkohej jetë më e mirë. Shumica e ardhacakëve shqiptarë ishin nga Maqedonia e Veriut. Ndërkaq, që nga viti 1981 fillon emigrimi edhe i shqiptarëve të Kosovës për t´u shndërruar pastaj në pjesën e parë të viteve të 90-ta në njërin prej grupeve më të mëdha të azilkërkuesve, një pjesë e mirë e të cilëve morën lejeqëndrimi. Këta shqiptarë organizuan jetën vet kulturore e politike, filloi edhe mësimi i gjuhës amtare shqipe në shkollat suedeze, u themua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë Naim Frashëri”, Dega në Suedi, u hapën shumë shoqata kulturore shqiptare nëpër qendrat ku ishin të vendosur shqiptarët. Filloi edhe botimi i revistave dhe gazetave në gjuhën shqipe, u hapën radio dhe stacione televizive etj. etj.
Ky lulëzim i shpejtë e i hovshëm i veprimtarisë së shqiptarëve në Suedi u bë në radhë të parë për arsye se shqiptarët këtu fituan hapësira veprimi e organizimi. U themelua edhe Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi dhe forma e asociacione të tjera të shumta të veprimtarisë. U themelua edhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, më vonë edhe Rrjeti i Bisneseve të Diasporës Shqiptare në Suedi (RRBDSHS), etj. Në vazhdimësi shqiptarët u kyçën në të gjitha format e veprimtarisë konform normave dhe rregullave ligjore vendore.
Shumë të rinjë me kualifikime universitaree doktorate në fusha të ndryshme
Ndërkaq, duke folur për arritjet e rinisë shqiptar në shumë fusha Prof. Fetah Bahtiri shkruan: Rinia shqiptare në mënyrë të veçantë filloi një integrim të shpejtë e të vrullshëm në shoqërinë suedeze. Rinia jonë iu përvesh punës, sidomos në shkollim dhe shpejt dolën kuadra me kualifikime superiore universitare në degë të shumta dhe shumë prej tyre fituan gradën e magjistrit dhe të doktorit të shkencave. Sot në Suedi ka shumë shqiptarë mjekë specialistë, inxhinierë të dalluar, ekonomistë nëpër banka e institucione shtetërore, drejtorë e udhëheqës institucionesh etj. Pra, rinia shqiptare këtu në Suedi nëpërmjet shkollimit, punës, sportit, shoqërimit e besa edhe dashurisë arriti që të integrohet deri në atë shkallë, sa që Suedia filloi të përjetohet si shteti i dytë amë – pas atdheut të prejardhjes. Kur them ”nëpërmjet dashurisë”, më duhet të cek se në Suedi janë lidhur bukur shumë martesa të përziera shqiptaro-suedeze dhe kështu janë krijuar familje në të cilat mbretëron harmonia dhe lumturia.
Dy deputet shqiptarë në Parlamentin suedez
Në këtë kumtesë jepen të dhëna edhe për arritjet e rinisë shqiptare në fushën e politikës dhenë Parlamentin e Suedisë, që quhet Riksdagen, aktualisht
shqiptarët janë të përfaqësuar me dy deputetë, të rinj përkah mosha, por me një bagazh serioz të marrjes me politikë. Këta janë: Adnan Dibrani, i lindur në vitin 1985 që momentalisht ushtron mandatin e katërt si deputet dhe Aida Birinxhiku, e lindur në vitin 1999 – që të dy deputetë nga radhët e Partisë Socialdemokrate. Supleant deputeti është Arbër Gashi, i lindur në vitin 1994.
Ndërkaq, anëtare e Parlamentit Evropian si përfaqësuese e Suedisë aktualisht është shqiptarja e re Arba Kokalari, e lindur në Tiranë në vitin 1986.
Në nivele prefekturash dhe komunash kemi shumë kuadro të reja shqiptare që udhëheqin me përgjegjësi të lartë.
Integrim jashtëzakonisht i shpejt në degën e sportit
Rinia shqiptare në Suedi është integruar jashtëzakonisht shpejt dhe mirë sidomos nëpërmjet sportit. Në degë të ndryshme sportive rinia jonë ka arritur rezultate kulminante.
Futbolli suedez i femrave ka dhënë një yll që ka bërë histori – Kosovare Asllanin (1989). Kjo lojtare ka arritur të fitojë shumë tituj në futboll, si: Kupën e Suedisë, kampione e Suedisë, medaljen e argjentë në Lojërat Olimpike (2016), medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror (2019), medaljen e argjendtë të Lojërave Olimpike (2020) etj. Për skuadrat kombëtare të Suedisë ka luajtur si vijon: për U17 – 6 herë, U19 – 15 herë, U23 – 4 herë dhe për kombëtaren A (senioret) – 161 herë. Është fituese individuale e çmimit më të lartë në konkurencën e femraven ë Suedi – e Topit të Diamantit (2017), e çmimit ndërkombëtar Këmba e Artë, disa herë është shpallur mesfushorja më e mirë i vitit dhe e shumë e shumë çmimeve të tjera.
Kosovarja është ende aktive dhe luan për AC Milan (Itali) e njëkohësisht edhe për kombëtaren e Suedisë.
Një tjetër yll shqiptar i futbollit të femrave në Suedi është Loreta Kullashi (1999), e cila ka përfaqësuar Suedinë U17 – 11 herë, U19 – 19 herë, U23 – 15 herë dhe kombëtaren A – 8 herë.
Strumbullarin e përfaqësueses së Suedisë në futsal qe një decenie dhe aktualisht e përbëjnë shqiptarët. Granit Berisha (1991), Mërgim Berisha (1993), Albert Hiseni (1992), Donat Gashi (1998), Petrit Zhubi (1988), Liridon Makolli (1990) dhe disa të tjerë shumë herë na kanë bërë krenarë me lojërat e tyre për kombëtaren e Suedisë.
Në elitën e futbollit suedez që quhet Allsvenska janë dalluar shumë të rinj shqiptarë, të cilët kanë arritur të luajnë edhe për kombëtaren e Suedisë të moshave të reja dhe të seniorëve. Të tillë ishin: Labinot Harbuzi (1986) që 6 herë luajti për kombëtaren e Suedisë U21, Emir Bajrami (1988) veshi petkun e Suedisë U19 – 12 herë, U21 – 25 herë dhe të kombëtares A – 18 herë. Erton Fejzullahu (1988) luajti për përfaqësuesen e Suedisë U 21 – 7 herë, për kombëtaren A të Suedisë – 5 herë dhe një herë për Republikën e Kosovës. Arbër Zeneli (1995) ka përfaqësuar Suedinë U17 – 7 herë, U19 – 17 herë, U20 – 11 herë dhe Kosovën A – 26 herë. Ibrahim Dresheviq gjithashtu ka luajtur për Suedinë U17 – 2 herë, U19 – 11 herë dhe për Kosovën A – 19 herë. Valon Berisha i lindur në Suedi në vitin 1993 ka luajtur për përfaqësuesen e Norvegjisë U19 – 8 herë, U21 – 18 herë, kombëtaren A – 20 herë dhe për Kosovën A – 36 herë. Astrit Ajdareviq (1990) ka luajtur për Suedinë U17 – 20 herë, U19 – 18 herë, U21 – 14 herë dhe U23 – 3 herë dhe një herë për Shqipërinë (ekipi A). Loret Sadiku (1991) ka luajtur për Suedinë U21 – 3 herë dhe për Kosovën A – 4 herë, Liridon Kalludra (1991) ka përfaqësuar Suedinë U 17 dhe U 19 nga 7 herë dhe shumë të tjerë.
Aktualisht në klubet suedeze të Allsvenskas janë të integruar dhe luajnë me dhjetra futbollistë profesionistë shqiptarë.
Një shqiptare është duke shkëlqyer edhe në hendbollin suedez të femrave. Ky yll quhet Amanda Iséni (2003). Amanda ka përfaqësuar Suedinë në të gjitha kategoritë e moshave, aktualisht edhe senioret.
Do t´i hynim në hak yllit të hipizmit dhe të vrapimeve trokthi me karroca në Suedi – Lutfi Kolgjinit (1959) nëse nuk do të theksonim se ai gjatë karierës së tij 20-vjeçare ka shënuar më shumë se 2 000 fitore në gara të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, duke fituar gara e çmime të ndryshme dhe gjithnjë në helmetën e tij ka mbajtur shqiponjën dykrenore. Rrugës së tij janë duke ecur djemtë e tij – Adrian Kolgjini (1993) dhe Dante Kolgjini (1999).
Ilir Latifi (1982) është një mundës i stilit MMA (Mixed Martial
Arts), UFC (Ultimate Fighting Championship) dhe i stilit greko-romak. Iliri ka fituar shumë gara e tituj të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar.
Naim Tërbunja (1984) është një boksier shqiptar i cili ka fituar shumë tituj kombëtar në Suedi. Ka përfaqësuar Suedinë edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2008 si dhe ka pasur një karierë të suksesshme në boksin profesional ku ka zhvilluar 13 lufta, prej të cilave ka një barazim, dy humbje dhe 10 fitore.
Filmi suedez e ka një aktore yll me emrin Fortesa Hoti (1988) e cila ka lënë gjurmë të pashlyera, kurse Teatrin Kombëtar të Suedisë në Stockholm e udhëheq regjisori shqiptar Dritëro Kasapi (1975).
Anëtarë të të Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë dhe përkthyes të dalluar janë disa shqiptarë (edhe anëtarë të Shoqatës sonë) të cilët veprojnë me sukses të dalluar.
Anëtari i Shoqatës sonë Shyqri Gjurkaj është një piktor akademik i cili me punën dhe sukseset e tij ka zënë vend të merituar në elitën e piktorëve aktualë të Suedisë.
Janë krijuar vepra të rëndësishme letrare e artistike
Kështu, pra, shumë të rinj shqiptarë kanë lënë gjurmë shqiptare në Suedi e edhe në forma të tjera të punës dhe të veprimtarisë, siç është p. sh. letërsia, piktura, skulptura, përkthimet letrare etj. Janë botuar me qindra libra të gjinive të ndryshme në të cilat gjithmonë ka mbizotëruar ndjenja kombëtare e atdhedashuria për vendin dhe rrënjët e prejardhjes, por, njëkohësisht është shprehur edhe dashuria e respekti për atdheun e dytë – Suedinë, e cila ka mundësuar dhe ndihmuar këtë krijimtari.
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi në gjirin e vet ka grumbulluar shumë krijues dhe artistë të cilët kanë krijuar vepra të rëndësishme letrare e artistike. Kjo Shoqatë praktikisht ka prodhuar shkrimtarë të rinj të moshave të ndryshme dhe këtë punë është duke e bërë me dashuri. Vetë emri i anuarit të Shoqatës – Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi – shpreh vlerat dhe peshën e këtij libri të cilin shumë personalitete me kompetencë e kanë vlerësuar lart dhe e kanë quajtur enciklopedi.
Këtë kumtesë Prof. Fetah Bahtiri e përfundon me këto fjalë: Ne shqiptarët në Suedi e kemi një rini të shkëlqyeshme. Unë konsideroj se kjo rini është krijuar e këtillë si derivat i kombinimit të edukatës e vlerave tradicionale shqiptare me kulturën dhe edukatën që kultivohet në shoqërinë suedeze që nga fëmijëria e hershme.
Average Rating