Home » Lajme, Vendore » Do t’i votojmë vetëm ata që premtojnë zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për shqiptarët e Luginës!

Do t’i votojmë vetëm ata që premtojnë zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për shqiptarët e Luginës!

ShQLP-LOGOMe rastin e zgjedhjeve Parlamentare të 8 qershorit 2014, Shoqata e Qytetarëve të Luginës së Preshevës, edhepse janë mbi 30.000 votues shqiptarë të kësaj ane që jetojnë, punojnë e veprojnë në Kosovë, nuk ka paraqitur Listë zgjedhore për të kandiduar në këto zgjedhje si Inisiativë Qytetare, apo për t’u shndërruar në parti politike, për t’i përfaqësuar politikisht interesat e tyre.

Andaj, ftojmë të gjitha subjektet dhe partitë politike të Kosovës që, poqese e dëshirojnë votën tonë, të  paraqesin strategjinë dhe planet e tyre praktike për t’i ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, konform Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Shqiptarve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nr.04-R-011, të 6 qershorit 2013, të nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Jakup Krasniqi, që përcakton obligimet e Qeverisë së Kosovës:

 

“1. Qeveria e Republikës së Kosovës të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë, me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe etnike;

 

2. Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë përkujdesje dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët janë shpërngulur në Kosovë duke iu garantuar të drejta të plota dhe të barabarta;

 

3. Qeveria e Republikës së Kosovës të hapë një zyre në Prishtinë dhe në Gjilan për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes dhe atyre të cilët janë shpërngulur nga atje sipas normave ndërkombëtare;

 

4. Të krijohen lehtësi të qarkullimit, shkollimit, afirmimit kulturor, pajisjeve me dokumente përkatëse si dhe lehtësi tjera, duke përfshirë suspendimin e taksës diskriminuese;

 

5. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkon nga institucionet ndërkombëtare dhe institucionet relevante që të liroj të burgosurit politikë duke përfshirë të ashtuquajturin grupin e Gjilanit që janë viktima të një procesi të montuar politik;

 

6. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkoj reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në veri të Kosovës;

 

7. Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet nismën e themelimit të një Universiteti Publik në gjuhën shqipe dhe fton përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të marrin nismë ligjore;

 

8. Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet themelimin e fondit zhvillimor për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me iniciativën e Qeverisë së Kosovës dhe në koordinim me institucionet ndërkombëtare dhe evropiane;

 

9. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare që të angazhohen për detyrimin e Republikës së Serbisë për të respektuar të gjitha të drejtat që dalin nga Konventat ndërkombëtare;

 

10. Qeveria e Republikës së Kosovës të themelon grupin ndërministror për implementim që përfshin edhe vizitën e mundshme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Ministrisë për Integrim Evropian”.

 

Mjerisht, edhepse është obligim dhe detyrim Kushtetues i Qeverisë për ta zbatuar në tërësi këtë Rezolutë, megjithatë, u hoq vetëm taksa diskriminuese, e cila i plaçkiti mbi 30 milion euro nga këta shqiptarë të shkretë, të cilët mbetën jashtë Kosovës pa fajin e tyre, për t’i lejuar për të hyrë në Kosovë.

Kurse, të gjitha pikat e tjera nuk u përfillën fare nga Qeveria e z. Hashim Thaçi!

Prandaj, i bëjmë thirrje të gjithë votuesve shqiptarë me origjinë nga Lugina, që t’i votojmë vetëm ato forca politike që premtojnë realizimin me përpikmëri të kësaj Rezolute, si kusht për përmirësimin e pozitës skajshmërisht të papranueshme, të papërfillëshme dhe të pashpresë në të cilën jemi katandisur nga keqqeverisja dhe mospërfillja e deritanishme!

Urime dhe suksese në këto zgjedhje!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë!

Prishtinë, më 24.05.2014

Kryetari,

Nehat Hyseni

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch