
Dje me dt.26.05.2025 u nda nga jeta mësuesja e popullit znj. Urti Osmani
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të znj. Urti Osmani, një figurë e ndritur e arsimit dhe kulturës shqiptare, një grua me vlera të rralla, e cila la pas një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe intelektuale. Znj. Urti ishte më shumë se një mësuese, më shumë se një shkrimtare, ajo ishte një zë i mençurisë, një udhërrëfyese për breza të tërë nxënësish dhe kolegësh që u frymëzuan nga përkushtimi i saj i pashoq ndaj dijes dhe gjuhës shqipe.
Humbja e saj lë një boshllëk të madh jo vetëm për familjen Osmani, të cilës i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, por edhe për gjithë komunitetin arsimor dhe kulturor shqiptar. Kujtimi i saj do të mbetet i paharruar dhe do të shërbejë si një frymëzim i përhershëm për të gjithë ata që besojnë në forcën e dijes dhe në vlerat kombëtare.
JETËSHKRIM
Urti Osmani (Mësuese e Popullit) është një figurë e shquar e arsimit dhe kulturës shqiptare, me një jetë të përkushtuar ndaj edukimit, botimeve dhe ruajtjes së trashëgimisë intelektuale të bashkëshortit të saj, prof. Shefik Osmani – “Mësues i Merituar” dhe Laureat i “Çmimit të Republikës”. E lindur dhe banore në Tiranë, Urti Osmani ka kontribuar për dekada me përkushtim në fushën e arsimit kombëtar dhe është autore e shumë teksteve shkollore.
Pas ndarjes nga jeta e bashkëshortit të saj në vitin 2013, ajo mori përsipër një mision të rrallë dhe të vyer: të botojë dorëshkrimet dhe punimet e tij të papublikuara, duke sjellë në dritë vepra që kanë ndihmuar jo vetëm studiuesit dhe pedagogët, por edhe studentët dhe institucionet arsimore në Shqipëri dhe jashtë saj. Disa nga këto botime përfshijnë: Përjetë me Shefikun (2013), Vlerësime për prof. dr. Shefik Osmanin (2014), Ligjërata dhe shkrime të zgjedhura, vepra për arsimin fillor, si dhe një libër për kontributin e tij në fushën e filatelisë shqiptare.
Në mesin e veprave të saj autoriale spikat edhe “Abetare e Posaçme”, një tekst i përgatitur me kujdes për nxënësit shqiptarë në diasporë, me qëllim ruajtjen dhe mësimin e drejtë të gjuhës shqipe. Ky botim është mirëpritur veçanërisht në shkollat shqipe në vendet gjermanishtfolëse, anglishtfolëse dhe në Suedi.
Puna e Urti Osmanit përfaqëson një shembull frymëzues të përkushtimit ndaj arsimit, gjuhës dhe kujtesës kulturore shqiptare. Ajo gëzon respektin e gjerë të komunitetit arsimor dhe kulturor, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë.
U prehtë në paqe dhe Zoti e mëshiroftë!
Average Rating