Home » Kulturë, Lajme » Dr. Islam LAUKA, diplomat – NË RASTIN E HASAN SELIMIT E VËRTETA VJEN ME DRITË KREJT TË VEÇANTË

Dr. Islam LAUKA, diplomat – NË RASTIN E HASAN SELIMIT E VËRTETA VJEN ME DRITË KREJT TË VEÇANTË

Në radhë të parë, dua të falenderoj klubin e njohur “Gjon Nikollë Kazazi”, i cili shquhet për organizime të tilla të bukura, emocionuese dhe nxitëse për autorët e Gjakovës, por edhe për ata të Malësisë së saj, Tropojës. Dikur, veprimtari të kësaj natyre kanë qenë një ëndërr.

Së dyti, dua të falenderoj mikun tim të vjetër, Hasan Selimin, të cilin e njoh, tash e 40 vjet. E kam njohur djalë të ri, me trupin e drejtë e të lidhur si lis bjeshke, me karakter të formuar malësori, i hapur dhe i drejtpërdrejtë. Me përjashtim të thinjave që veç e kanë hijeshuar, ndryshim tjetër nuk shoh tek Hasani. Në thelb, ka mbetur po ai, malësori i dikurshëm, në pamje dhe në karakter.

Dua ta falenderoj dhe ta përgëzoj mikun tim, që, si rrallë kush tjetër, arriti të botojë, njëkohësisht, tre libra. Në fëmijëri, më kujtohet, luanim rrasa, në vërri, por sidomos në bjeshkë. Në bazë të rregullave të lojës, kur godet që në fillim objektivin (rrasën e gurit), atëherë thua “tre se tre”, në kuptimin që goditja në shenjë të jep avantazhiun e ruajtjes së numrit të gurëve (tre) për të goditur, duke rritur shumë shanset për fitore.

Hasan Selimi i ka rrëzuar tri rrasa (botimi i tre librave) dhe përsëri i kanë mbetur në dorë edhe tre gurë rezervë për të gjuajtur. Jam i bindur që në kulmin e moshës krijuese (60 vjeç) me aftesite, përvojën dhe mjetet që ka në dispozicion (edhe tre gurë të tjerë), Hasan Selimi do të na bashkojë shume shpejtë për promovimin e veprave të tjera poetike, filozofike dhe juridike.

Unë do të ndalem shkurtimisht në njërin prej librave të Hasan Selimit, atë me titull, “E Ardhmja Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (ShB “Fiorentina”. Shkodër, 2014) ku ai na shfaqet, jo vetëm si teolog e jurist, por edhe si shkencëtar.

Në qendër të librit janë çështjet e vjetra, sa vetë njerëzimi – ato të luftës dhe të paqes. Edhe pyetja që shtrohet për përgjigje është po aq e lashtë: Ku jemi dhe ku do të shkojmë? Një pyetje sa teologjike, aq edhe filozofike. E gjejmë atë në Bibël, në Kuran dhe në traktatet e filozofëve. Por e gjejmë edhe në veprat e kolosëve të mendimit të sotëm politik e diplomatik, si Henri Kissinger dhe Zbigniev Brzhezhinksi. Në të gjitha këto burime, përgjigjia që i jepet pyetjes, “ku jemi dhe ku do të shkojmë?” është e ndryshme. Studiuesi Hasan Selimi, merr guximin që edhe ai të japë mendimin e vet modest, në përgjigje të kësaj pyetjeje.

Mendimi i tij, duket se bazohet në teorinë liberale, më konkretisht, në institucionalizmin liberal. Sipas kësaj teorie, njerëzit, nga natyra, janë të mirë dhe, si të tillë, mund të merren vesh me njëri tjetrin, nëpërmjet traktateve, konventave, institucioneve, organizmave dhe organizatave ndërkombëtare. Në përputhje me këtë teori, studiuesi Hasan Selimi, parashikon që në rendin e ardhshëm botëror, do të vazhdojë gërryerja e autoritetit të aktorit kryesor të sistemit të sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare – shtetit; se ky rend do të jetë i popujve; se pakicat etnike, gjuhësore, etj. do të kenë më shumë të drejta.

A ka të drejtë autori i këtij libri në parashikimet e tij?
Askush në botë nuk e ka monopolin e së vërtetës. Nuk bën përjashtim as Hasan Selimi. Por merita e tij si studiues është se pikëpamjen e vet mbi të ardhmen e botës, ai na e bën krejtësisht të qartë, duke dëshmuar se është një ekspert i spikatur i së drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare. Këtë ka për detyrë studiuesi serioz – pjesën e së vërtetës që sheh, dhuratë kjo e Zotit apo natyrës, t’ua bëjë të njohur bashkëkohësve të vet.

Duket se në rastin e Hasan Selimit, teologu ka ndihmuar shkencëtarin dhe ky i fundit, teologun, në mënyrë që e vërteta e tij e veçantë të arrijë tek ne siç arrin drita, jo si çdo dritë tjetër, por edhe kjo, krejt e veçantë.

Gjakovë, 19 mars 2016

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch