Edi Rama dhe Andrej Plenkoviq kërkojnë masa urgjente ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama e kanë dënuar ashpër sulmin e grupit terrorist serb në Banjskë si dhe glorifikimin e tyre nga ana e Beogradit zyrtar, duke kërkuar kësisoj nga BE dhe vendet perëndimore që të vendosin masa kundër Serbisë.
Rama dhe Plenkoviq e vlerësuan të pavend shpalljen e ditës së zisë kombëtare nga ana e Serbisë për tre terroristët e vrarë.
“Kemi një krim, vrasjen e një oficeri policie dhe kemi heroizimin e atyre që e kanë kryer”, tha kryeministri shqiptar, duke theksuar se kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Evropë, e cila lartëson vlera krejtësisht tjera.
Ndërkaq, kryeministri kroat tha se “këto veprime nuk mund të mbesin pa përgjigje” dhe se shpallja e zisë nga Beogradi “pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të bëjë propozime për masa.
Kryeministri kroat po ashtu ka vënë në pak se Komisioni Evropian mund të miratojë masa në mënyrë autonome, pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare, siç bëri kundër Kosovës disa muaj më parë.
Kryeministri kroat theksoi se është i sigurt se masat do të merren, ndërsa Rama vuri në dukje se ato duhen zbatuar pa humbur kohë sepse vendimi i Beogradit për ditën e zisë nuk lë vend për interpretime tjera.
Gjatë vizitës në Kroaci, delegacion i Qeverisë së Shqipërisë ka nënshkruar dy marrëveshje me qeverinë kroate, atë për sigurimet shoqërorë dhe memorandumin e bashkëpunimit për shkëmbimet e përvojave në fushën e shëndetësisë.
Average Rating